top of page

Llesh Ndodj: AMANET T’PARËT NA E KANË LËNË…

  • 14 minutes ago
  • 6 min read


Nga Llesh Ndoj


Fjalët vijuese të shprehjes si më lart janë gjerësisht të njohura, si në Veri edhe në Jug të Shqipërisë: besë t’pabesit mos me dhënë!

Kjo shprehje ka të bëj kryesisht me traditën tonë, me institucionin e besës, si njëri nga institucionet gjerësisht të përhapura në të drejtën tonë kanunore. Sjellja e saj në kohët moderne ku, në kushtet e shtetit ligjorë, pak gjëra i mbeten këtij institucioni tradicional, për më tepër kërkesa që ky institucion të hyjë si garanti mes të qeverisurve dhe qeveritarëve, tashmë në ushtrimin e mandatit të katërt radhazi, më duket më shumë se një absurditet, një manovër e re për ta prerë në besë, atë që në fakt duhet të hakmerret për pabesitë e derisotme.

Partia Socialiste e Shqipërisë, prej kohësh e unifikuar me qeverisjen e Republikës së Shqipërisë, përpara se të kërkojë besën e të qeverisurve, e cila u është dhënë e u është marr prej saj (e jo vetëm asaj) me shumicë e me çdo metodë, duhet të japë llogari pse nuk i ka mbajt fjalët-besë me të cilat ka kërkuar votat, pse është treguar e pabesë me zgjedhësit e saj, duke e vënë pushtetin e grabitur nga sovrani, përmes gënjeshtrave e pabesive të pafundme, mbi zgjedhësit e në konfrontim të hapur e të fshehur me ta dhe interesat e tyre?

Këtu qëndron themeli i institucionit të besës e prej këtu duhet të kishte nisur udhën gënjeshtra e radhës, “Prania besnike” e Edi Ramës: duke kërkuar falje për shpërdorimin e pashumbullt të besimit të dhënë deri më sot. Ka ditë që kjo manovër e pastër pabesie, ka pushtuar ekranet e është bërë kryefjala e shumicës qeverisëse. Vetë Edi Rama, në një përpjekje të pashoqe, po mundohet t’ua shpjegojë se çdo me thënë besë të vetëve, nuk e di, a i ndërgjegjshëm se ata që ka rreth vetes në shumicë nuk e dinë, nuk e kanë as nuk janë të gatshëm të japin e mbajnë besën, apo si një propogandë bajate të cilën e mendon se vërtetë ky popull do ta haje llokum! Është sa qesharake, po aq edhe për të të ardhur keq, mënyra se si Rama e rilindasit që s’dinë pse kanë lind, po mundohen të sfumojnë efektin e protestëts në bulevard, e dukshëm të tejkalojnë edhe mangësinë e saj më të madhe: mungesën e lidershipit e të artikulimit ndërtues të së ardhmes! Nuk është hera e parë që Kryeministri, pasi e nxori jashtë loje çdo oponencë brenda vetes e aleatëve, pasi kontriboi sa mundi për shpartallimin e opozitës, edhe ashtu të shkatërruar, përmes blerjeve e çdo metode jo të ndershme, synon të rrëmbeje vetë e të bëje të dyja funksionet: pozitën dhe opozitën. Mirëpo e shkuara e rilindasve, ashtu si ajo e PD-s, mundet të zgjat agoninë, por kurrë s’do të mund të shndërrohet në një të ardhme reale e të dëshiruar për shqiptarët!

Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë për të gjithë. Të zgjedhësh mes një të keqje të madhe e një të keqeje pak më të vogël, siç ka ndodhur e vijon me rilindasit pa formë, nuk është e s’ka për të rezultuar kurrë zgjidhje!

Pak më tej lidhur me besën. Sipas të drejtës tonë zakonore vetëm “vrasësi”, ka tagër të kërkoje besë, e “i vrari” ka nderin të jap besë! Çfarë më shumë se ta vrasësh, mund t’i bësh tjetrit?!. Po, fatkeqësisht paska edhe më shumë: Ta vrasësh e t’i thuash se këtë e bëj për të mirën tënde,për të ardhmen tënde, ndaj më jep besë dhe më beso edhe në vijim…

Pak më shumë se kaq, kujt i kërkohet me i dhënë besë? Besa jepet pasi kërkohet falje nga ai që gjendet fajtor për një situatë të krijuar. Mirëpo, a ka kërkuar falje Rama, Rilindja e kërpurdhat e kopshtit të tij për besëprerjen deri më sot? Kurrë!

E pra, nëse kërkon besë, siç po na bombardon dita – ditës me një propogandë bajate, besa nis tek falja, tek llogaridhënia, tek përulësia, tek lehtësimi i barrës qeverisëse, tek përfaqësimi dinjitoz, jo tek “liria” për t’na e marr frymën edhe në vijim.

Edi Rama personalisht, duhet t’i kërkoje falje në radhë të parë asaj që trashëgoi në vitin 2005, familjes socialiste, të cilët pë gjithë këtë kohë në krye të saj e në drejtimin e pushtetit, në bashki e qeveri, i ktheu në ish. Ai ua rrëmbeu atyre partinë dhe e ktheu atë në një çerdhe kriminale të pashembullt. Faktet janë kokëfortë: votuesit e PD-s, thyerësit e kutive të votimit për t’i mbushur me vota kundra socialistëve, ata që deri dje luanin edhe armën kundër socialistëve pa asnjë mëshirë njerëzore dhe vetëm për vota, janë sot rilindasit më të zellshëm kudo, në çdo hallkë qeverisëse qendrore, lokale e vendore. Se ç’ylber kaluan e se ku u pagëzuan, vetëm Edi Rama e djalli e dinë, pasi Zoti s’besoj se mund të ketë dorë në ndërmarrje kaq të poshtra. Kriteri i vetëm për te qenë rilindas sot është të kesh zhgërryer byt…n nëpër të gjitha partitë e tjera, për t’u bashkangjitur pastaj tek i pabyt…i Rama! Këtu nis pra edhe “prania besnike”. Bëje këtë, të shohësh se ku të del vija…

Në vijim, me votuesit e majtë gjithnjë të pa pushtet e ke ose jo besën! U ke atyre vënë në krye kriminelë, nisur nga organizatat socialiste (aq sa ekzistojnë ato sot) e deri tek drejtorë, deputetë, drejtues të organeve qendrore e ndonjë edhe ministër. Pabesia e mospërfaqësimit të tyre, sot kërkoka besë! Si? A je i gatshëm personalisht, ti zoti Rama, t’i ndashë rrugët kriminale me ata e të kërkosh besën e socialistëve, duke vënë në krye të punëve njerëz që kanë profilin e votuesve, apo kërkon besën për t’i prerë edhe njëherë në besë, duke e kthyer veten në besëprerin më të famshëm në historinë shqiptare?!

Pak më tej akoma, edhe njerëz pa parti, edhe disa që i besuan PD-s si shpresë, menduan se gjetën tek Ju përfaqësuesin perfekt, as komunist, as demokratikas allashqiptar, por u zhgënjyen. A je i gatshëm t’u kërkosh falje edhe këtyre?! Nëse po, bëje me vendosmëri, me vepra konkrete e me pak ose aspak fjalë, nisur nga organizatat socialiste, nga fytyrat e pafytyrë që na qeverisin, deri tek vetja. Edhe ti, së paku vetëm njëherë, dil pa maskë! “Po, u kam (zh)gënjyer, thuaj, e ju kërkoj falje. Më jepni besë sa t’i zhbëj këto bëma të pashoqe për nga pabesia, dhe…”

Jep dorëheqjen!

Hapu rrugë zhvillimeve pozitive se, sido që gjendemi në kurthin e pabesisë tuaj, sado me dhimbje e tepër vonë, ato do të sjellin pamjen reale të besës së të qeverisurve e pabesisë qeverisëse, duke gjurmuar edhe për një besëlidhje të re (kontratë sociale-qeverisëse) përmes votës së lirë e shprehjes së vullnetit të pa vesuar të shqiptarëve që e duan Shqipërinë, jo për Ju, as për Saliun, por për varret e gjyshërve e për perspektivën e nipërve.

Nëse do besë, kalo lagje më lagje bashkë me mëkëmbësat e krimit që i ke vënë në karrige, e dëgjo popullin pa kamera e megafonë. Teorikisht këtë po e kërkon nga tuajt, e këtu s’mund ta mohoj se ke të drejtë, por atë që duhet ta mbikqyrte të gjithë procesin, partinë socialiste të Shqipërisë, e ke bërë stol nën bythët e majme të qeveritarëve lokalë e qendror, e fallsiteti i radhës do të pjellë gënjeshtrën e radhës. Hajde edhe tek lagja ime, se do të të bind me fakte lokale e kombëtare se sa mbrapsht e keni shfrytëzuar besën tonë (edhe timen!) e tash po kërkoni ta ripërtërini atë, me psqyra e modele të dala boje e të diskredituara, jo si modele në vetvete, por si përdorime qëllimkeqe nga ana juaj!

Ndërkohë, hiq dorë nga represioni policorë, tatimorë, doganorë e kriminal, duke e zbatuar ligjin, jo duke e liberalizuar e lëshuar pa frena qeverisjen! Ato vetëm sa ta afrojnë fundin, duke e bërë atë edhe më të dhimbshëm. Kujt i ankohesh për bëmat represive e korruptive të administratës tuaj, pas kaq shumë vitesh e provash se s’keni shokë për nga negativiteti, as në shembujt më të këqinj të administratës publike shqiptare? Bëje qeverisjen të thjeshtë e llogaridhënëse, jo të kalkuluar për të vjedhur, duke ushtruar represion ndaj fukarenjve! Thuaju edhe atyre që mundohen të të imitojnë se sado mirë të keni punuar (nuk më rezulton kjo!), qeveritari vetëm detyrën kryen e s’ka pse ua nxjerrë sytë zgjedhësve duke treguar bëmat e tij, a thua se janë triumfatorë në ndonjë nga ato duelet në fushën e mejdanit e ku këta rilindasit, me shpatën xhveshur kanë mundur çdo armik! Apo kanë shqye xhepat e parat e tyre i kanë investue për të mirën e popullit! Pika, pika, pika! Vjedhin hapur ditën e natën, pastaj edhe të nxjerrin sytë me propogandë! Mësoju atyre të korit të sukseseve (se për vete jam i sigurt se nuk do ta dishë!), se në demokraci nuk ka armiq, por rivalë, e ju me metodat tuaja thellësisht korruptive keni eleminuar tashmë jo vetëm oponencën nga brenda, por edhe rivalitetin nga jashtë. Është për këtë arësye që silleni kështu, por fundi mundet të jetë i hidhur…

Përvojat janë, i lexuar je, ndaj reflekto!

Boll është boll!

E, e përkthyer për Ju e rilindjen gjysmëfashiste shqiptaro - qeveritare, kjo tashmë duhej të ishte një e shkuar, mbase edhe e harruar.

Nuk frymëzoni më, nuk mund të gënjeni më!

Jeni mish i huaj mbi skeletin e varfëruar të shqiptarëve, që vetëm shpirti u ka ngelë!

Bëje Edi Rama, kërko falje, e pas teje edhe rilindasit kriminelë që ke mbjellë kudo, se populli shqiptar fal e jep besë, kujtdo që kërkon falje nga zemra e jo nga mendja e mbrapsht e me qëllime për të rilind të keqen.

Por kurrë nuk ua fal tradhëtarëve!




Lezhë, më 3 shtator 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page