top of page

Halil RAMA: PUBLICISTI DHE POETI E QË “LUAN” NË “VIOLINËN E LULEVE”

  • 4 hours ago
  • 4 min read

 

 NEXHBEDIN BASHA, PUBLICISTI DHE POETI E QË “LUAN” NË “VIOLINËN E LULEVE”

 

Halil RAMA- Mjeshtër i Madh

 

·      Poeti dibran Nexhbedin Basha, me arsim të lartë për gjuhë-letërsi dhe akademi ushtarake, gazetar dhe ish-ushtarak me gradën Major, vjen para lexuesit me një krijimtari të mbështetur mbi jetën, kujtesën dhe ndjeshmërinë njerëzore…

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, do të evidentohej si korespondent vullnetar i gazetës lokale “Ushtima e Maleve” edhe Nexhbedin Basha, jo vetëm me kronikat e reportazhet e para nga lartësitë e Katër Grykëve ku mësonte vocërrakët e një shkolle fshati, por edhe si një ndër talentet e reja në poezi. Madje do të fitonte edhe çmime në konkurset letrare që organizonte Dega e Lidhjes dhe Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit Dibër, çmime këto që do ta inkurajonin për të ecur dinjitetshëm në rrugëtimin e tij prej më se katër dekada si publicist e poet.

Në këtë rrugëtim nuk do të kishte suksesin e dëshiruar pa formimin gjuhësor e letrar nëpërmjet ndjekjes së studimeve dhe diplomimit në degën gjuhë-letërsi në Fakultetin Gjuhë-letërsi të Universitetit të Tiranës.

Dhe ndonëse thuajse çdo ditë publikon në rrjetet sociale reportazhe, portrete, skica dhe esse, ajo që ia rrit personalitetin krijues është poezia e tij. Kësisoj, N.Basha  ka krijuar profilin e publicistit dhe poetit që konkuron me meritë  në këto dy gjini.

 

DRAMA E SHPOPULLIMIT SI METAFORË E TOKËS QË I DHEMB NJERIUT

 


Libri i tij i parë me poezi I N.Bashës “Violona e luleve” ka metaforën e “Tokës që i dhemb njeriut”. Dukshëm kjo në vargun e tij “ingranazh” me shumë hallka, të ezauruar në të gjithë lëndën e pasur e të larmishme të vëllimit.

E shkruar që në mars 1991, poezia nga ka marrë titullin libri është aktuale edhe sot, kur përjetojmë shpopullimin dhe braktisjen e madhe të fshatrave tej e mbanë atdheut. Ndaj dhe poeti shkruan sic e përjeton këtë braktisje, se “Toka i dhemb njeriut/ Dhëmbin kapilarët e gjakut/ Dashuria e kujtesës/ në trajtën e shiut të blertë…”

Më tej, në poezi të tjera të këtij vëllimi, si ato me titujt “Dhimbja e shpirtit” (kushtuar dëshmorit të atdheut Klodian Tanushi); “Alarme të rreme”, “Gjumi i trazuar” e “Ditari i zverdhur”, konstatojmë me kënaqësi zgjedhjen e fjalës, ritmin, strukturën e komunikimit, strukturën poetike, gjithmonë nën një petk poetik. E kësisoj edhe pasurinë leksikore të dukshme qartësisht në poezinë e tij. Ndaj dhe poeti e analisti i mirënjohur i letërsisë Dukagjin Hata, në parathënien e këtij libri shkruan se “Poeti Nexhbedin Basha vjen natyrshëm me këtë libër, pasi herë pas here, në një kohëzgjatje prej shumë vitesh, poezitë e tij kanë ‘prekur’ imagjinatën e lexuesit, kanë komunikuar dhe kanë krijuar me të një vatër të ngrohtë ndjesish dhe emocionesh poetike”.

 

FRYMA PATRIOTIKE DHE LIRIZMI NË POEZINË E NEXHBEDIN BASHËS

Fryma patriotike në poezinë e Nexhbedin Bashës shfaqet si një thirrje e fuqishme për liri, dashuri për atdheun dhe mbrojtjen e gjuhës e identitetit kombëtar. Më e dukshme kjo në poezinë me tingëllim aktual “KOSOVË” (ndonëse e shkruar që në prill 1991- Fq.27). Vargjet e kasaj poezie: “Dielli po digjet në gishtat e Bacalokut/Granatat kanë një gjuhë të vjetër ankthi..” kanë simbolikë përfaqësuese të nivelit të lartë stilistik. Këtë simbolikë N.Basha natyrshëm e me frymëzim spontan ka arritur ta mishërojë edhe në poezinë me titull “Me mall puth ato duar (kushtuar prindërve të tij, baba Muliut e nënë Shefqetes), ku shpreh “Mallin për bukën e gatuar në magje/Për muzgjet që i gjenin në brazda/Për aromën e diellit që na ngroh shpirtin/Për harenë që ndizej në vatra..”

Si testament të jetës dhe dëshmi të dashurisë, janë vargjet e poezisë njëstrofëshe “QYTETI I VJETËR” (fq.40), ku: “statujat imitojnë të gjallët/Pinë kafe më pak dhe bëjnë dashuri në varreza..”

Nexhbedin Basha guxon të shkruaj edhe poezi në formë hajku, si te “KUKUVAJKA” (në tre strofa me nga tre vargje). Këtu, qoftë edhe vetëm në vargjet: “Kukuvajkën e pashë në rrugë/ Me sqep të zi mbi gjethe trokiste/ dhimbdjen e ditës së nesërme”, dallojmë ndjeshmërinë e lartë dhe  imagjinatën  e fuqishme të poetit.

Më tej, frymëzimin e përflakjes poetike, si prush i bukurisë, N. Basha e përshfaq te poezia “RRUGA E ARBËRIT MBI GJURMËT E KALIT”, ku: “Vargu i poetit këtë herë nuk ngeci/ Ai është si telat e çiftelisë, ku zëri jehon në kreshta/ E unë nisa të hedh ca vargje për diellin/ Se diell është për ne Rruga e Arbërit..”

Vlerë e shtuar e këtij vëllimi është edhe fryma lirike që fdallohet në disa poezi, si te “Vajza në ballkonin e Dajtit”, “Aromë bjeshke Korabi” e “Si ëngjëll sillesh me natën”.  Janë këto poezi që përshkojnë boshtin lirik të shpirtit krijues të poetit N. Basha, si gjurmë e thellë përjetimi dhe vizion i bukur, i cili të rrëmben dhe të shëtit në peisazhe nga ato metafiziket gjer tek ndjesia estetike, dhe e gjithë kjo, muzë fuqishprehëse dhe elokencë për vetë dashurinë njerëzore.

 

MES DHIMBJES NJERËZORE DHE SHPIRTIT ARBËROR

 

Poeti dibran Nexhbedin Basha, me arsim të lartë për gjuhë-letërsi dhe akademi ushtarake, gazetar dhe ish-ushtarak me gradën Major, vjen para lexuesit me një krijimtari të mbështetur mbi jetën, kujtesën dhe ndjeshmërinë njerëzore.

Autor i tre vëllimeve poetike “Violina e luleve”, “Hija e vetes” dhe “Ujvarë dashurie”, ai sjell në varg dhimbjen, kohën dhe shpirtin arbëror. Ndërkohë, ka në proces botimi edhe dy romane ese-autobiografike: “Gjurmë në udhë” dhe “Kufijtë e zemrës”.

I lindur më 1 janar 1958 në Dibër, Nexhbedin Basha ka kaluar nëpër përvoja të shumta jetësore, nga arsimi te shërbimi ushtarak dhe gazetaria. Ka shërbyer në Forcat e Armatosura dhe në misione jashtë vendit, ku është vlerësuar me medalje shërbimi të NATO-s, si dhe mban titullin “Ambasador për Paqe”. Si gazetar në gazetën “Ushtria”, ka pasqyruar nga afër ngjarje të rëndësishme të viteve 1997 dhe zhvillimet në Kosovë gjatë viteve ’98–’99.

Agim Lika, poet dhe historian, në parathënien e një prej librave të tij ndër të tjera shkruan se “Kujtesa, jeta reale, rrugëtimi i ëndrës, heronjtë e ri e të vjetër të historisë si Skënderbeu, Kosova, Nënë Tereza, emigracioni, përjetimet për ushtarakët shqiptar në misione paqeruajtëse, endja drejt zemrës, etj, e kanë bërë poetin Nexhbedin Basha të hedh në vargje e të prodhoj libra me poezi, ku ka shumë personazhe të të gjitha kategorive, të shkruara me zemër në dorë”.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page