top of page

RUZHDI  GOLE: MBRËMË NESËR 


ree

RUZHDI  GOLE 

 

MBRËMË NESËR 

    (cikël poetik)

 

BRENGËZ  E  BEGATË

 

Përhera, më shumë, e kam dashur

më ka ndjerë, ndoshta, një cak,

prej më së largu m'afrohet

së largu dhe kaq afër

me tjetër grup gjaku 

dikur jetë plot sy

tani syri çast.

 

Tirana, ndërkohë, është s'është ajo...

 

Tirana, ndërmend, 

më pak më do

dhe kjo 

më begaton një brengëz 

të shtrenjtë e të shenjtë...

 

RRËMBIME

 

A mund të nisemi andej nga erdhëm

të mpleksim guximet ledhatojmë 

mbrëmjen ... qershizën e parë

me xixa në venë ?

 

A mund të jem sonte po ai vrapth 

përmallimi lënduar gjatë urtë 

të gjej çka shpejt mbrujta

në Tiranën pa frak 

qullur ... ngrohtë 

zjarr në shkurt?

 

Asaj rrokullime q'ende shpupuritet

mund t'ia ndij kreshtën e lume ?

Tirana përgjysëm... e tëra

pa i ra në gjunjë botës

botës i  përvidhej

plot gracka 

thërrime ... 

uri e të dashuruarve.

 

O, ç'ëndërrime... të çartura paksa...

 

Tirana sonte ndizet e nuk fiket

gjithçka më merr 

s'më rrëmben gjithçka...

 

 

LIZETË 

 

Më pak jetoja vetëm

kur dija çfarë dashuroja

dashuroja bustin legjendën.

 

Afër, për t'u mbajtur, mend

ëndërrova liriken Lizetë,

shirat më qullnin

s'i shihja buz'plasur

syvëngërt shihja 

mjegullinat retë...

 

Tani, 

asgjë s'ka mbetur 

nga livadhet tona

në këtë kryeqytet 

ku vrapoj 

ngadalshëm 

për të kujtuar 

çka deshëm 

aq vrundull

aq qetë 

 

ngadalë nxitoj mos mbërrij natën...

 

 

RREKJE

 

Anashkaloj

zekthin e tymin

jo timbër dhe plojë.

 

Mbrapshtoj pas rrekjes

thundrën mbi kokën 

pa mburojë

 

u dredhoj hileve me bejte.

 

Shumë më tepër dredhitë

më duhen të  afrohem

tek seksi i çudive

qiriu gjysmë fis.

 

Ngahera parakaloj mëdyshjen

Tirana gjallëron rrëfenjë 

pa plojë 

 

ku s'gërhasin qyqet...

 

CIFLA

 

Tjetër e bukura

e bukura e brengave

me rrjedha të hareshme,

 

Tirana

plot të vërteta të reja

të cënuara, cifla

në ndërgjegje.

 

Tjetër thirrja buzagaz i pastër

nga shfytyrimi zi mbrapsht'

një krismë sonte mund

të ma mpij kryqin

në kishën e Fjalës

lëkund gjysm'hënën

nga sheshi emblemë gjer në Dajt.

 

Tirana jeton rrjedha të hareshme,

 

Tirana

plot ndjenja,

brenga, ndërgjegje.

 

MBRËMË NESËR

 

E mrekullueshme kjo mbrëmje

oh, sa e mrekullueshme,

flladi sikur luan flaut

flauti plot sythe,

 

tjetër përtëritje

në gisht,

 

mua më duket

sikur po dal

prej ëndrrave

tek burimi i luleve,

të gjithë ëndërruar

veten fare pak

tek të tjerët puhizë.

 

Sonte tjera fytyra gdhend mbrëmja

me gishtat e saj të padukshëm,

tiparet tona të mbrame

përsëmbari të mugët,

 

e mrekullueshme kjo mbrëmje

me sy të rinj këqyr çfarë shkoi

rrëmujë me dhe pa vragë,

që edhe pse

u rrudh e vyshk

nga cene të hijshme

asnjë nuk mallkoi

kurrë nuk u bjerr

s'ka varrezë

as kryq

as lutje

as baltë.

 

Oh,

sa mahnitem

nga kjo mbrëmje

tiranase rrezëllitëse...

 

i këtushëm më s'jam, po i mbramë.?

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page