Ruzhdi Gole: Janë, s'janë kund ?!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 2 min read

Janë, s'janë kund ?!
(cikël Poetik)
*
Vesë, verige
Në kult të vreshtit, në rreze të syrit
me gjethet rrojmë me mjeshtrin
e tëharrjes e të qeshurit
kur vesojnë veriget
fllade prej nuri.
Fryma e vreshtave asnjëherë përgjumësh, e përzemë
kollën, ngazëllehemi
prej xixëllimave
tej shkumës.
Në kult të vlagave të verës e vreshtit
përhera mpleksur ne në rreze t'syrit,
bletët na mjaltojnë ato s'ngjethen
veç feksin... s'na përkëdhelin
thëllëzat e gjumit.
Ndër të parët plot frute
shkundur të fundit
në kult të rrezeve
në rreze të syrit...
*
Gishta, frymë
Tri telefonata për tre brigje
të njohura në jug,
asnjë breg s'më përgjigjet
të jenë linjat
të ngathëta
brigjet janë s'janë kund ?
Në buzë të detit me hapa breshke
sfilitur shumë t'arrijnë kodrën
jo malin
brigjet ç'kanë nëpër gishta
marr me vete
pompën e frymës,
zemrekun e të çalit ?
Linja të ngathëta rrokopuje në jug
të njohurit e mi s'janë janë kund ?!.
*
Gjoja.
Tek shëtitja e mesditës pyjeve
hapa vogëlth
një grua
më buzëqeshi
çelur paqtë,
e përshëndeta
dhe unë
gjoja vranët
plogët
rrezja e florës
më rrezëlliti kryeve
përqark drurëve afsh.
Kur je afër me një florë prej gruaje
me sy fluturimi përtëritës joshës
kodrën e ndin më thellë
fluturave luleve
nuk dëshiron
ta zbresësh
kodrën.
*
Lutje, lule
Vera dritëron e bukur këtu
në këmbë në brinjë
bregmal
shtat vrapimtar kuturu.
Vera drithëron e nxehtë e freskët
të djeg e të ngrin po ta lësh
vetëm-o zë e gjuhë
për dikë tjetër.
Vera ngazëllen gruaja ime e fundit
të deh e dehet plot flakëza,
lutje lule gjithëkundi
më qëllon me rreze
jo shuplaka...
*
Mbyll, çel
Tek kjo natë, natëze
me bredhje të vakëta
s'u shkurtova nga shtati
as u mbulova nga rrasat,
dola ... plasaritur ngaheri,
pas lashë portën
feksje mugët re
as mbyllur
as çeluri.
Do dal nga nata tjetër?.
Comments