Ruzhdi Gole: HARDHI FRYMORE
- 2 days ago
- 1 min read

Sonte i kemi hipur një veliere
po det nuk ka,
supeve hedhur çiftet
po askund
nuk gjejmë prehë,
Në shtëpi vonë
kur të shkojmë
do shohim po ato bela -
gratë tona
që asnjëherë s'na fyen
por që ne ndonjëherë
edhe i gënjejmë.
Def kokat na kërcasin
s'i gjejmë kund kryet
kokat na rrotullohen
hënëza të plogëta,
qielli zbras
shportat e reve
si verige rrushi yjet
s'i mbrrijmë
dot sonte
nesër mbrëma
ndoshta bëhen tonat.
Nesër mbrëma?
Shpejt shkundim
nga kryet tona sonte
një velierë të shpupuritur
nga supet i heqim
çiftet fishekë qullur,
shpejt nxitojmë tek gratë tona
hardhitë frymore të k'saj bote
ato asnjëherë s'na fyen
ne shpesh
bukur i gënjejmë
i ledhatojmë
turbullt.








Comments