Ruzhdi Gole: GJYS’ ... JO E TËRA
- Jul 31, 2025
- 2 min read

VRANËSI E KTHJELLËT
U vranuan gjërat, gjys' jo të tëra,
u vranua rruga por jo hapi
që u mbath prej rrugës,
u vranuan të nderurat
por jo uji që u lau
atyre sytë buzët,
u vranuan të hirtat, më të hirtat, por jo përskuqja e perëndimit gjethe zjarrmie tek gishtat.
Sotmot po vranon melodia e duajve
më të buta rrëpirat, pylli jo aq i egër,
buzagaz t'ligat teh më kërcënues
varfëria e re vranohet
dy dimra njëherësh.
Gjethe të hirta prehen tek gishtat.
LAJME TË ORËS ZERO
Qerpikët e orës u lagën
nuk u zgjuan
termometri mbylli sytë
iu derdh zhiva,
Ajri mbante
një degë thyer në duar
asnjë lajm për përmbytjet, bishat.
Ç'mund t'shkruhet sonte paspërpara
e qartë e qetë poaq e rrëmujshme
për njomështitë
dhe të dëlirat
për thonjtë
fëminitë e mardhura
monedhat krunde.?
Rrokur prej floku e beli kozmetikat,
asnjë lajm për shpifjet
asnjë lajm
nga tezgjahu i fushës
tronditjet dhe thikat.
Ajri pikëlluar
një degë thyer në duar...
LUTJE PËLLUMBI
Frymorë jemi ftohur, ngrohur ujërat
njerëzisht squllur, rralluar të urtët,
tehet xixojnë mbi rrugë lundra
më i gjatë verbimi
rrezja e shkurtër...
Njerëzisht ne xhveshur, vesh' pemët
frymorë gulçojmë ngathët e ngratë,
butësisht nga degët varen
pendët si lutje pëllumbi
vrarë qëmoti
çdo çast.
I gjatë verbimi, rrezja e shkurtër,
ftohur fjalët, ngazëllehemi
trazim i paqtë kacafytës.
Cak - CAK
Perëndimi ynë tej, tej po ikën pacak
si një valëvalë e re më afër frikës
tingull që pushon ende më pak,
shpejt nesërmi nis bubullon
çka mbet' tret nga e tëra
tek vozitja e tek torba
busulla e gjilpërat ...
Po ikën perëndimi cak-cak
thëllim tepër, tingull pak...









Comments