Ruzhdi Gole: KOBURE ME HELM DHE MJALTË & E SHKUAR PA GRAFI

KOBURE ME HELM DHE MJALTË
Secili prej njerëzve e mban një kobure me vete kudo që të jetë : në ecje vrap, në shtrat e kolovajzë, në fluturim, në spital, në vendstrehim, në burg.
Sa e vërtetë është kjo.? Ndoshta lajthitje.
(Zotnia juaj, çfarë dëshironi të blini? I kemi të gjitha : nga gjilpëra, pushka e detit, veshja prej lëkurë, rrjetat. Më kërkuat një kobure? Jo, më thoni? Ndoshta më bënë mua veshët.)
Njeriu, i qetë, i rrëmujshëm, kjo varet nga dita dhe drita, nga errësira dhe gropat, nga lajmërimet dhe lajthitjet, e mbush dhe e zbras çakërqejf koburen e tij. Ajo, e zhurmshme e e pandihshme, (e zhurmshme po e shkrepe në amfiteatër, më pak e zhurmshme po e shkrepe në zhurr dhe më pak bubullitëse po ia tërhoqe këmbëzën nën ujëra,) zgjon veshët e mbuluar me lesh e drithëron nofullat e ngurosura të kalimtarit fluturak, ndonjëherë edhe të çalë.
( Zonjë, po ju ç'dëshironi ? Kozmetikë? Po i kemi të gjitha. Mund t'ju ofroj edhe ndonjë send mbrojtës. Nuk e doni? S'i keni frikë njëthundrakët.?)
Nuk e di se sa e vërtetë është, por në jetën e tij secili prej nesh, (unë i pari), kemi çaluar nga gishti i mbufatur, nga shputa e squllët. Kërcimi aq sa hov djaloshar aq pengohet humbameno nga mosha, nga krisja e kockave. Me koburen tonë fshehur e pafshehur nga askush, njohur dhe asnjëherë njohur gjithçka gjithësie, ne ecim në shëtitoren e shpejtësive marramendëse duke e shkrehur koburen mbi të tjerët, fatkeqësisht, (mirësisht do gajasej dikush) edhe mbi veten. Nga koburja gjarpërojnë disa flakëza të tejdukshme për syrin e hollë të njeriut, i cili parandjen shkrepjen ende pa u tërhequr këmbëza. Gjithçka tulatet, merr perdore ketrin e plagosur, (o, ç'na the, o mendje-kobure, o ç'na the ??), ikën me të katra mos ta zerë koburja edhe nga mbrapa. Sirenat e zjarrfikseve dhe të auto - ambulancave nuk kanë asnjë kobure e megjithatë ngjethin gjithandej. Loton edhe ketri, ketri kukull, po ç'të bëj? Veçse të lotojë me sy fëmijë, sy të atyre fëmijve, që ua vranë prindërit me krisma të vërteta. Ç''rrëngjethje... ah, kjo mpleksje që s'e çmpleks askush me gishta. Ora e vërtetë ende nuk tingëllon e saktë, përderisa edhe asaj ne ia shkrepim mbi krye koburet tona, të cilat herë jane me helm, herë me mjaltë begatie dhe zhgënjimi.
Qetësia e fsheh koburen e saj. Tradhëtia e larta po ashtu. Tradhëtitë e qeta dhe ato që vrapojnë sa nga krevati bashkëshortor, sa nga dogana dhe kontrolli tatimor ushqehen me të holla të majme, vila dhe ëndërrime të vërteta ishullore.
Kobure me helm, kobure me mjaltë. Në të vërtetë, nuk ka kobure me mjaltë, as me piper djegës, as me hudhra. Dikush i g'zohet mendjes se tij kobure, dikush e freskon dhe e ujit mëndjen e tij bibliotekave, parqeve, lundrimit. Dhe përpara tyre, shumë më përpara, mendja është projekt i detajeve për mjetet shkollore, pjellë e bukëpjekësit, e këpucarit, e njeriut që ngjit e zbret maja e rrëpira për të shitur qumësht, fiq.
(Zonjë, zotni, blini ju lutem, blini prej meje. Nesër do të operoj vajzën. O njerëz, a më dëgjoni? Unë ju shoh pingul në sy, shoh koburen ku e fshihni, fjalët që lëpini e përpini po nga goja juaj.).
Të gjitha koburet nuk janë njësoj. Nuk mbushen dhe zbrazen njësoj. Helmi i mbush ato, e keqja, ligësia, mëkati, përbuzja.
O mendje pa kobure, o mendje e shkrep'timave të vërteta, ti nuk lëndon, nuk plagon, nuk vret asnjë. Përhera, ty, mundohen të të helmojnë, të të mbysin, të të vrasin.
Zonjë, zotëri, nuk do gjeni askund mjaltë njeriu. Zonjë, zotëri, mjalti i njeriut është helmi i tij. Helmi në mëndjen kobure.
Më mirëkuptoni, ju lutem, më mirëkuptoni. Unë, ti, ne jetojmë në ecjevrap, me hov, me bastun. I hipim trenit gazmor të mërisë po nuk nisemi askund. Kemi vjet e vjet që as nisemi dhe as kthehemi pas. Kthehemi mbrapsht, përmbys përmbytje. Kush do na nxjerr nga kjo baltovinë - humnerë humbarake.?
Rrofsh, o mendje pa kobure, o mendje e e të vërtetave, të vërtetave për çdo njeri që jeton edhe qeshje, edhe lotë.!
Ku e kam koburen time?
Eh, dreqni me e gënjye veten !
E SHKUAR PA GRAFI.
(poe-prozë)
Oo,o,o. ç'gazmend fluturues!
Kaq shpejt, në ag, Enrietë?
*
Përtëritja fare pak shquhet gjithandej me sy e me vetull. E gjitha shquhet. Vet nata jeton përtëritje me gjithçka të saj. Errësira nuk mbyll asnjë dritare. Luhatjet, lajthitjet, regëtimat aty pëshpërisin të ngadalta, aty hovin ngut e nxit.I dëgjojnë pak njerëz, i dëgjojnë të gjithë. Kopshtet belbëzojnë. Asnjëherë nat'mesnata nuk e mbulon gjithë kopshtin. Frymorët udhëtojnë edhe natën. Në peisazhe plot fantazi. Fantazia i çon herë-herë shumë larg pa hedhur një hap. Natyrisht ata kraharojnë.Përreth tyre ndizen e shuhen llambushka, të cilat herët në mëngjes struken diku për t'u zgjuar nat'mesnatën e re. Gurët kilometrike të natës, me sytë e tyre prej fosfori, janë jashta endrrave. Këta gurë ua shkundin përgjumjen njerëzve në udhëtim. Natyrisht, jo të gjithëve. Ka plot që ngrysen, shtrihen, gërhasin e u del gjumi të nesërmen në anën e rehatit të vet. Dikush thotë se kjo ndodh me thinjoshët. Për arsye etike po i le mënjanë pleqtë. Dikush përsillet pa pendim të zbuloj se kjo ndodh me çiftet. Frymorët përtërihen me ëndrra.
* .
(A të kujtohet Enrietë?
Unë vija shpesh tek porta e madhe me prag e shtëpisë tënde prindërore. Luanim me gishta. Luanim ? Po, po ndër gishta fëshfërinim fletët tona të para të vjershërimit. Ne e donim fëmijërisht njeritjetrit. bio pa grafi. Asnjëherë nuk e kalova atë parmak. Asgjë më shumë, gjithçka më pak).
*.
Nate shoh çifte, sa më shumë çifte. Po shoh veten. Eh, e gjitha kjo shtjellet e shtjellohet para e pas syve të natës, thellë saj në kërthizë e më thellë akoma në... Nuk po e përmend për etikë të arsyeshme.
Gjithçka e vyer lind natën. Ndoshta jo gjithçka e jo përhera. Nata e begatë duket sikur u pëshpërit e u flet më shumë vajzave, nuseve, grave-zonja lakuriq. Nata shpesh u flet djemve, dhëndurëve. Burrave më pak. Burrat shfryhet e ngopen gjithë epsh, lajkatojnë çastet bashkëshortore dhe u kthejnë kurrizin atyre. Nata, më pak, u pëshpërit të moshuarave. Të moshuarat i flasin më shumë e më gjatë natës.
Natës nuk ndodh asnjë aksident ose ndodhin fare pak. Nata, e gjitha, gulçon nga aksidentet. Nga përvoja e natës secili ka nxënë ose do të nxerë shumë të vërteta, që nuk i trembën errësirës. Shpesh, hyjmë dhe dalim nga errësira, e cila duket sikur jeton vetëm natyrë nate. Ajo valëzon edhe kërcimtare e ditës. Errësira nuk ka faj, fajtorë jemi ne, është kushdo. I pari ndoshta unë, gjithandej me britma e të kërcitura në pikë të mendimit qytetar, me shpejtësi marramendese sa edhe policit rrugor i fluturon kapelja demo-sociale e ligjit.
.
*
(Ti e di, Enrietë, e di, më mirë tani se kurdoherë. E shkuara nuk kthehet prapthi. E shkuara, mëngë e grisur jete, nuk arnohet. Secili jetoi të shkuarën me drojen e çdo dite. Vet ëndërrimi jeton droje e përhershme, luhatje, krahërim, hutim e kërcim, kërcim dehes, plagosës.
E shkuara në të shkuarën jetoi valë-valë, hareshëm rrokopuje plot dalldi, orkestër dhe yje, yje të cilët asnjëherë unë nuk i pashë si yllësi. Por asnjëherë nuk e braktisa qiellin.)
*.
Enrietë, ti je e shkuara në të tashmen. Ndoshta, e tashmja jote do jetojë më gjatë në të nesërmen. E shkuara e të gjithëve, jo e të gjithëve, e shkuara jonë brez, jo brez për të gjithë, por e shkuara ime dhe jotja jetuan më pak, ndoshta shumë më pak se ç'duhet si fëmijëri dhe rini.
Por ka dhe një të shkuar tjetër të bjerrë dhe kërcënuese, e cila sot fsheh vetëm hundën e saj. Sytë i ka të zgurdulluar akoma, disa sy të saj janë miklues, veshët i ka dy pëllëmbë për të dëgjuar ç'thonë ende të shkuarit e saj për të sotmen e të sotmit. Ç'është më e këqja e shkuara ka gojë akoma të madhe. Të tanishmit gojë më të uritur ...
*.
Si s'u takuam nj'iheri gjersa jemi dashtë vocërrakë të rinj ? Ditur e paditur ç'është puthja...Secili, ndoshta, dashuronte diku tjetër...
Po kapërcej, ndërkohë, jo me fluturime as këmbadoras, as pupthi. Po kapërcej jo nga një rrugë në tjetrën, po kapërcej jo nga gjysmëhëna në kryq, po kapërcej më të kapërcyeshmen, ndërkohë që të gjitha i kapërceva përkrah teje.
Përkrah teje? Jo, asnjëherë përkrah teje. Përhera përkrah të gjitha vajzërive.
Kohë pas kohë Ti ishe dhe s'ishe paksa Shpresë. Jo shpresë besimi. Shpresa vajzë aq vajzërore nga Lezha, në jetën time studentore m'u bë e afërt, shumë e afërt. Oh, sa e donim njëritjetrit. Kurrë për t'u joshur. Ne donim më tepër vargun se flakërimin.
Gjer këtu ti më duheshe Enrietë. Më pas kaploi harresa e secilit pa të keq. Nuk u turbullua asgjë prej meje, prej teje. As nga motra ime (jo e gjakut) Shpresa...
*.
Përsëri po kapërcej ndërkohë.
Si ia dëgjuam zërat pas gjysmë shekulli njeri - tjetrit Enrietë - Shpresë ?
Në një nga ditët e këtij prilli Enri të përcolla Librat e mi me postën e mëngjesit. Dhe prita të më telefonoje.
Zilja e telefonit mbushi mushkëritë me ajër kur dëgjova zërin tënd :
"po, po tani të kuptova, po, po do vij tek koncerti. Mezi të mora vesh s'e s'më lë rehat as ai...ai Golja nga Durrësi....
Sa e bëftë kjo ligjëratë...
Po, po - t'u gjegja unë shpejt - Golja jam... dhe ta mbylla telefonin.
Ku ta gjeja Enrin e dikurshëm në të tashmen? Ajo fare rastësisht, më telefonoi mua ose u ngatërrua vetvetiu keqas në linjë.
Përsëri më ra zilja. Më mërziti cicërima e saj. E ndeza telefonin dhe nuk prita të fliste poetesha e fëmijërisë.
-Po, po, Golja jam, më falni, se ju cënova kohën - dhe e mbylla telefonin.
M'u bë sikur një qenie e shpërfytyruar gllabëroi kohën time, kohën tonë të së shkuarës.
Enrieta nuk është ndonjëherë Shpresë. Shpresa s'ka per ta njohur kurrë shoqen time të së shkuarës. Natyrisht, vetëm në të shkuarën...
Ja, kjo e gjitha... Plot fate. Unë, ngahera, jetoj në bregdet, poetesha e fëmijërisë në kryeqytet, Shpresa në Paris. A do takohemi ndonjëherë bashkë, ndonjëherë çift, veç me veten. ?
Sikur u takuam ...ëndrra por edhe kujtesë...








Bukur. Urime. Një stil i veçantë të prozës, ku ka shumë thyerje fjale dhe mendimi, ndaj duhet kujdes në të kënduarit e çdo fjalie