Fatmir Terziu: Artisti jeton me artin e tij
- 55 minutes ago
- 5 min read

Fatmir Terziu: Artisti jeton me artin e tij
Postimi i poetit dhe studiuesit vlonjat Albert Habazajt më preku sot jo vetëm për dhimbjen e kujtimit, por edhe për një të vërtetë të madhe që arti e di më mirë se çdo fjalë tjetër, artistët nuk ikin plotësisht. Ata mbeten. Kjo dihet sepse e kemi cituar disa herë se ka kujtime që nuk vijnë vetëm për të na trishtuar. Vijnë për të na kujtuar se jeta e një njeriu mund të jetë shumë më e gjatë se vitet që ai ka jetuar. Prandaj, postimi i poetit dhe studiuesit vlonjat Albert Habazaj për vëllanë e tij, artistin Genci Habazaj, më preku pikërisht për këtë arsye. Në heshtjen e një ekspozite të vogël, në disa piktura të ruajtura me dashuri dhe në portretin e tij të realizuar nga piktori e kritiku i njohur Ilmi Bani, duket sikur koha ndalet dhe artisti rikthehet mes nesh. Ndoshta ky është një nga misionet më të bukura të artit: të mos lejojë që njeriu të harrohet. Një pikturë mbetet kur zëri hesht, një varg mbetet kur autori nuk është më, një libër vazhdon të flasë edhe atëherë kur duart që e shkruan nuk mund ta prekin më. Prandaj, sa herë kujtojmë një artist, duhet ta themi së bashku: artisti jeton me artin e tij.
Genci Habazaj kujtohet sot nga i vëllai me dhimbje, por edhe me krenari. Dhe bashkë me të kujtohet edhe miku i paharruar Ilmi Bani. Sepse arti ka këtë fuqi të rrallë, i bashkon njerëzit edhe përtej jetës, i mban emrat të gjallë dhe ua dorëzon kujtimin brezave. Ndoshta kjo është pavdekësia më e bukur që mund t’i dhurohet një artisti: të mos jetë vetëm një emër në kujtesën e familjes, por një prani nëpërmjet veprës. Sot, përballë këtyre pikturave, nuk kemi thjesht një kujtim. Kemi një dëshmi. Dhe dëshmia është e qartë: njeriu largohet, por arti i tij mbetet; trupi hesht, por vepra vazhdon të flasë. Dritëroftë kujtimi i Gencit dhe i Ilmiut, në dritën që vetëm arti di të ndezë e ta mbajë ndezur.

Shtoj se postimi i Albert Habazajt më preku sot në një mënyrë të veçantë. Jo vetëm për dhimbjen e kujtimit të vëllait të tij, por edhe sepse, përmes atyre pikturave të ruajtura me dashuri, zbulova një emër artisti që duket se ka lënë pas një botë të tërë ngjyrash. Genci Habazaj nuk ishte thjesht një piktor që merrej me penelin; ai ishte një vëzhgues i hollë i fytyrës njerëzore, i shprehjes dhe i karakterit. Portretet e tij, për aq sa mund të kuptohen nga ato që janë bërë publike, dëshmojnë një talent të veçantë për ta kthyer fytyrën në një rrëfim. Në portretet e realizuara prej tij për njerëz të njohur, familjarë e të tjerë, duket sikur peneli nuk kërkon vetëm ngjashmërinë fizike. Ai kërkon njeriun përtej fytyrës, atë dritë të brendshme që shpesh një fotografi nuk arrin ta kapë. Kjo është arsyeja pse portreti mbetet një nga sprovat më të vështira të pikturës: të pikturosh një fytyrë është të përpiqesh të pikturosh një jetë. Dhe kur një artist arrin ta bëjë këtë, ai nuk krijon vetëm një imazh, por ruan një kujtim.
Por bota krijuese e Gencit, siç dëshmojnë edhe punët e paraqitura, duket se nuk është kufizuar vetëm te portreti. Në krijimtarinë e tij gjejmë edhe piktura abstrakte, profesionale dhe qasje postmoderne, ku forma, ngjyra dhe hapësira duket se çlirohen nga kufijtë e një realiteti të drejtpërdrejtë. Kjo larmi tregon një artist që nuk është mjaftuar të riprodhojë atë që shihte, por ka kërkuar edhe të shprehë atë që ndiente dhe mendonte. Nga fytyra njerëzore te abstraksioni, nga kujtesa te përfytyrimi, peneli i tij duket se ka kërkuar gjithmonë një mënyrë tjetër për të folur. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi i bukur i kujtimit të Albertit. Ai nuk na kujton vetëm një vëlla të paharruar; na sjell përpara një artist që duhet parë përmes veprës së tij. Sepse artisti nuk mbaron aty ku mbaron jeta. Ai vazhdon të jetojë në portretet që ka lënë, në ngjyrat që ka zgjedhur, në format që ka krijuar dhe në emocionin që zgjon te një njeri që i sheh ato edhe shumë vite më vonë. Genci Habazaj jeton me artin e tij. Dhe sa herë që një penel i tij takohet me syrin e dikujt, ai kujtim merr përsëri frymë.
Fjalët e Albert Habazajt për vëllanë e tij, Genciun, janë nga ato që nuk mund të lexohen thjesht me sy. Ato lexohen me shpirt. Brenda tyre është dhimbja e një vëllai që humbi njeriun e tij të dashur, por edhe krenaria për një jetë që, pavarësisht se u ndërpre mizorisht, kishte ditur të ndërtonte, të krijonte dhe të linte gjurmë. Genci ishte piktor, sportist dhe ndërtues; një njeri që, siç dëshmon Alberti, e merrte punën në sy dhe e përmbushte me dinjitet, përgjegjësi, zotësi e bujari.
Por ajo që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte artisti Genci. Dy ekspozita të hapura përpara emigrimit në Itali dëshmojnë se piktura nuk ishte një kalimtar i jetës së tij, por një pjesë e qenies. Dhe sot, pas kaq vitesh, familja çmallohet me të përmes pikturave që ai la pas. Ky është një nga misteret dhe njëkohësisht mrekullitë e artit: dora që nuk mund të pikturojë më, vazhdon të flasë përmes asaj që ka krijuar. Fytyrat, ngjyrat, format dhe hapësirat e tij mbajnë ende diçka nga prania e artistit.
Albert shkruan një fjali që mbetet gjatë në mendje: “s'të kam, por të kam.” Ndoshta kjo është mënyra më e saktë për të përshkruar jetën e një artisti pas ikjes së tij. Nuk e ke më pranë, nuk ia dëgjon zërin, nuk mund t'i shtrëngosh dorën, por e gjen në veprën që ka lënë. E gjen në një portret, në një pikturë, në një ndërtesë të ngritur me duart e tij, në kujtesën e njerëzve që e njohën dhe në fëmijët që mbajnë emrin, gjakun dhe kujtimin e tij. Edhe portreti i Gencit, i realizuar nga mësuesi i tij, piktori Ilmi Bani, bëhet një tjetër urë mes kujtesës dhe përjetësisë.
Ndoshta kjo është ajo që duhet ta themi gjithmonë kur kujtojmë një artist: artisti jeton me artin e tij. Koha mund ta largojë trupin, por nuk mund ta largojë gjurmën e krijuesit. Genci Habazaj u bë, siç shkruan vëllai i tij, “39 vjeçar i përjetshëm”; por përjetësia e tij nuk është vetëm në dhimbjen e familjes. Është edhe në artin që la, në punën që ndërtoi, në kujtimin që ruhet dhe në emocionin që zgjon sot. Dhe ndoshta pikërisht aty fillon jeta e dytë e artistit: aty ku njeriu nuk është më pranë nesh, por vepra e tij vazhdon të na thotë se ai ka qenë, ai është dhe, përmes artit të tij, ai do të jetë.








Comments