Fatmir Terziu: A po bëhet Fushë Studna Porta e Gollobordës?
- 2 hours ago
- 3 min read

A po bëhet Fushë Studna Porta e Gollobordës?
Shumë vite më parë, ajo ishte më tepër një stacion i udhëtarëve dhe i shoferëve që përshkonin rrugët e malësisë, veçanërisht atyre që transportonin me kamionë e mjete të kohës trupat e drurit drejt Kombinatit të Drurit në Elbasan. Aty ndalej për një drekë, për një darkë, për një kafe të shpejtë. Në sfond ishte jeta e kooperativës, patatja, puna e tokës dhe ritmi i një ekonomie që sot duket si një kujtim i largët. Fushë-Studna ishte një vend ku kalohej. Sot, gjithnjë e më shumë, po bëhet një vend ku shkohet. Ky ndryshim nuk është thjesht një çështje turizmi. Është një ndryshim i mënyrës se si një territor fillon ta lexojë veten dhe se si të tjerët fillojnë ta shohin atë. Fushë-Studna po del nga anonimati i një hapësire rrugore dhe po merr një identitet të ri, të lidhur me natyrën, qiellin, malet dhe përvojën turistike. Dhe kur një vend fillon të tërheqë njerëz jo sepse duhet të kalojnë aty, por sepse duan të shkojnë aty, atëherë ka nisur një histori tjetër.

Një fakt i kohëve të fundit e dëshmon këtë kthesë. Mariglen Disha, gjatë një vizite në Fushë-Studën, ka parë nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e Observatorit Astronomik, një investim që synon t'u japë të apasionuarve pas astronomisë mundësinë të vëzhgojnë yjet në një prej zonave me potencial të madh për këtë aktivitet. Nuk është rastësi që ky objekt lidhet me Festivalin e Yjeve, që zhvillohet çdo vit në Fushë-Studën. Këtu nuk kemi më vetëm një pikë të bukur malore ku ndalemi për të ngrënë apo për të kaluar natën. Po ndërtohet një përvojë e re: të shohësh qiellin, të dëgjosh heshtjen e malit, të ecësh në natyrë dhe të zbulosh një territor që deri dje ishte më shumë i njohur nga banorët e zonës sesa nga turistët. Dhe pikërisht këtu lind pyetja: a po bëhet Fushë-Studna Porta e Gollobordës?

Unë do të thosha se po, por me një kusht, që këtë mundësi ta kuptojmë jo vetëm si sukses të një fshati apo të një investimi të veçantë, por si mundësi për të gjithë Gollobordën. Porta nuk ka vlerë vetëm sepse hapet; ajo ka vlerë për atë që të çon më tej. Nëse Fushë-Studna arrin të shndërrohet në pikën e parë të orientimit për vizitorin, atëherë pas saj duhet të hapet një hartë e tërë e Gollobordës, fshatrat, rrugët e vjetra, peizazhet, traditat, kuzhina, kujtesa, njerëzit dhe ato histori të vogla që nuk gjenden në broshurat turistike, por që e bëjnë një vend të paharrueshëm. Ka edhe një dimension tjetër që nuk duhet harruar. Golloborda nuk është vetëm natyrë. Është kujtesë. Është një hapësirë ku historia dhe jeta njerëzore janë ndërthurur për breza. Prandaj turizmi nuk duhet ta shndërrojë këtë trevë në një dekor të bukur për fotografi. Përkundrazi, duhet ta ndihmojë atë të tregojë historinë e vet. Një turist që vjen për yjet duhet të largohet me diçka më shumë se një fotografi të qiellit. Duhet të marrë me vete një histori, një shije, një emër, një kujtim dhe dëshirën për t'u kthyer.

Observatori Astronomik mund të jetë një pikë e rëndësishme në këtë rrugëtim. Por edhe Parku Kombëtar “Shebenik” është një pasuri që e rrit këtë potencial. Kombinimi i natyrës, qiellit të pastër, turizmit malor dhe aktiviteteve astronomike mund ta vendosë Fushë-Studën në një hartë shumë më të gjerë se ajo rajonale. Nëse infrastruktura shoqëruese zhvillohet me kujdes, nëse rrugët, mikpritja, bujtinat, gastronomia dhe shërbimet ecin në të njëjtin drejtim, atëherë ajo që sot duket si një fillim mund të kthehet në një model zhvillimi. Por duhet edhe një kujdes: mos ta humbasim Fushë-Studën duke e zhvilluar Fushë-Studën. Ky është paradoksi që duhet shmangur. Turizmi që shkatërron natyrën, ndërton pa kriter dhe e zëvendëson karakterin e vendit me ndërtime pa identitet, në fund e ha vetveten. Bukuria e Fushë-Studnës

nuk është vetëm ajo që mund të ndërtohet atje. Është ajo që ekziston tashmë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse kujtimi i vjetër i shoferëve të druve nuk duhet harruar. Ata ndalonin dikur aty për një vakt, sepse rruga i detyronte. Sot njerëzit mund të vijnë për një arsye krejt tjetër: për yjet, për malin, për ajrin, për natyrën, për një fundjavë ndryshe. Nga stacion dreke e darke, Fushë-Studna po përpiqet të bëhet stacion ëndrre.
Dhe nëse kjo ëndërr vazhdon të ndërtohet me mendje, me respekt për natyrën dhe me dashuri për vendin, atëherë ndoshta pas disa vitesh nuk do të pyesim më: A po bëhet Fushë-Studna Porta e Gollobordës? Do të themi thjesht: Porta ishte aty. Ne vetëm mësuam ta hapnim.








Comments