top of page

Vasil Premçi: Udhëtimi i poezisë moderne mbi shtratin e poezisë lirike popullore

  • 1 hour ago
  • 8 min read

Ese

Nga Vasil Premçi

Me sa duket, në pranverë nuk ndodhin vetëm vërshimet e lumenjve, por edhe vërshimet e poetëve. Këtë pranverë poeti Fatmir Musaj erdhi para lexuesit me shtatë vëllime poetike: Anonimi i artë, Barbiky, Ditë pas dite, E di një shteg, Haiku – Vlagë e mëndafshtë, Poetikë yjesh dhe Njeriu i pamundur. Dhe siç shprehen elbasanasit, nuk po "cysim" më tej projektet e vëllimeve poetike të Fatmirit.

Një ardhje e tillë nuk është e zakonshme. Shtatë vëllime brenda së njëjtës stinë dëshmojnë jo vetëm për një prodhimtari të pazakontë krijuese, por edhe për një botë poetike që duket se e ka të vështirë të heshtë. Tematika e këtyre librave është e gjerë, me ngjyrime e refleksione të ndryshme mbi jetën, njeriun, dashurinë, historinë, kujtesën dhe absurditetet e përditshmërisë.

Por, mes shumë veçorive që e dallojnë poezinë e Fatmir Musajt, njëra më duket më e veçantë: marrëdhënia e saj me poezinë lirike popullore.

Çdo poet i vërtetë ka një "çehre" dhe shenjë dalluese të veten, një mënyrë krejt personale për ta parë dhe për ta shprehur botën. Fatmir Musain e dallon pikërisht kjo prirje për t'u mbështetur në një trashëgimi të vjetër poetike, por pa mbetur rob i saj. Ai i afrohet poezisë popullore jo si një imitues, por si një krijues që kërkon në detin e paanë të poezisë popullore, "peshkun e artë", lëndën e gjallë për poezinë e sotme.

Këtu qëndron edhe veçantia e këtij udhëtimi: nga shtrati i vjetër i këngës popullore drejt një poezie që flet me gjuhën e kohës sonë.

Poezia popullore shqiptare ka ruajtur, në shekuj, një pasuri të jashtëzakonshme ritmesh, figurash, përsëritjesh, formulash, thirrjesh dhe mënyrash të të shprehurit. Ajo ka kënduar dashurinë dhe mallin, ndarjen dhe humbjen, trimërinë dhe fatkeqësinë, por edhe jetën e zakonshme të njeriut. Në të, fjala është e lidhur ngushtë me zërin, me ritmin dhe me kujtesën.

Musaj merr prej kësaj bote disa nga këto elemente,të cilat nuk i lë aty ku i gjeti. Ai i zhvendos në një kontekst tjetër. I fut në një kohë tjetër. Dhe pikërisht në këtë zhvendosje fillon poezia e tij.

Një shembull i qartë është poezia “Ku... ku...?!”

“O postë më postë

Kartë të dërgoj...”

Nga folklori

Ç'hall i madh e kishte zënë

Për Jasminën tej në lëmë?

Tak me sy, tak me qepallë,

Veç i rritej mall i valë.

Deri sa ndodhi hataja,

U zhduk vasha si sermaja!...

Shkroi karta një vandak,

Postë më postë ia çoi varg.

Po veç era si zezonë

Seç i 'gjegjej me jehonë!

Ca habere fort të lashta

Ngriti lart si tym nga kashta.

Porsi ujku i pangrënë

Sokëllinte ndënë hënë.

Thirr Jasminë e Jasminë s'ka

As me këngën majëkrah!

As me zogj e as me kartë,

As me hënën nëpër natë.

Edhe plasi, s'di se ku,

Pëllumb poste – guguftu!

... Një Jasminë kërkon: Ku-kuuu?...

Postë më postë e dru më dru!

Kjo poezi na tregon qartë se si funksionon marrëdhënia e Musajt me folklorin. Ai nuk e fsheh burimin. Përkundrazi, e vendos atë në krye të poezisë: “Nga folklori”. Por pastaj nis ndërhyrja krijuese.

Ritmi i këngës popullore ruhet. Përsëritjet ruhen. Thirrmat ruhen. Edhe atmosfera e një dashurie të largët, e një vajze që humbet dhe e një të dashuruari që e kërkon, i përket botës së këngës së vjetër. Por mbi këtë shtrat ndërtohet një poezi e re.

“Postë më postë” përsëritet si një refren. “Ku-kuuu?” shndërrohet në një thirrje që bashkon njeriun me natyrën, kujtesën dhe mungesën. Ndërsa në fund, “pëllumbi i postës” krijon një figurë njëkohësisht komike dhe të dhimbshme. Kështu, një motiv i vjetër merr një frymë të re.

Kjo nuk është plagjiaturë. Është rikrijim.

Studiuesi dhe shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges ka folur në mënyrë të veçantë për marrëdhënien e krijuesit me veprat paraardhëse dhe me traditën. Një vepër e re nuk është domosdoshmërisht përsëritje e asaj që ka ekzistuar më parë; krijuesi mund të ndërtojë mbi një ide të njohur një kat tjetër, një kuptim tjetër, një botë tjetër. Pikërisht kjo ndodh në poezinë e Musajt: ai nuk e kopjon këngën popullore, por ndërton mbi të një poezi tjetër.

Kjo është arsyeja pse do të ishte më e drejtë të flisnim për vazhdimësi krijuese të traditës, sesa për ndikim të thjeshtë folklorik.

Semafori i së vjetrës dhe drita e së resë

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mënyre krijuese është poezia “Semafor i hershëm”.

Vetë titulli është domethënës. “Semafori” është një fjalë e botës moderne, qytetare, teknike. Ndërsa brenda poezisë dëgjojmë menjëherë gjuhën e këngës së vjetër:

Kjo sevdaja jote

Më shtiu në dhe,

Halli përmbi hall,

Hanko Selime!

Ti kërkon fustan,

Unë s'kam me se!

... Urës së Qabesë

Nuk mbeta nizam,

Për një pendë qe

S'shitet një jaran!

Unë s'kam me se,

Ti kërkon fustan!

... Shpirtin ty ta dhashë,

Pa kapar, fajde,

Mos më ha si mola,

Si krimbi nën dhe!

Ti kërkon fustan

Të bësh hergjele!

... Historinë tonë

Askush nuk e ble',

Livadhis pa frerë,

Murga Selime!

Që kërkon fustan,

Unë s'kam me se!

Këtu poeti bën një ndërthurje shumë të zgjuar të kohëve.

“Sevdaja”, “jarani”, “nizami”, “fustani”, “Hanko Selimja” na çojnë në një univers të largët gjuhësor e kulturor. Por “semafori” i titullit na e sjell menjëherë këtë univers në të tashmen. E vjetra dhe e reja nuk qëndrojnë pranë njëra-tjetrës si dy objekte muzeale; ato hyjnë në një marrëdhënie të gjallë.

Kjo është një nga meritat e poezisë së Musajt: ai e modernizon traditën pa ia hequr shijen e saj të vjetër.

Në të njëjtën kohë, ritmi i vargut, përsëritja e frazave dhe dialogu “Ti kërkon... / Unë s'kam...” e bëjnë poezinë të tingëllojë. Është një poezi që jo vetëm lexohet, por edhe dëgjohet.

Dhe kjo është një cilësi që poezia moderne shpesh e ka humbur: muzikën e fjalës.

Nga dervishi i dikurshëm te astrologu i sotëm

Një tjetër shembull interesant është poezia “Astrologji”, e cila nis me një fragment që tingëllon si një këngë e vjetër korçare:

“Ka zbritur ndë Korçë

Një Dervish Ali,

I ulur mbi skamje

Shkruan hajmali,

Ca i bën për ethe,

Ca për dashuri.”

Popullore, Korçare

Një Dervish Ali me mjekërr të gjatë,

Edhe pa skoli na i çmendi gratë!

Këmbëkryq mbi shilte, ulur mbi skamje,

Vizaton ca vemje marrë në Edrene.

I varin në qafë gratë me përdëllim,

Çupat në mes gjinjve i fshehin si krim.

Cave tartakuti ethe se ç’u kall,

Ca i zë skorbuti me dhëmbë e dhëmballë!

... Po dervishi ynë sot ka epilog,

Ka disa diploma dhe është astrolog!

Këtu ndodh diçka edhe më interesante.

Musaj nuk merret vetëm me një figurë të së kaluarës. Ai e përdor atë figurë për të parë të tashmen. Dervishi që dikur shkruante hajmali për ethe e dashuri, në fund shndërrohet në astrologun modern.

Kështu, koha ndryshon, fjalori ndryshon, mjetet ndryshojnë, por nevoja njerëzore për të kërkuar një shpjegim të fatit mbetet.

Ironia e vargut të fundit është e dyfishtë. Dervishi i dikurshëm kishte hajmalitë e tij; astrologu i sotëm ka diplomat e tij. Bota duket sikur ka ecur përpara, por besimi te parashikimi i fatit vazhdon të jetojë.

Kjo është një mënyrë shumë e bukur për ta kthyer folklorin në kritikë të kohës.

Kur e qeshura fsheh dhimbjen

Poezia e Musajt nuk kufizohet te folklori si formë. Ajo merr prej tij edhe një mënyrë të veçantë për ta përballuar jetën: humorin.

Në poezinë popullore shqiptare, e qeshura shpesh është një mbrojtje përballë fatkeqësisë. Njeriu tallet me hallin për të mos u mposhtur prej tij. Kjo frymë gjendet edhe te Musaj.

Në “Humor i zi”, për shembull:

Më thotë gruaja: – More burrë,

Si mënjanë s'vure një lek?!

I them prerë: – Kam damkë një vulë

Që më thotë “S'mban qeni brekë!”

– Kur të iki nga kjo botë, mos u frik,

Se nga darovat do të dalësh jek e jek!

Këtu e qeshura nuk është qëllim në vetvete. Ajo fsheh një realitet të hidhur. Varfëria, pamundësia dhe pasiguria e jetës shfaqen përmes një humori që e bën dhimbjen më të durueshme.

Në këtë kuptim, Musaj është afër një tradite të vjetër shqiptare: të qeshësh edhe atëherë kur nuk ke arsye për të qeshur.

“Ndjesë, nana Nepit!” – tragjedia e përditshmërisë

Nëse “Humor i zi” e mbështjell dhimbjen me të qeshur, “Ndjesë, nana Nepit!” e sjell atë pothuajse të zhveshur.

Kaloi një vit dhe dot s'ta bëra varrin,

S'më la “Buka e Përditshme” që duhej të haja sot!

... Më marrtë dreqi dhe mua hallemadhin,

Harrova se përditshmëria s'matet me lotë!

Ndjesë, Nana Nepi

Që më prite motmot!

Kjo poezi e shkurtër ka një ngarkesë të madhe njerëzore.

“Buka e përditshme” këtu nuk është më thjesht buka. Ajo është metafora e jetës që duhet vazhduar edhe kur njeriu ka humbur dikë të dashur. Përditshmëria nuk ndalet përballë vdekjes. Njeriu duhet të hajë, të punojë, të jetojë, edhe kur brenda vetes mban një varr.

Këtu poezia popullore dhe ajo moderne takohen në një pikë tjetër: te dhimbja e njeriut të zakonshëm.

Poezia si kandar i kohës

Edhe në poezinë “Me kandar e me karar...!”, Musaj e përdor një simbol të vjetër për të folur për një shqetësim krejt bashkëkohor: drejtësinë.

Emblema e admirueshme e drejtësisë,

Ajo gruaja me peshore e shpatë në dorë,

A nuk do të ishte simbol i mirësisë

Të ishte pa sy të lidhur e të ikte qorr?!

Se me sy të lidhur ecet fare pak

E vërtetë mund të godasësh çdo korrupsion,

Po kështu bëhemi robotë pa psikologji

Ku të thatët djegin dhe një të njomë!

... Hiqe fashën e syve, Drejtësi,

Mos ki frikë të më shohësh edhe si Njeri!

Këtu poeti largohet dukshëm nga tema folklorike, por jo nga mënyra e tij e të menduarit. Ai merr një simbol të njohur – gruan e drejtësisë me peshore e shpatë – dhe e vendos përballë realitetit të sotëm.

Ironia bëhet mjet kritik. Poeti nuk predikon; ai pyet. Dhe pyetja poetike është shpesh më e fortë se një deklaratë.

Një poezi që nuk e harron shtegun

Në poezitë e Fatmir Musajt, tradita nuk është një stacion ku poeti kthehet për të pushuar. Ajo është një shteg nëpër të cilin ai kalon për të arritur diku tjetër.

Prandaj, do të ishte e pamjaftueshme të thuhej vetëm se Musaj përdor struktura të poezisë popullore. Më e rëndësishme është të shihet se çfarë bën ai me to.

Ai merr ritmin dhe e çon drejt ironisë.

Merr formulën popullore dhe e çon drejt humorit.

Merr figurën e vjetër dhe e përball me të sotmen.

Merr këngën e dashurisë dhe e shndërron në një reflektim mbi mungesën.

Merr një motiv historik dhe e përdor për të folur për të tashmen.

Merr gjuhën popullore dhe e vendos pranë fjalës moderne.

Kjo është arsyeja pse poezia e tij nuk duket si një kthim pas. Përkundrazi, ajo ecën përpara duke marrë me vete një pjesë të së kaluarës.

Edhe në poezitë “Durim Malli” dhe “Astrologji”, si dhe në shumë të tjera, ndihet kjo përpjekje për ta ruajtur një ligjërim të njohur poetik, ndërsa brenda tij të vendosen shqetësime, ironi dhe përvoja të kohës sonë.

Në këtë pikë, titulli i kësaj eseje merr kuptimin e plotë.

“Udhëtimi i poezisë moderne mbi shtratin e poezisë lirike popullore” nuk është thjesht një metaforë. Është një mënyrë për të kuptuar një nga tiparet e rëndësishme të poezisë së Fatmir Musajt.

Shtrati është i vjetër, por lumi është i ri.

Kënga është e hershme, por zëri është i sotëm.

Fjala mund të vijë nga një botë e humbur, por shqetësimi që ajo mbart i përket njeriut të sotëm.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron sekreti i kësaj poezie: Musaj nuk shkon te poezia popullore për të gjetur të kaluarën; ai shkon atje për të gjetur një gjuhë me të cilën mund të flasë për të tashmen.

Tradita, kur mbetet vetëm përsëritje, kthehet në muze. Por kur një poet i vërtetë e prek, e përthyen dhe e rikrijon, ajo bëhet përsëri e gjallë.

Në poezinë e Fatmir Musajt, kënga e vjetër nuk ka pushuar së kënduari. Ajo ka ndërruar zë

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page