Ruzhdi Gole: Dymbëdhjetë skica
- Aug 13, 2025
- 3 min read

Skica e parë.
Drejtshkrimin pa e parë
shkrova shpejt :
1 gisht 2025.
Gishti m'u drithërua,
një verige fjalësh
voli në ajër.
N'ajër gishti shkroi fare lehtë :
1 gusht ... valavitje zjarrmi,
gjumë ariu rrufetë ...
Skica e dytë.
1.
Njeriu ... i këtushmi, tejmi,
toka plot re toka dhe ne
vraga - vraga rrudhuri
atje lart vetëm atje
me një pendë qe
i kaltëremi.
Mbarë gjithçka merrjani qiellit
jepjani tokës topolake ngrys
përmbys,
përmbys,
përmbys.
2.
Toka ... e dehur përdhe,
vraga - vraga resh
i kaltëremi lëron
me një pendë
ere të re.
Më i këtushëm po bëhet qielli
mëngjezor i ri i padukshëm,
toka afër, e përtejme
më rrallë topolake
shpesh e thukët.
Skica e tretë.
Mesnata shpejt u mbyll ndër njerëz,
ciflat e territ krahët shkundin
qytetit i bien butë në prehër.
Terri qetë shtrihet
urtë e më urtë,
Sytë ngadalë
i mbyll
gjumi
me nektar në buzë.
Bleta ëndërr
vetiu çel
zemër.
Skica 4.
Asnjë valë s'është e çalë
asnjë vreshtë
memec,
dehemi për shkumën amë
gjethojmë (edhe) vyshkjen
në kokërr të rrufesë.
Skica 5.
Përvëlim 40 gradë,
qytet lëkurthari
xixa shumë
ujë guak.
Shalëgjati qen
rropullitë e rrugës
kafshon me lehje, therrmë.
Në tregun shamata të mesditës
monedhat rrudhen ofshajnë
vyshken gishtrinjtë.
Përvëlim 40 gradë,
gjethe zjarrmi
po na mbijnë
në kafkë.
Skica 6.
Alaskë...
Memece goja,
goja me rrasë.
Çlirohemi kur vetëm mbetemi,
çlirohemi shkronjë dhe letër ? -
Gjithçka lamë pas n'afrohet
ose na la verbër shurdhak
në ishullin e një tjetri
me zog në qiellzë.
Gjuha tret mardhjet...
i tret Alaskë ?
Dimri shkon ...
dimërimi
vjen
pas.
Skica 7.
Jeta plot perla të kthjellëta,
njeriu një perlë tek vetja
kuq skuq prarimesh
pak frushullon
pendesash.
Trazimeve ... perla gjepurash.
Skica 8.
Premtimi buit syth gjethëz
për t'u harlisur duhet
një krisnajë çudish
n'ajri jo në eshtër.
Krisma nuk duhet
krisma s’ka pakt,
i vetëtimthi prush
nga zemra të pihet
zemra tek buit e çilet
në vend t’pihet për gjak.
Premtimi syth
gjethëz buit
harliset fëmijërisht.
Skica 9.
Tri gra
burravdekur
e marrin ditën
si t'ju vij përkrah
pikë loti gaz feksur.
Për burrat e tyre beg bela
hir e hirtë lotojnë ikonat
më shumë se ato
më pak se ato
tri gra, vejusha zonja.
Skica 10.
Vala lëndoi brinjët në breg,
asnjë ofshamë, asnjë pikë loti
një re sa ia behu turbullt brengë.
Nga ç'degë ylli u k'put kjo re puplore
nga cila greminë e re ujore ia befi,
drita doli prej shkumës syth loti
rrezet syzuan fenera dore
për rendjet, rendësit.
Vala në breg
nga qiejt lëndohet
përtërihet nga qiejt.
Skica e njëmbëdhjetë.
Trazohem
nga rrezja e vyshkët
nga shiu i ecjes thukët,
gëzohem nga zogu filolog,
zogut i jap mollëzat të shkruaj
s'm'i çukit, s'është grykës
zogut i marr
të butët
thonj.
Gjithandej hepohem
nga shiu i vyshkët
nga vreshti
i rrezes
lypës.
Skica e dymbëdhjetë.
Sytë, në ëndrra, vjelin fruta.
Pylli ëndërron pemë
më të larta, kafshë
më të buta.
Përreth
ëndërrojmë
ndez fik ndez fenerët,
të tjerët flejnë tek ne pa pupla
ne zgjohemi vetvetja
tek të tjerët...
Endrrat në sy shohim hyj...









Comments