Ruzhdi Gole: ATME ... ME PAK
- Jul 15, 2025
- 2 min read

ATME ... ME PAK
(cikël poetik)
Vijëz’
Njerëz takoj...pemë, valë rrebesh,
njerëzit pemë e valë rrebeshi
q'ecin përpara meje shpesh ...
Acar ... flake
Në vendin tim ndoshta dhe tëndin
ndizen e rrallë digjen gënjeshtrat,
zbardh’nxijnë shpesh të vërtetat.
Duart flakshëm përplasen
acartë përndiqen këmbët,
rrasat tona këmbanore
rrrëzëllimat, rropullitë
rrëngjethja ... syzojnë
kthjellët vëngërt...
N’vendin tënd,
ndoshta
timin...
Ndërsjell
Atdheu na do dhe kur ne s'e duam.
Na përkëdhel plot shuplaka
t’lehta, të ashpra e t’buta.
Atdheu na do dhe kur ne s'e duam.
Rrebeshtë
Mali migjenian qesh, diç hareshëm -
Një ditë e qeshura i vyshket
brohoritje rrebeshtë
hov gëzueshëm
ngjethshëm...
Gaz
Atdheu më agmon
përkrah vrenjtur,
lart qiellor
përdhe,
Atdheun duke vjedhur
gajasemi shkrehur
helmët
hare...
Cazë cak
Përherë përjetoj një atdhe të dytë
me kufij dhembshurie cazë, cak,
Një atdhe tjetër me gunga
e bërryla dhe hala në fyt,
ëndërrimtar bredharak.
Ky atdhe fanfarash e plot pranga
ende m'i shurdhon veshët e m'i
mavijos bukurhidhtë ca kyçet..
Përjetoj atdhe të pafajshëm
q’ende më cyt tek atdheu
im ndoshta dhe juaji
më i ri, besimtar
as gjysmëhëne,
as kryqesh.
Përjetoj dhemshuri cazë, cak
përherë, një atdhe endacak...
Thua
Vendi im
i bukur trisht'
gaz thellë, i cekët,
gishti ynë hileqar në risk
drejt tij harkon një shigjetëz...
Hirtë
Kreshta del shëtitje me flutura,
takon shirat, pëshpërimat,
shkund urnat.
Mjaft më, mjaft
me vargmalet
menduar
luftëra.
Kreshta
shëtit me flutura
prej loti, belkëputura.
Gjeth’
Atdheu përtërihet
pak tek të vetët
i gjithi gjallë
jetëz’ pas
pasjetë?!
Ledhatim plage
Atdheu im ... atdheu i tim biri,
kohësisht me tim bir jemi afër.
Mes rreziqeve ne shpëtojmë shpejt njeritjetrin -
Secili, prej nesh, nis mjekon plagimet e veta
të vërteta me dhembshurinë e re të atbirit
të rrënjës e të frutit, puhisë e rrebeshit.
Biri, për mua, kahera, i ngrohti ledhatim,
Vendi më i ri i tim biri mund të jetë
ndoshta (jo përgjithmonë)
vendi im..









Comments