top of page

Rrënjët, damarët, fijet…





Fatmir Terziu


Dje isha në një përkthim. Jo, se ishte ndryshe nga të tjerët, që kisha bërë më parë, por sepse dje, pikërisht dje “rrënjët”, “damarët”, “fijet”, të tre këto fjalë, që kanë të bëjnë me lidhjen tonë të gjakut m’u përballën në një mur mohues. Një mur fjalësh që në thelb kishte: “Nuk më duhen mua ata! Nuk dua të di për asnjë prej tyre… (Në fakt bëhej fjalë për një histori mjekësore dhe pyetje rutinë ligjore mjekësore, ku pyetjet ishin për të afërmit e familjes: Gjyshi/gjyshja, nëna/babai, motra/vëllai).

Dhe përgjigjja mes lotësh (sado të dhimbshme) ishte: “Mos më pyesni për ata!”

Duke mbajtur privacinë, duke mos shkuar në detaje të problemit, duke mos komentuar arsyet, thelbi më duket disi jopërtypës. Problematik? Mosnjohës?

Sidoqoftë…

Ne jemi të lidhur së bashku nga historitë tona, rrjedhtat tona. Ne jemi të lidhur…, nga Historia jonë, rrjedhat tona, tregimet e endura nëpërmjet prejardhjes sonë, kur prindërit tanë flasin për ditët e tyre më të vjetra e më të reja. Ne jemi lidhja, nyja, damarët dhe rrënjët që kemi kohëve të tjera, fijeve që i kemi me Trungun tonë familjar. Aty zë fill jeta … aty trashëgohemi!

Kur jeta e të parëve tanë ishte e kallëzuar nga të Tjerët përpara tyre, e ardhmja ishte gjithçka dhe mbetej gjithçka në veshët e më të rrinjve. Ata flisnin për paraardhësit, miqtë e tyre të vjetër me dhembjen në shpirtin e tyre, por kurrë nuk mohonin Të parët e tyre. Nga kohët kur zemrat e tyre u mbushën me zjarr dhe pasion, duke kaluar nëpër vrimë të gjilpërës një pjesë të jetës së tyre, duke ushqyer kujtimet e mbjella nga bota e dhimbshme rreth tyre, duke frenuar erën në flokët e tyre, aventurat dhe bindjet tek jeta i shpunë përpara, u hapej jeta plot shpresë në zemrën e tyre për të ardhmen.

Ata ndoshta ende flasin atje në qetësinë e tyre shpirtërore për ditët prapa me mjerim. Ndoshta! Ndoshta, ende flasin për ditët me probleme. Për ditët e kohës që jetuan me halle e derte të tjera. Por, jeta është në të njëjtët rrënjë, damarë, fije …, është rrjedha e gjakut. Është jeta në Familje!

Sepse në thelb vetëm idetë e tyre për të ardhmen na duhen si një mendje e ndjeshme, e duhur e re dhe e vjetër, na diktohen si pjesët më emocionuese dhe më reale, si vetë realiteti (edhe pse forma mohuese është absurde, është perverse, është mjaft e dhimbshme, banale). Dhe kur ato janë ëndërra.

Dhe kur ëndërrat dështojnë, ne jemi vazhdimi: rrënjët, damarët, fijet …!

Ndërsa ëndrrat dështojnë dhe shpresat fillojnë të veniten mendjet e tyre veshin rrëfenjat dhe tregimet, dhe fjalët e tyre të çmuara që i ndanin me ne dhe që na dukeshin mjegull mbi tërësinë e moderniteteve dixhitale të kohës që jetojmë duket se diku e mërzisin veshin. E shurdhojnë tërë sistemin tonë dëgjues!

Ndërsa temat fillojnë të çorodisin sistemin tonë dëgjues, si tregime ata dikur konkuruan në botë me krenari, madje dhe në detaje fituan lavdi. E gjithë bota palitej, përkulej dhe madje lëkundej si fije kur lëshohej zëri i mendjeve të ndriçuara shqiptare. Rastet janë shumë!

Dhe ata merrnin duartrokitjet, sikurse ndodhte në skenat e Aleksandër Moisiut, dhe ne duartrokitjet na linin gëzimin e kalimit emocional dhe krenarinë e mbillnim albumeve dhe muzeumeve pos me gëzimin e syve, në jetën që pasonim brezave. Secili prej nesh duhet ta ndjejë këtë.

Çdo moment ne jetojmë me arsyet e mirënjohjes, por kur jetojmë pa mirënjohje çdo gjë është e dhimbshme dhe qesharake, mjaft e frikshme: momente që marrin forma trishtuese mes mohimit të orrigjinës, prindërve, identitetit; momente që të bëjnë të dehur pa pirë kur diktohen si të tilla mohuese, momente ku zëri i të moshuarit të ndjek si mallkim, dhe jashtë këtyre momenteve janë dhe zërrat që na nxisin me zjarr që të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e rrënjëve, damarëve, fijeve tona të gjakut.

Këto duhet të jenë momentet që do të dëshironim t’i dëgjonim: jam krenar që kam këtë orrigjinë, jam krenar që kam këtë familje, jam krenar që jam Shqiptar!

Vërtet ka një perde të dukshme e të padukshme, vërtet ka një mbulesë të madhe të kujtimeve para dhe prapa nesh, vërtet ka dhe fije të pafundme që trishtojnë arsyen para nesh, por duhet të dimë se rrënjët, damarët, fijet dhe lidhjet e gjakut nuk janë tapete dhe mobilje, nuk janë pasaporta dhe viza, nuk janë … mijëra arsye të tjera, se ndryshe janë vetëm mallkimi më i madh i jetës. Mohimi, sikurse mallkimi nuk janë fije e lirshme.

Një fije e lirshme nuk mund të fiksohet asnjëherë, dhe modelet kurrë nuk do të jenë ato që dëshirojmë që ata të jenë. Nuk do të kenë më rrënjë, damarë, fije.. e lidhje gjaku! Vaj medet!

Ndaj miq, shokë, zotërrinj, kolegë, njerëz të letrave, të fushave të ndryshme, shkencëtarë e akademikë, vëllezër e motra shqiptarë, kujdesuni me kujdes për çdo fije!

Mos jetoni të mbushur me mllef, urrejtje dhe të shpreheni me keqardhje!

Të mbushur me urrejtje për çdo mundësi që keni lënë të urryer nuk do të thotë se ju jeni jashtë rrënjëve, jashtë damarëve, jashtë gjakut tuaj.

Duke bërtitur dhe duke pranuar me urrejtje “ikjen” nga rrënjët, damarët dhe fijet për të bindur instiktivisht një të huaj, është humbja më e madhe në jetën tuaj. Koha më e humbur …, sepse thonë, se koha fluturon kur e vërteta e linçimit tënd është koha që fluturon … jeni në kohën tuaj, vendin dhe indentitetin tuaj, vetëm kur jeni në rrënjë, damarë dhe me fijet e gjakut tuaj. Vetëm kështu … kemi dhe do të kemi rrënjët, damarët, fijet! Kujdes nga ikjet, e më së shumti nga „lajthitjet“!

23 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page