top of page

RROGOZ JETA...


Sejdi Berisha

P o e z i

Sejdi BERISHA:

RROGOZ JETA...

1.

Aq shumë të desha

E kurrë buzëqeshjen nuk ta pashë

Aq shumë ëndrra kam parë për ty

Asnjëra nuk m’u realizua

Aq shumë këngë këndova për Ty

Asnjëra nuk më bëri të lumtur

2.

Aq shumë rrugë kalova

Kapërceva dete e liqene

Por askund nuk e hasa

Shenjtërinë dhe universin e yjeve

3.

Aq shumë prita

Për do vargje ndryshe

Por nuk kishte kroje

Për t’i freskuar plagët e plagëve

4.

Aq shumë i desha lulet

Nëpër të gjitha stinët

Edhe mjellmat

Që diku ma tresin mendjen

Por fluturimet e shqiponjave

M’i trembin majat e shkrepave

M’i trimërojnë shpatije e fusha

5.

Aq shumë u përpoqa

Dashurinë ta shpall mbretëreshë

Në tokë e në qiell

Në parajsë ferr e terr

Por ngela vetëm udhëtar i trishtuar

6.

Aq shumë e desha vendlindjen

Edhe tokën e shkrumbin e saj

Por shpirti rebel

Gjithmonë në zjarr më shndërroi

7.

Aq shumë gjakun

Me të mirë e mora

Të mos më ngarkojë shumë

Me kullat si ngujim

Por fushat dhe pllajat

Gjelbërim kishin ngjyrën e kuqe

E bjeshkët e larta

Ma shtonin qortimin

8.

Aq shumë u betova

Historinë për ta pastruar

Nga të palarat dhe rrenat

Por vinin erëra e furtuna

M’i ndrydhnin betimet

E koha gjithmonë vonohej

Bile një hap ishte prapa vetes

9.

Tash

Përpiqem të mos i mërzis

Derën as pragun e shtëpisë

Lapsin e letrën

I lus të ma sjellin ndonjë kujtim

10.

Aq shumë kam pritur

Fortë për ta mbyllur lotin

Në Kutinë Pandorës

Por rrogoz jeta

Prapë ma detyron pritjen

Edhe atë këngën

E cila nuk plaket

11.

Por brenda pragut të shtëpisë

Është një burim

Që kurrë nuk e shterë ujin e freskët

12.

E moj vatra ime

Po aq shumë prita

Po aq shumë po pres...

(©S. B.)

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page