top of page

Robert Martiko: S’KA TË ARDHME MENDIMI INTELEKTUAL KUR NUK EKZISTON IDEJA E PËRJETËSISË

  • 2 hours ago
  • 3 min read

 

Zakonisht, kritika letrare në Shqipëri, e mbështetur kryesisht në shqisat dhe jo në një analizë të thelluar me të vërteta ndriçuese, ndjek parimin e trajtimit sipërfaqësor të veprave. Madje, edhe më keq, ajo shpesh bazohet në kritere miqësie kur vjen puna te ndarja e diplomave apo lavdërimeve në fushën e krijimtarisë. Në këtë padituri klasike, anashkalohen aspektet me vlerë të thellë dhe të qëndrueshme, që mund të krijojnë mundësi reale për ndryshim. Sepse, fraza me karakter ndërtues se arti vlen për të ndryshuar botën, përmes vetë ndryshimit të vetes, nuk u mësua në shkollat shqiptare.

Është më se e kuptueshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vend ku, për gjysmë shekulli, mendimi ka qenë i mbyllur brenda kufijve të një materializmi të verbër marksist. Historikisht, ka munguar koncepti i një Rilindjeje Shpirtërore, siç ndodhi në Perëndim, dhe kjo ka mbajtur shoqërinë shqiptare të bllokuar në kohë, madje edhe sot, në Mijëvjeçarin e Tretë.

Mungon fryma e mençur, e zhdërvjellët akademike që i jep jetë e kuptim mendimit dhe debatit intelektual. Mungon ajo përmasë thelbësore, me rëndësi vendimtare për zhvillimin shoqëror. Nuk ka asgjë më të dëmshme sesa ky bllokim i brendshëm, që e mban mendimin e lartë intelektual në darë.

Admirohen autorët e huaj me famë, por pa u kuptuar në thellësi. Sepse këto pena gjeniale kanë dashur të shprehin diçka tjetër, shumë herë më të thellë nga çka perceptohet, në nivel të ulët. Prandaj vlen të shkruaj dy fjalë mbi botën paraempirike, që në Perëndim pati një ndikim vendimtar në kulturë e qytetërim. Pikërisht këtë botë e gjej të pasqyruar në mjaft poezi të Kolec Traboinit, ndoshta si rikujtim i Shkodrës së njerëzve të mëdhenj, jo vetëm të së kaluarës së largët, por edhe të atyre që sfiduan diktaturën.

Përtej perceptimit të thjeshtë natyror, është pikërisht bota shpirtërore ajo që fuqizon letërsinë dhe artet. Progresi s’mund të mbështetet në gjëra të gurta e pa shpirt, si dikur në lavdërimet për diktatorin, në bashkëpunimin kolektiv të detyruar pa qëllim, për një të ardhme të dështuar qysh në embrion.

E kundërta e kësaj bote të ulët vlerash, në antipod me vetë qiellin – institucioni i parë i njerëzimit në botë, është shpirti i vërtetë i mishëruar te individë të jashtëzakonshëm si Simon Jubani, Lasgush Poradeci, Zef Pllumi apo Pjetër Meshkalla, që u bë i përjetshëm në historinë shqiptare

Autori i shkrimit
Autori i shkrimit

Pra, është bota paraempirike e një mendimtari gjenial si Kanti pikërisht, që lidhet me përmasat shpirtërore, morale dhe filozofike të jetës. Janë ato që formësojnë kulturën dhe qytetërimin në mënyra shumë më të thella sesa realiteti material, kaosi politik e mendor. Nëse një shoqëri nuk ka një ndjenjë të thellë për këto aspekte, ajo mbetet e bllokuar në shekuj, së bashku me mendimin e saj intelektual, brenda një realiteti të ngushtë, ku njerëzit janë të përqendruar vetëm te konsumimi dhe krijimi i pasurisë materiale. Pa një dimension të pasur shpirtëror, shoqëria nuk mund të rrisë breza të shëndetshëm. Çdo qytetërim i kësaj natyre gjithnjë është i prirë drejt shkatërrimit. Në poezitë e Traboinit dallon koncepte të botës a priori, pavarësisht se në pamje të parë ato mund të duken si vargje të thjeshta.

Mjaft i veçantë është Traboini te poezia “Rimishërimi” apo “Përjetësia” dhe shumë të tjera si këto. Në një botë ku gjithçka ndryshon dhe kalon me gjurmë të thella pas, ideja e rimishërimit si një rilindje shpirtërore shfaqet si burim shprese dhe force. Poeti, nga vetë misioni i tij për t’i dhënë formë jetës, bëhet zëri që kujton se çdo rënie është një mundësi për t’u ngritur, çdo errësirë një mundësi për dritë dhe çdo fund një fillim i ri.

Një vend ku mendimi dhe letërsia janë të mbyllura nga materializmi dhe mungesa historike e idesë së një rilindjeje shpirtërore, do të mbetet një shoqëri që përpiqet të ekzistojë në një realitet pa thellësi, pa kuptim dhe pa lidhje me përmasat shpirtërore e filozofike të jetës. Një realitet i tillë do të formojë individë dhe shoqëri të dehumanizuara, të cilët, edhe sikur të jetojnë në një botë të pasur materialisht, do të mbeten tejet të varfër shpirtërisht.

Për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme e të pasur, është thelbësore që mendimi intelektual të përpiqet drejt një përqendrimi te thelbi shpirtëror dhe filozofik, i cili mund të ndihmojë në zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit në mënyrë më të thellë, më të qëndrueshme dhe më domethënëse për brezat që vijnë.

Prandaj kanë rëndësi të lexohen me kujdes temat e jashtëzakonshme të botës paraempirike, me kuptimin e vlerave të vërteta të jetës, sidomos sot në kohën e krizës botërore të lidhur me makinat dhe me inteligjencën artificiale, në mënyrë që njeriu të jetë zotëruesi i tyre dhe të mos ndodhë e kundërta.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page