
Vullnet Mato
RIZGJIMI PRANVEROR
Ngazëlloj duke soditur rizgjimin e natyrës,
në këto çaste pranverore kaq solemne,
kur toka e përgjumur, fillon lan fytyrën,
në dushin e madh e çudibërës të rrezeve.
Fshesa e rrezeve, si amvisë e kujdesshme
fillon të fshijë nga dheu hijet natësore,
largon ngadalë konturet e së djeshmes,
me mozaikë baltërash, nga bloza dimërore.
Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,
dhe nisin të stolisen, para pasqyrës së qiellit.
Kumbullat sykaltra, përshkëndisin petalet,
për të pritur vizitën madhështore të diellit.
Zogjtë e tulatur, nëpër degët blerore,
shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,
qengjat e fjetur staneve, nëpër bregore,
përshëndesin agimin me të parat blegërima.
Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë
dhe zënë të shkundin kristalet e vesës,
grunjërat e mëndafshta, drejtojnë kallinjtë
dhe luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.
Të gjitha pamjet e së djeshmes dimërore,
tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje,
me zbardhëllimin e së sotmen pranverore,
të mbushur plot e përplot me qumësht drite...
Comments