top of page

Raportet me “identitetin kulturor sekret”


Raportet me “identitetin kulturor sekret”

Dr Fatmir Terziu


Imazhet nga fëmijëria ime, shenjëzat e duarve të vogla, fashitjet e trarëve nën çati, herë pas here më thjeshtojnë udhën e memorjes, rendjen e trurit pas detajeve. Këto imazhe më vrigëllojnë tezgjahun që qëndronte i montuar në një kënd të njërës prej dhomave, stolin e drunjtë ku ulej nëna ime, pasi kthehej nga punët e ditës dhe zinte fill bisedën me ngjyrat, mendimet që e kishin lodhur e mjaft aspekte të tjera, që sytë e mi i larushonin pa i kuptuar mirë atëherë. Këto imazhe ishin dhe mbetën një kënd në memorjen time, ku sekretet e pakumtimësitë, u ngulitën me forcën e tyre të padukshme për të riprodhuar edhe zërat që flasin ende papushim për të rikrijuar të gjitha gjërat në një rrugë të mundshme. Në një rrugë të atillë që kanë sjellë në jetë pena të mëdha historitë e tyre të frymëzuara nga kënde të tilla, ku mjediset liria kulturore.

Liria kulturore


Kulturat gjithnjë kanë një pikëtakim. Dhe pikëtakimi më i mirë i kulturave është Liria. Kur liria e njerëzve është prova më e madhe vetë shpirti shpërthen dhe gjen forcë të tregojë se forca e brendshme të jep atë që dikush mundohet të ta privojë. Për veshin e njeriut, për njeriun e lirë, asgjë më pas nuk vlen më shumë se sa liria, se sa vetë arsyeja e interpretimit, ashtu me forcën e shpirtit.

Këta janë njerëz të zakonshëm, që me forcën e shpirtit të tyre, shpërthejnë lirshëm për të treguar se kur nuk janë të privuar kanë më shumë arsye për të qenë të lumtur, më shumë arsye për të jetuar. Kështu është dhe me një pjesë tjetër kulturash që zotërojnë Kapuerën. Kapuera që është një art luftarak brazilian, i cili kombinon mjaft elemente të vallëzimit, me akrobaci dhe muzikë. Ajo u zhvillua në Brazil kryesisht nga Angolanasit, në fillim të shekullit të 16-të. Ajo është e njohur për manovrat e saj të shpejta dhe komplekse, kryesisht duke përdorur fuqinë, shpejtësinë, dhe lëvizjet nëpër një shumëllojshmëri të gjerë të shkelmave dhe teknikave.

Por ndodh edhe kështu që liria të bëj dhe forma të tjera kulturore në hapësirat rinore. Arti i kësaj forme që tejet rreth asaj që ngurtëson kulturat tradicionale, është një formë më vete e krijuar nga pushteti i lirisë kulturore.

Dhe më pas për të shkuar tek një formë lirie që të krijon dhe një hapësirë jetese. Interpretimi në rrugë dhe në mjedise të populluara natyrisht ka dhe një shans të tillë. Një shans që kërkon talent, fat dhe mjaft djersë, ndoshta më shumë se në koncerte, pasi në rrugë duhet të bëhesh edhe pjesë e vetë rrugës. E megjithatë kulturat kanë një pikëtakim, kanë lirinë që i ushqen përjetësisht dhe qasin edhe pamjen e strukur të një jete.

Pamja e strukur jetike

Kasëm Trebeshina, solli detajet e “Stina e stinëve”, pamjen e strukur jetike, përparësen e ngjyrosur të jetës, për të forcuar narrativin. Trebeshina krijoi “identitetin sekret”, që po ta lexojmë sipas shkrimtarit Salman Rushdie, është “identiteti sekret midis shkrimtarit dhe lexuesit, i cili është një dhuratë subversive”. A e vizatoi i lirë nga këto kënde këtë identitet subversiv Trebeshina?. Ky është një debat më vete. Por, ai si shkrimtar “i lirë” me një “identitet sekret” me lexuesin solli pastër dhe qartë format e ngjyrimeve. Trazoi dhe zgjoi memorjet e pandjeshme, prodhoi “legjenda të mbivendosura”, transparenca me ngjyra. Zgjoi rrobat, fiksoi hallet, gjeneroi letërsi…, atë letërsi, që të Tjerët ia nëpërkëmbën, ia trazuan, ia devijuan, ia strukën dhe ia bënë të tillë, që të humbasë vetë rolin që ka letërsia në përditësi. E shpunë në atë kënd, ku vetë letërsia nuk merr frymë dhe është e destinuar të vdesë. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncoi vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist, të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet.

Kështu do të ndodhte në atë sistem nëse do të humbnin raportet me “identitetin sekret” edhe me “Superman”-in, por dhe nëse nuk do të shpëtohej nga “mendje-butësia” e Clark Kent dhe nëse milionat e Bruce Ëayne nuk do të bënin të mundur “aktivitetet e natës” që të ngjallnin edhe “Batman”-in. Por kjo nuk mund të ndodhte në Metodën e kohës që kritikonte Trebeshina. Lidhur po me këtë Rushdie beson në mundësitë më të mëdha të romanit tek “identiteti sekret” me lexuesin e shkrimtarin. Ai thotë se “veçoria e tij, është mbrojtja më e mirë e tij. Rastet ndryshojnë nga mjaft gjëra, por më kryesorja është vlera.” Por ama shkrimtari, me jo pak probleme në udhën e tij krijuese, Salman Rushdie, thotë edhe këtë: “se sa më shumë para që kushton një produkt arti, aq më i lehtë është për ta kontrolluar atë”. Aq më lehtë është për ta mbajtur në jetë mes imazheve dhe memorjes! Kështu në një formë a në një tjetër, imazhet nga fëmijëria, në një lidhje të ndjeshme apriori bashkëkohore, ndoshta do të funksionojnë më mirë mes “identitetit sekret” të shkrimtarit dhe lexuesit.

Burimi që frymëzoi


Ky “identitet kulturor sekret” solli kohërave vrapuesit e Joyce, trampatët e Beckett, mashtruesit e Gogol, demonët e Bulgakov, mjaft meditime të Belloëit për energjinë e lartë në mbytjen e shpirtit me triumfin e materializmit, si këto dhe shumë të tjerë më tepër, ishin dhe janë ato krijime letrare që kemi në vend të profetëve dhe shenjtorëve që vuajnë. Por, ndërsa romani shqiptar tenton të turet në këtë kënd dhe mundohet që t’i përgjigjet nevojës për mrekulli dhe mirëkuptim, faktori tjetër, kundërshtia e specifikës mes “identitetit kulturor sekret” dhe kohërave që kalon rrjedha letrare në Botën letrare, na sjellin edhe lajme të ashpra dhe jo të mira. Koha bën të vetën, ndërsa imazhet janë ato që vetëm ushqejnë dhe fuqizojnë këndet nga të cilat lidhjet me lexuesin bëhen të domosdoshme dhe jetike, ku zgjohen e rizgjohen raportet me “identitetin kulturor sekret”.


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page