„Quo vadis“



Quo vadis

Fatmir Terziu


Nuk donin ta besonin. Por atje tymi kishte pasuar tymin. Më kot thuhej se ku ka tym ka zjarr. Aty nuk dukej zjarri në fakt, edhe pse digjej e tëra. Madje disa hidhnin shpoti, se ky tym ishte një mallkim i disa tymërave të ndryshëm, që ata ia kishin lënë peng nëntokës dhe mushkërive. Të tjerë e quanin tym pas tymi, madje e quanin një tym të përdalë, sikur ndodh të quhet kështu një mëkat femëror. Por, një burim thoshte se gjithë banorët e përrethnajës së Përrenjasit kishin kohë që gjendeshin në hall. Halli i tyre ishte vërtet „hall“ dhe lidhej instiktivisht me një lexim të mistershëm. Në një paketë cigaresh, që e mbante të mbështjellur mirë një i Panjohur, Ajrologu i qytetit kishte gjetur një mbishkrim në gjuhë të huaj. Por Falëshpirtësit besonin se do të gjenin misterin edhe këtë herë…

Quo vadis-apud eundem fumum“ ishte ajo që shfaqej si një frazë, e cila gjendej thuajse e bashkëputhur dhe fare afër me kaliografinë e emrit Përrenjas.

„Përrenjas?!, e pse duhet të jetë vendbanimi ynë qytetës në këtë paketë duhani?, pëshpërisnin Falëshpirtësit e rrinj, teksa numëronin tashmë me gishta makinat që kalonin aty ku zgjatonte minarenë Xhamia e Re, investimi më i fundit i qytetit, para se thashëthemet e tyre të shkonin tek madhësia e projektit zhurmëmadh të Stadiumit të këtij qyteti.

Por kjo për disa quhej si një diçka, që kishte lidhje vetëm me të shkuarën. E shkuara ishte kur ata një herë e një kohë kishin Fabrikë cigaresh. E kjo fabrikë ishte investimi i parë dhe më i harruar i pas 90-ës. Ajo ishte vepër dhe investim i biznesmenit Vehbi Veliaj. E kështu sa dëgjonin këtë, disa qetësoheshin dhe harronin hallin e tyre, duke kthyer kokën sipas lutjeve tek Allahu, herë Majtas, e herë Djathtas, e disa shtonin akoma më shumë hamendësi në hallin e vet duke mbajtur kokën gjysëm lart e gjysëm poshtë, e herë në formë statike.

„E çuditshme!“, tha Ajrologu më i vjetër i gjërave të përditshme, emër të cilin e kishte marrë pikërisht në ditët kur tymi i dyhanit, që digjej nga punëjëset e kësaj fabrike, ia kalonte lludhës së Xha Taqos. Xha Taqo ishte roja i Kapanoneve të kësaj Fabrike.

Për këtë mosha dhe eksperienca e Xha Taqos, ndoshta do të ishte zgjidhja e duhur. Ndaj të zënë ngushtë dërguan Ajrologun të gjente gjuhën e duhur të dy tymrave, atij të paketës së tij, dhe tymit të lludhës së Xha Taqos.

„E di. E kuptoj pse kërkon të bëj një marrëveshje për tymrat tanë“, tundi kokën xha Taqo, edhe pse në fakt koka e tij dukej vetëm si një shenjë e një të tille në trupin e tij të mbuluar me jorgan të trashë.

„Në fakt, ne na ndajnë vetëm disa metra, e kështu nuk ka rëndësi të të pyes se nga e more vesh…, por nejse a do të më thuash pse ndodh që „Quo vadis-apud eundem fumum“ të jetë shkruar në këtë paketë, e pse në Përrenjas?“, u ndodh të shfaqte veten me fjalë të menjëhershme goja e Ajrologut.

„Ishte koha kur dilte makina e ngarkesës nga Kapanoni. Ajo nuk nxirrte më shumë tym se lludha ime. E unë ndjehesha i turpëruar përpara asaj fuqie të madhe, që mbante mbi kurrizin e saj gjithë ato tonelata, që aq më shumë do të kapërcenin Qafë Thanën dhe lludha ime ndjehej e turpëruar, pasi mezi e hidhte tymin deri tek ish Miniera. Për këtë i bëra zë përkthyesit që shkruante paketat e cigareve… Ai buqëqeshi dhe ma zgjati këtë paketë. Aty shkruhej në një farë gjuhe të panjohur, por që më tha se do të thoshte „ku po shkojmë me këtë tym“, por unë i thashë, se unë këtu do të qëndroj, por cigaret e kësaj makine do të shkojnë larg“, kaq di tha xha Taqo.

„Ah, paske qenë shurdh…“, ia ktheu Ajrologu.

„Në largësi dëgjova pikërisht këtë, si një thirje kumbuese. E pyeta përsëri. Ai ma ktheu se kjo e shkruar është një tym tjetërsoj, që shfaqet, e ikën larg për të mos u zhdukur kurrë. Është një shpikje e re me këtyre tymërave të këtyre kohëve. Asnjë cigare, asnjë lludhë, madje asnjë oxhak nuk e imiton dot. Fatkeqësisht, është një tym tepër i madh“, vazhdoi xha Taqo dhe turfulloi ashtu nën atë jorgan të trashë dimri.

Ajrologu i qytetit sakaq fshiu me shami djersët e ftohta nga balli dhe bëri nga dera. Ndërkohë xha Taqo ia bëri me dorë dhe më pas nxorri kokën nga jorgani i trashë i atij dimri, duke shtuar: „Shpikje të tilla dhe shpikologë të tillë kurrë nuk do të zbulohen, për aq kohë sa do të ketë tymra të padukshëm e më të mëdhenj se tymi i lludhës sime, më të mëdhenj se të gjithë tymërat“.

Kur u kthye Ajrologu i qytetit nga takimi special me xha Taqon, Falëshpirtësit luteshin e ndiqnin disa tymëra të tjerë sa andej nga e majta, po aq dhe nga e djathta e tyre. Por lutja e Falëshpirtësve nuk u shkëput kurrë nga lutjet që të mësonin të vërtetën e atij shkrimi të huaj mbi paketën e cigareve të ish Fabrikës së tyre: „Quo vadis-apud eundem fumum“.

Ndërsa unë? Unë isha duke lexuar romanin „Quo Vadis: Një rrëfim i kohës së Neronit“, i njohur zakonisht si „Quo Vadis“, një roman historik i shkruar nga Henryk Sienkiewicz në Polonisht, botuar në vitin 1896 dhe është përkthyer në më shumë se 50 gjuhë. Romani tregon për një dashuri që zhvillohet midis një gruaje të re të krishterë, Ligia dhe Marcus Vinicius, një patriark romak. Ajo zhvillohet në qytetin e Romës nën sundimin e perandorit Nero. Romani kontribuoi në Çmimin Nobël për letërsi të Sienkiewicz në vitin 1905. Disa filma janë bazuar në „Quo Vadis“, duke përfshirë dy filma italianë në 1913 dhe në 1924, një prodhim të Hollivudit në 1951, një miniserial të vitit 1985 me regji të Franco Rossit dhe një adaptim i vitit 2001 nga Jerzy Kawalerowicz. Si tek romani, ashtu dhe tek filmimet ndjeja se kishte tym. Tymra që kishin ndodhur në kohën e perandorit Nero.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit