top of page

Qielli i katundit. Argaqi. Baca. Tufa


Nehas Sopaj

(Qielli i katundit. Argaqi. Baca. Tufa)



Qielli i ngjet brendisë së zbrazët të një kokrre veje. Në atë brendi të zbrazët dhe të errët, yjet duken si të ishin vendosur në përpjestime të njëjta afrie dhe largësie, angështia e vrugtë e njerëzve i përgjëron me ankth. Ylli im qe vendosur në mur të asaj sterre si pëlhurëbardhë dhe rrezja e tij s’kishte rënë në orbitë që ta shohin dhe ta njohin yjet dhe hyjnitë. Ligji i rotacionit të trupave qiellorë dihej si ishte, yjet që tashmë kishin rënë në orbitë po silleshin rreth e rrotull vetes, me hënat dhe satelitët e tyre; qielli tashmë kishte hyrë në kullë, në odë. Aty s’kishte arritur të binte vetëm rrezja e yllit tim. Hyu i shihte të gjitha fshehtësitë, kurse dielli të gjitha do t’i ndriçojë një ditë.

- He lumë baca, ty të paça – më tha dikur im gjysh - kur i kam pasë unë rrum pesëmbëdhjetë vjet si ti sot, pesëqind copa dhen i kullotja në livadhin e madh...

I kullotja dhentë në atë livadh të madh sa qielli, ku rritej bari deri në gju, kurse bukën ma sillnin përnatë me kal Burakun, të cilin e shalonin të dashurit e mi. Një natë s’më prunë bukë të ha. Isha grrep i uritur. Rashë e fjeta nën dritën e verdhë të hënës, kurse në ëndërr m’u shfaq Hyu i Shenjtë dhe më urdhëroi që ta prisja një qengj nga tufa dhe t’i urtoja kërpudhat helmuese të barkut tim të uritur.

U ngrita, por kur bëra ta ther atë qengj të cilin më duhej ta bëja kurban, m’u bë sikur t’ia merrja vetes shpirtin, e t’ia merrja vetes shpirtin është mëkat, siç dihet. Sytë e tij lutës më vështronin në bebëza, kurse dora ime i shtrëngonte thikën e mprehtë e të ftohtë, ndjenja e cila më mbante në mengene në atë çast ishte më tepër se pikëlluese, po ndjehesha disi ndërmjet kasapit dhe viktimës, ndaj e kundërshtova urdhrin e të Lumit Zot.

Kur s’pata zemër ta therja një qengj prej pesëqind copë dhenve (atë qengj më vonë do t’ma gllabërojë ujku i uritur për gjak), kërpudhat helmuese dhe helmet më shpërthyen prej barkut, tufën e humba (a po më sheh tash të vetmuar etj.), por jo vetëm që tufën e humba, por pas atij shërimi prej vdekjes, çdo ditë e imja e re, çdo fjalë imja e shqiptuar, krejt dashuria ime për të vërtetën, s’është veçse një gjysmë hapi deri te vdekja.

Jam i sëmurë, lumë Baca, gjuha ime s’po arrin ta këndojë madje as këngën e buklës. Dashuria ime s’e mbledh tufën e zdaravitur, Bacës. Rrofshi ju.

14 views0 comments

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page