top of page

Qerim Skënderaj: I MIRI I PADOBISHËM

  • 2 hours ago
  • 3 min read

 

Të gjithë thonë se ai është i mirë, më i mirë se vetë e mira, ose thënë më mirë, çdo gjë e bën për mirë. Kjo e fundit “çdo gjë e bën për mirë”, është ndoshta përcaktimi më i drejtë, më karakterial, më i përshtatshëm që mund të lexohet për të. Duke qenë pjesë e thelbit të ndërtimit të tij, për të mbërritur deri atje, na duhet më parë të zbulojmë e analizojmë disa shtresa, të cilat e mbajnë mbuluar dhe e deformojnë paksa këtë të vërtetë të qenësishme të tipit në fjalë.

Është rritur bashkë me mirësinë, e ka si pjesë përbërëse të qenies së tij, si ushqim fizik, si qetësues për t’u ndjerë mirë edhe shpirtërisht. Nuk e njeh të keqen, nuk e koncepton fare përmbajtjen e saj, madje as denjon të ndalet tek ajo edhe kur e bëjnë të tjerët ndaj të tjerëve, apo ndaj atij vetë. Veset, si vjedhja, mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, ligësia, etj., janë male e male larg tij, si probleme që nuk do as t’i shohë, as t’i dëgjojë. Po kështu edhe alkooli, duhani, droga, bixhozi, prostitucioni e sëmundje të tjera helmmbjellëse, nuk janë pjesë e kultivimeve në kopshtin e tij të mirë.

Ky tip njerëzor është mbi të gjitha punëtor i madh. Nuk ia përton asnjë pune. Punon për vete dhe për të tjerët. Nëse dikush i kërkon ndihmë, nuk ia kursen atë, duke e “ngrënë” kohën e tij si të ishte karamele. Thotë se është i aftë të bëjë gjithçka, sidomos në sensin praktik të gjërave. Në shtëpinë e vet, çdo gjë kalon nga duart e tij. Është marangoz, elektricist, murator, mekanik, bojaxhi, kuzhinier, pjatalarës, pastrues, pra i zë dora gjithçka. Togfjalëshat mohues “nuk e di”, apo “nuk e bëjë dot”, nuk i njeh fare.

Ndër të gjitha këto të mira, ngre krye diçka shumë e fortë, e pandryshueshme dhe e pakorrigjueshme, të cilën e ka bërë pronë të vetën dhe e ruan si pasuri të vyer, madje si “thesar”. “I miri” ynë, për të cilin po flasim në këtë shkrim, “nuk pranon asnjë vërejtje”. Nëse ti vë re që ka lidhur fijet elektrike gabim dhe mund të djegë linjën, apo gjithë shtëpinë dhe i bën vërejtje për çka ke konstatuar, përgjigjja – rrufe të vjen pa e mbaruar ende atë që do të thuash: “është kështu dhe pikë!”. Nëse të bën mobilimin e shtëpisë dhe ti vë re se diçka nuk shkon mirë, të përgjigjet pa e formuluar ende vërejtjen: “është kështu dhe pikë!”. Nëse i sugjeron të përdorë fshesën me korrent, sepse ajo tradicionalja ngre pluhur, të përgjigjet pa e ngritur kokën: “kjo është më e mirë dhe pikë!”.

Pra, te ky “i mirë”, nuk pi ujë asnjë mendim alternativ. E vë pikën në fund të mendimit të tij dhe më tej sheh vetëm bosh, asgjë. Në këtë kuptim, ai, megjithë të mirat që përmendëm më lart, mund të emërtohet me epitetet e shumëpërdorura si “kryeneç”, “mushkë”, “shkëmb”, “kokëderr”. Në gjuhën italiane të gjitha këto i përmban dhe i përcjell bukur fjala e vetme “duro”. Në këtë mënyrë, këtij tipi që folëm, meqenëse i ka vërtet disa të mira, po ia kursejmë cilësorin “i dëmshëm”. Po e quajmë “i padobishëm”. Pra, një i mirë, që edhe pse i ka disa veçori personale të mira, shoqërisht është i padobishëm…

 

(Fjala e Lirë- Londër; 28/12/2016)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page