Qerim Skënderaj: I MIRI I PADOBISHEM
- 47 minutes ago
- 3 min read

I MIRI I PADOBISHEM
(Arkiva "Fjala e Lirë")
Të gjithë thonë se ai është i mire, më i mirë se vetë e mira, ose thënë më mirë, çdo gjë e bënë për mirë. Kjo e fundit “çdo gjë e bënë për mirë”, është ndoshta përcaktimi më i drejtë, më karakterial, më i përshtatshëm që mund të lexohet për të. Duke qënë pjesë e thelbit të ndërtimit të tij, për të mbrritur deri atje, na duhet më parë të zbulojmë e analizojmë disa shtresa, të cilat e mbajnë mbuluar dhe e deformojnë pakë ketë të vërtetë të qenësishme të tipit në fjalë.
Është rritur bashkë me mirësinë, e ka si pjesë përbërëse të qënies së tij, si ushqim fizik, si qetësues për t’u ndjerë mirë edhe shpirtërisht. Nuk e njeh të keqen, nuk e koncepton fare përmbajtjen e saj, madje as denjon të ndalet tek ajo edhe kur e bëjnë të tjerët ndaj të tjerëve, apo ndaj atij vetë. Veset, si vjedhja, mashtrimi, genjeshtra, hipoktizia, ligësia, etj., janë male e male larg tij, si probleme që nuk do, as t’i shoh, as t’i dëgjojë. Po kështu edhe alkoli, duhani, droga, bixhozi, prostitucioni, e sëmundje të tjera helmmbjellëse, nuk janë pjesë e kultivimeve në kopshtin e tij të mirë.
Ky tip njerëzorë është mbi të gjitha puntor i madh. Nuk ja përton asnjë pune. Punon për vete dhe për të tjerë. Në se dikush i kërkon ndihmë, nuk ia kursen atë, duke e “ngrënë” kohën e tij si të ishte karamele. Thotë se është i aftë të bëjë gjithçka, sidomos në sensin praktikë të gjërave. Në shtëpinë e vetë, çdo gjë kalon nga duart e tij. Është marangoz, elektriçist, murator, mekanik, bojaxhi, kuzhinier, pjatalarës, pastrues, pra i zë dora gjithëçka. Togfjalëshat mohues “nuk e di”, apo “nuk e bëjë dot”, nuk i njeh fare.
Ndër të gjitha këto të mira, ngre krye diçka shumë e fortë, e pandryshueshme dhe e pakorigjueshme, të cilën e ka bërë pronë të vetën dhe e ruan si pasuri të vyer, madje si “thesar”. “I miri” ynë, për të cilin po flasim në këtë shkrim, “nuk pranon asnjë vrejtje”. Në se ti vë re që ka lidhur fijet elektrike gabim dhe mund të djegi linjën, apo gjithë shtëpinë dhe i bënë vrejtje për çka ke konstatuar, pergjigja – rrufe të vjenë pa e mbaruar ende atë që do të thuash: “është kështu dhe pikë!”. Në se të bënë mobilimin e shtëpisë dhe ti vë re se diçka nuk shkon mirë, të përgjigjet pa e formuluar ende vrejtjen: “është kështu dhe pikë!”. Nëse i sugjeron të përdorë fshesën me korrent, sepse ajo tradicionale ngre pluhur, të përgjigjet pa e ngritur kokën: “kjo është më e mirë dhe pikë!” Pra, te ky “i mirë”, nuk pi ujë asnjë mendim alternativ. E vë pikën në fund të mendimit të tij dhe më tej sheh vetëm bosh, asgjë. Në këtë kuptim, ai, megjithë të mirat që përmendëm më lartë, mund të emërtohet me epitetet e shumëpërdorura si “kryeneç”, “mushkë”, “shkëmb”, “kokëderr”. Në gjuhën italiane të gjitha këto i përmbanë dhe i percjellë bukur fjala e vetme, “duro”. Në këtë mënyrë, këtij tipi që folëm, meqënëse i ka vërtetë disa të mira, po ia kursejmë cilësorin “i dëmshëm”. Po e quajmë “i padobihëm”. Pra, një i mirë, që edhe pse i ka disa veçori personale të mira, shoqërisht është i padobishëm...
Qerim Skënderaj, më 26/06/2016








Comments