QAZIM D.SHEHU: KUR NGA LARTËSITË BIE…
- 3 hours ago
- 2 min read

KUR NGA LARTËSITË BIE…
Kur bie nga lartësitë e mëdha një zjarr
Këputet në mesin e kësaj lartësie,
Kështu vështrimi jot nga larg
Gjer në mes të udhës dritën bie.
Dhe mesi tjetër mbetet errësirë
Për të menduar për forcën e tij,
Lartësia më afër të ishte, do qe më mirë,
Po vetëm në lartësi të largta zjarri jep hije…
LOT I VOGËL
Pafuqi e botës bëhet e madhe
Nga dalja e një loti…
Është ai çast kur zemra ofshante
Në dridhjen si ndezje e parë baroti.
Sa zjarre, dëshira ,dhimbje
Sa pamundësi ,dridhje ka?
Ky loti i vogël si një thinjë
Që kufiri i moshës nuk e pa?.
GISHTA
Gishtat e bëjnë shqiponjën
Shqiponja ka lindur për to,
Dhe zhduket sakaq kur ato fillojnë lojën
Që shqiponja nuk i do…
Gishtat shpesh harrohen në vend tjetër
Kur me vete nuk i ke,
Ndërsa s`hedh asgjë në letër…
Dhe një fije nga toka nuk e ngre..
eh gishta ,gishta,
Të kapura në rrokullimë të ndjenjës,
Sa e vogël me to bota do të ishte
Kur i lënë shteg gishtit të mesit…
KUPTIMI
Në një anë tjetër të kuptimit ti
Në tjetrin unë,
Si në dy brigje kur bie shi,
E lumi bëhet valëshumë…
Të mbytemi në kuptim s`mundemi
Duam të dalim prej tij
Dhe në brendësi të futemi
Duhet të zhytemi gjithësesi…
Rrobat të heqim si të shkuarën
Nga kujtesa heqim,
Dhe në valët e tërbuara
Pengje kuptimesh mbesim…
BISHTI
Ti rron në këtë stinë qetësisht
Po njerëzit të venë një bisht,
Qetësinë tënde s`e duan
Përderia ajo përgjon e vuan
Çdo sajim fjale për bisht,
Mërzinë largon natyrisht,
Dhe bishtin e tyre e ke
Në cepin e syrit tek e vë re…
SHKËMBINJTË
Nga gjithë varjet më pëlqen
Të varem në një rreze dielli,
Ta shoh lakun e saj si shkëlqen
Me smeralde qielli.
Kur fronin nga këmbët ta rrëzoja
Së pari do rrëzoja shkëmbinjtë,
Këta mëkatarë që iu tha goja
Duke pritur të puthin qiejt...
NË KRIFË HORIZONTESH TË LODHUR
Në udhë horizontesh të lodhur
Era vuri krifën e një kali,
Dhe në një re që laget e përmalluar
Kokën e tij në vrap pas vrapi…
Në krifë horizonti të mbërdhirë
Diçka u ngjit atje,
Një hije mallëngjyese me frymë të tokës
E fortë në formë për të na bindur ne…
KRAHËT E DASHURISË
Krahët e erës nuk janë krahë dashurishë
Krahët e dashurisë më të ajërt mbeten
Ndoshta prandaj era ulërin si bishë
Se këto krahë ende s`i ka gjetur…
FRYMOJ
Zhagitem,bërllokem
Në jetën e mrrolët,
Frymoj,
Molla e Evës
Në dy gjysma hapet,
Mjeroj…








Comments