Përparim Hysi: Shtëpi, e ëmbla shtëpi!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 3 min read

(poemth)
Nga Përparim Hysi
1.
Shtëpi, e ëmbla shtëpi,a nuk thashë që do kthehem një ditë?
SE,së shpejti,jam aty,ndaj hap derën dil më prit!
Në ika dikur,të braktisa,nuk e bëra atë për vakancë
Sado rrugë të gjatë nisa, malli më ndoqi pas.
2.
As që doja të ikja,ti vet e pe: a nuk qeshë unë hundë e buzë?
Si qiell sterrë plot re,gojëmbyllur si të kisha rënë në pus!
Po ZOTI ma lexoi dëshirën(rrebeshe atë ditë dërgoi)
E bëri të qajë natyrën dhe mua as më flitej me gojë.
3.
A kini parë të vdekur të gjallë (i vdekuri qeshë unë atë ditë)
E kujtoj atë ditë e ma"shpallë"(atë ditë më qenë mbytur gjemitë)
Sosa në AMERIKË dhe u çudita(nëntori këtu qenka behar)
Gjiri i PERËNDISË është FLORIDA( por me mendje unë jam në MBROSTAR)
4.
Dëgjoja që këndonte blibli(pas pak xërr-xërr një gjinkallë)
Po këtu as u njohka dimri(jo,po kot nuk thonë se ky vend është përrallë)
Njerëzit dalin me të shkurtëra (me të shkurtëra shtyj karrocën e mbesës)
Po pse me"gropa" më ngjan rruga apo pse jam mbytur debulesës?
5.
Jo. Është malli që nuk më lë ,si shpata e DEMOKLEUT mbi kokë
Një lemëz griq-griq më zë (në grykë më bëhet një"komb"
Më shpie djali të shoh çudira (në ORLANDO apo në BUSH_GARDEN)
Ku ka ferra për iriqa... nuk ka dhe mendja ujem
6.
Ujem se mendja arratiset (tutje dhe çan oqeanin)
E di mirë ku bitiset (në SHQIPËRI ku dua të jap xhanin)
Erdha këtu për fare pak (erdhëm sa të rritim mbesën)
Por mbetëm këtu gjatë (sikur së prapi e lexoj "lincensën")
7.
E freskët mbeti mbresa e mallit ( e gjallë.e prekshme çdo ditë)
E dini pse rritet vëllimi i oqeanit ( nga ne të ardhurit me mërzitë)
Mërzia njëherë nuk m'u hoq,sado që AMERIKA është bekimi i ZOTIT
Shpirti im si mbi prush u poq ( mos u çuditni nëse një burri i bie loti)
8.
Kam hyrë si doku në ujë dhe koka m'u mbulua me thinja
Çdo ditë nga mendja rrëmujë ( me mendje çdo ditë jam nga SHQIPËRIA)
Kam shtëpinë atje në një pallat,në MBROSTAR-URA në FIER
Atje jo vetëm "rihem",po zë "hedh shtat" dhe "mjerë kush përpara më del"?
9.
Atje marr fuqi si ANTEU,sa prek me këmbë SHQIPËRINË time
Dhe djalli të dalë nga dheu,unë e bëj copë e thërrime
Pa lëre kur mbrrij në MBROSTAR-URA (më ikën mërzia tak-fap)
Këtu nuk kam një,po "dhjetë lëkura" dhe rihem e nuk jam më plak.
10.
Pa ngjitem me vrap në kodër (në kodër ullinj e vila)
Dhe zë bërtas si i vogël:- Këtu do më kini përdita!
Tani po.Jam i plotë dhe asnjë gjë nuk më mungon
Takoj plot miq e shokë ( mërgimtar,ku je? Më dëgjon?)
11.
Nuk ka si vendi yt (aty ku të ka rënë koka)
Mërgimtar!NGa mërgimi ik(Shqipëria është më e bukur se gjithë bota)
Shënim: jam larguar nga SHQIPËRIA më 9 nëntor 2000(shpresoja mos ma jepini vizën,por ma dhanë).Tërë natën qielli ra për tokë dhe xhadja u mbulua nga dhera,sikur i bënin jehonë mërzitjes sime. Vajta për pak në FLORIDA për të rritur çupën e djalit dhe mbeta atje për 12-vjet. Ditën që ika shkrova poezinë"Portën e emigrimit e mbylla" dhe arin e botës të më falin,nuk bëj këmbë më kund.
Po e dërgoj këtë poezi si apel për gjithë të ikurit nga vendi.
Tiranë,9 janar 2026









Përparim Hysi, atje ike me trup, se mendjen në Shqipëri e ke pasur. Çdo herë që ke parë gjëra të bukura atje, i ke lidhur me Shqipërinë, sepse nga kjo poezi unë kuptoj se asgjë nuk të shijonte atje, në brendinë tënde, pa e lidhur me Shqipërinë. Shqipëria të dha shijen dhe ti e përdore.
T’u zgjatë jeta në Atdhe!