Përparim Hysi: Një ditë do të punojmë për PAPIN

Një ditë do të punojmë për PAPIN
(Tregim i jetuar)
Ky tregim është veç një fragment nga jeta ime. PAPI jam unë. Kështu më thërrisnin të gjithë ata që më njihnin.
Tërë jetën kam jetuar në fshat dhe profesioni im ka qenë mësues. Fshati ynë ka qenë goxha i madh dhe, ngaqë ishte sektor ferme, banorët e fshatit kishin përbërje heterogjene. Vetëm zgjedhës me të drejtë vote kishte gati dy mijë vetë dhe dukej si një fshat-qytezë, aq më tepër që vetëm tri-katër kilometra e ndanin nga qyteti.
Bashkëfshatarët e mi, sado që kishin ardhur nga rrethe të ndryshme, kishin një shkuarje për t'u pasur zili. Kurrë nuk pati grindje apo sherre.
Kisha mbi tridhjetë vjet që banoja familjarisht aty, ndërsa mësues isha diku tjetër. Një ditë prej ditësh, më zgjodhën kryetar të organizatës së Frontit dhe kjo detyrë më hapi jo pak punë. Ishte puna që duhet të firmosje për çdo fatkeq që kishte punë me shtetin dhe, sidomos, me drejtësinë.
Të them të drejtën, në fshat kishte edhe familje me përbërje të keqe politike dhe drejtësia i godiste dyfish.
Edhe kur e mbaja “dorën” për biografinë, shpejtonin dhe denonconin, se “mbroja armiqtë e partisë”. Më thërrisnin ata, të ardhur nga rrethi, dhe unë mbrohesha duke thënë se isha i ardhur në fshat dhe nuk i njihja.
Kish ndodhur që bëhej gjyqi hapur për një person të caktuar dhe unë, kur merrja fjalën, bëhesha si “avokat mbrojtës” i fatkeqit, edhe kur ishte nga ata “me njollë në biografi”. I kisha shpëtuar nga burgu dy burra dhe një djalë të ri, por “hafija” dha alarmin:
“Të tërë i shpëtoi PAPI!”
Një ditë tjetër, një djalë i ri, nga ata “me njollë”, për të marrë hakun e babait, bëri vetëgjyqësi: qëlloi me dru në kokë një burrë që i kishte plagosur babanë. Sado që e bëri burgun, djali nuk ia harroi.
Erdhi policia, e vunë në pranga dhe që të nesërmen erdhën dhe i bënë gjyqin para popullit. Ekipi i gjykimit ishte nga Gjykata Popullore e Fierit. Gjyqtare qe V..., ndërsa prokuror N...
I pandehuri e pranoi vetëgjyqësinë dhe, ndërsa prokurori po bënte pretencën, salla qe plot e përplot me njerëz.
Befas, gjyqtarja kërceu nga karrigia si me sustë dhe u lëshua drejt sallës, me një fjalor prej rrugaçeje:
— More! — iu drejtua njërit aty, pas kurrizit tim. — Si guxon e pi cigare ti në sallën e gjyqit? A e di se ç'të bëj apo jo? Tani të vë hekurat! More, paskeni qenë të gjithë të poshtër!
Shkumonte nga goja, sikur ta kishte ngrënë zhegali.
Prita sa u ul dhe, në atë moment, mendova: këtu, mu në rreshtin e parë, është përgjegjësi i sektorit, është sekretari i organizatës së partisë, kryetari i këshillit dhe, pa dyshim, do flasin...
Por, gëk-mëk.
— Shoqa gjyqtare! — ulërita nga mezi i sallës. — Na ke “përkëdhelur” shumë. As dje dhe as sot nuk ka ndodhur që një e zgjedhur me votat e popullit ta quajë një fshat të tërë “të poshtër”. Ky fshat ka komunistë dhe, veç tyre, plot njerëz të ndershëm. Për ty ne do të blejmë një palë gërshërë, për të ta shkurtuar gjuhën.
Kërceu ajo dhe pas saj prokurori.
Prokurorit i thashë:
— Ju përfaqësoni shtetin dhe nuk kemi punë me ty. Punën e kemi me këtë që, falë saj dhe votës sonë, qëndron në atë karrige.
Salla po gumëzhinte nën zë.
Gjyqi u ndërpre. E morën me pranga të pandehurin dhe ekipi iku.
Të nesërmen, në Fier, njëri nga gjykatësit, të cilët unë i njihja të gjithë, m'u afrua dhe më tha:
— I ke hyrë detit në këmbë. Ke prishur gjyqin dhe do të shkosh në burg.
Unë iu përgjigja:
— Jo vetëm që nuk do të shkoj në burg, por i thuaj asaj, koleges, që të më blejë një kostum, se e mësova se si të sillet me popullin.
Pas një jave, u hap gjyqi përsëri.
Në ekip ishin vetë kryetari i Gjykatës, V. K., gjyqtarja V. dhe prokurori N.
Salla përsëri plot, por fjalën e mori kryetari.
Në vija të trasha:
— Kemi ardhur ta ribëjmë gjyqin, se radhën tjetër një arsimtar ka replikuar me gjyqtaren dhe gjyqi u ndërpre.
— Në radhë të parë, arsimtari që replikoi me gjyqtaren jam unë, që quhem Përparim Hysi. Por, ju lutem, shoku Kryetar i Gjykatës, çfarë ka bërë ajo dhe pse kam ndërhyrë unë?
— Dëgjo ti dhe ta marrë vesh gjithë populli. Çdo fjalë që i ke thënë gjyqtares, sipas edhe dëshmisë së prokurorit, u analizua në Komitetin e Partisë, te vetë sekretarja e parë, shoqja N... Sikur një fjalë të kishe shkelur ligjin, sot do të ishe pas hekurave. Jo vetëm kaq: Shoqja N... ka lënë porosi që gjyqtarja të kërkojë falje dhe, po gjykoi populli, t'i hiqet imuniteti.
Unë thashë:
— Nuk jam për heqje imuniteti, se si grua e familjare, kushedi se çfarë stresi ka pasur.
Salla duartrokiti.
Dhe që të nesërmen, në njërën nga brigadat, ngrihet Dalipi dhe u thotë:
— Sot këtë ditë pune do ta punojmë për PAPIN!
Tha Dalipi dhe fjala mori dhenë.
Dalipi, të cilin e kujtoj me mirënjohje, se është ndarë nga jeta, e bëri propozimin vetëm për mirënjohje. Por “i ligu” i kishte veshët ngritur dhe, pasi gjeti disa të porsaardhur në fshat, bëri një letër, u mori firmat — njerëz me pozitë në fshat — dhe e nisi letrën me nëntëmbëdhjetë firma drejt e në Qendror.
Në letër, që më pas u lexua para popullit, thuhej se unë isha “me njollë në biografi” dhe drejtoja organizatën e Frontit. Dhe ja: Dalipi propozonte një ditë pune për PAPIN, ndërsa ne vetëm për Partinë dhe Komandantin falnim ditë pune e deri jetën.
Alarm lart!
Niset i dërguari nga Tirana, sekretari që mbulonte organizatat nga rrethi dhe kryetari i Frontit në rreth.
Përsëri mbledhje.
Ngrihet kryetari i rrethit dhe thotë:
— Kemi ardhur të dëgjojmë fjalën tuaj. Si e njihni Përparim Hysin, të cilin e keni zgjedhur kryetar të Frontit?
Ngrihen folësit një nga një. Flasin vetëm fjalë të mira. Askush nuk prek plagën: “me njollë në biografi”.
Të dërguarve nuk po u rrinte kapeja mirë.
E pashë të dërguarin nga Tirana tek shfletonte dosjen time dhe sikur po “i kruhej” fyti.
U ngrita unë dhe thashë:
— I falënderoj të gjithë folësit, por sa e njoh Përparim Hysin, askush nuk e njeh më mirë. Unë kam një xhaxha të pushkatuar nga Partia në vitin... dhe gjyshin nga nëna e kam pasur kulak. Nderi e mirënjohja ime shkon për Partinë, që më ka bërë mësues dhe, po të më dëgjojnë mua, këta, bashkëfshatarët e mi, të zgjedhin një tjetër si kryetar.
Sa u ula unë, u ngrit edhe i deleguari dhe tha:
— E ndoqa fjalën dhe, tek shfletoja dosjen e tij, asgjë nuk i ka fshehur Partisë. Por pyetja është: A jeni dakord që, siç propozoi edhe vetë, të mos jetë më kryetar?
Ata, njëzëri:
— Ne PAPIN duam!
Dhe mbeta prapë kryetar.
Ekipi sikur u largua i lehtësuar, sepse këtë “njollën në biografi” unë ia kisha treguar edhe Enver Hoxhës në vitin 1968, kur më pushuan nga arsimi. U ktheva në arsim me porosi të tij.
Sado që kishin kaluar rreth pesëmbëdhjetë vjet, “plaga” rrinte hapur. Të tjera “kusure” më ndoqën nga pas.
Sidoqoftë, kam dalë gjithmonë fitues në këto beteja të jetës.
Tiranë, 9 shtator 2026








“Një ditë do të punojmë për PAPIN” është një tregim i jetuar që merr vlerën e tij kryesore nga ndërthurja e kujtesës personale me kujtesën kolektive. Autori nuk rrëfen thjesht një episod nga jeta e një mësuesi, por sjell përpara lexuesit një mikrokozmos të shoqërisë shqiptare të një periudhe të caktuar, ku njeriu shpesh gjendej përballë peshës së biografisë, pushtetit administrativ dhe frikës së gjykimit politik. Në këtë rrafsh, figura e PAPI-t shndërrohet gradualisht nga një personazh individual në një figurë përfaqësuese të njeriut që përpiqet të ruajë dinjitetin dhe drejtësinë në një mjedis ku fjala kishte pasoja.
Një nga veçantitë e tregimit është ironia e situatës, e cila lind pa u imponuar nga autori. Në një kohë kur “ditët…