top of page

Fatmir Terziu: Kur oksigjeni përplaset me nikotinën

3 hours ago
4 min read

(Një lexim satirik i poezisë së Xhemë Karadakut)

 

Në poezinë “Ta gëzoni pleqërinë”, poeti dhe botuesi, Xhemë Karadaku, nis nga një skenë krejt e zakonshme. Skena, dy burra të moshuar, axha Ibish dhe axha Latë, ngrihen herët dhe marrin rrugën drejt malit. Që në vargjet e para krijohet një atmosferë e shëndetshme, pothuajse idilike: “Në maje mali atje dalin”, “Trupojnë lugje e brigje”, “Me zogjtë në lisa flasin”, ndërsa pylli matet me hapat e tyre. Kjo hyrje nuk është vetëm përshkrim natyror; ajo përgatit terrenin për një kontrast satirik që do të shpërthejë më vonë. Rima e çiftuar, Latë/menatë, dalin/ndalin, shtigje/brigje, flasin/masin, i jep poezisë një ecje të shpejtë, të natyrshme dhe të këndueshme. Madje vetë struktura ritmike të krijon përshtypjen se dy pleqtë po ecin përpara nëpër mal. Forma poetike kështu bashkëpunon me përmbajtjen: vargu ecën si personazhet. Por autori nuk kënaqet me një tablo të bukur të pleqërisë aktive. Pas ngjitjes vjen burimi: “Afër burimi zënë vend, / Aty mbushen oksigjen.” Këtu poezia duket sikur po ndërton një mesazh të drejtpërdrejtë për një pleqëri të shëndetshme. Dielli u fal rrezet, ajri është i pastër, natyra është pranë. Gjithçka duket në ekuilibër.

Dhe pikërisht atëherë vjen kthesa. “Pa presje edhe pa pikë, / Nisin debat për politikë.” Ky është një nga momentet më të goditura të poezisë. “Pa presje edhe pa pikë” është një figurë e vogël, por shumë funksionale: debati politik paraqitet si një ligjërim pa fund, pa ndalesë, pa pikësim. Nëse më parë dy pleqtë matnin pyllin me hapa, tani duket sikur duan të matin politikën me fjalë. Natyrës së heshtur i kundërvihet zhurma e debatit. Dhe satira bëhet edhe më e fortë kur shfaqen kamishat:

“I fusin kamishat n’gojë,

Se debati nuk është lojë.”

Këtu kemi një lidhje të drejtpërdrejtë midis vesit dhe politikës. Cigaret nuk janë thjesht një element i karakterizimit të dy pleqve; ato bëhen pjesë e mekanizmit satirik. Debati politik, në vend që të shoqërohet me argument, duket sikur kërkon edhe tym. Madje tymi ngrihet:

“U shkon tymi përpjetë,

Përpak arrin atje te retë!”

Hiperbola është e qëllimshme dhe komike. Tymi i cigareve shndërrohet pothuajse në një re tjetër mbi malin. Kështu poezia krijon një parodi të vogël të një rituali shoqëror: pleqëria, politika, cigaria dhe biseda e pafundme bëhen një paketë e vetme. Por kulmi i satirës nuk vjen nga autori drejtpërdrejt. Ai vjen përmes trupit. Kolla bëhet argumenti që nuk mund ta fitojë asnjë debat politik:

“Ah, të parit, axhës Latë,

Ia nis një kollë e thatë!

Dhe xha Ibishit s’i pritet,

Me kollë i bashkëngjitet.”

Këtu kemi një diskurs-mekanizëm të bukur komik, ata nuk i bashkohen njëri-tjetrit me argument, por me kollë. Kolla bëhet “dialogu” i tyre i vërtetë. Nëse politika prodhon fjalë, duhani prodhon kollë. Në këtë mënyrë poeti e zhvendos satirën nga fusha e mendimit te fusha e trupit. Dhe në fund autori sjell një figurë të tretë, Lepurushin, i cili ka funksionin e vëzhguesit të pafajshëm, por edhe të zërit të arsyes. Ai nuk mban fjalim, nuk debaton dhe nuk tymos. Ai vetëm i ngacmon me pak fjalë. Pikërisht kjo ekonomi e fjalës e bën më të fortë ndërhyrjen e tij:

“Ta gëzoni, or pleqërinë,

Me oksigjen e nikotinë!”

Këtu qëndron thelbi satirik i gjithë poezisë. Dy fjalët oksigjen dhe nikotinë vendosen përballë njëra-tjetrës si dy pole të kundërta dhe diskursi i tyre. Oksigjeni përfaqëson malin, natyrën, jetën, shëndetin. Nikotina përfaqëson vesin që ata e marrin me vete edhe në mes të natyrës. Ironia është e pastër: ata ngjiten në mal për të marrë oksigjen, por e shoqërojnë atë me nikotinë. Prandaj titulli “Ta gëzoni pleqërinë” është vetë një ironi e hollë. Në sipërfaqe është urim; në thellësi është një pyetje: çfarë pleqërie po ndërtojmë kur edhe ajrin e pastër e përziejmë me tym?

Në planin teknik, poezia mbështetet fort te rima e çiftuar, sikurse e cituam, ritmi i rregullt, vargu i shkurtër, përsëritja dhe kontrasti. Nuk synon hermetizëm apo metaforë të ndërlikuar. Përkundrazi, Karadaku zgjedh një gjuhë të afërt me të folurën, duke ruajtur frymën e humorit popullor. Pikërisht kjo e bën thumbimin të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm. Në një lexim më të gjerë, megjithatë, politika është më shumë se një temë kalimtare. Ajo është një ves i përditshëm i shoqërisë: njerëzit mund të jenë në natyrë, pranë burimit, nën diell, mes zogjve dhe pemëve, por përsëri e marrin me vete konfliktin politik. Sikur politika të jetë bërë një lloj “duhani” shoqëror: ndizet, tymoset, përhapet dhe në fund shkakton kollë.

Kështu, poezia funksionon në dy nivele. I pari qeshim me dy pleqtë, dhe i dyti, në të vërtetë po qeshim pak edhe me veten. Dhe kjo është shenja e një satire të mirë. Ajo nuk ka nevojë të ulërijë. Mjafton të vendosë përballë malin dhe cigaren, oksigjenin dhe nikotinën, shëndetin dhe vesin, heshtjen e natyrës dhe zhurmën e politikës. Në këtë përplasje lind humori, por edhe thumbi. Duke theksuar, diskursivisht themi “Ta gëzoni pleqërinë” mbetet një poezi e lehtë në formë, por jo krejt e lehtë në kuptim: pas humorit të saj popullor fshihet një kritikë e zgjuar ndaj zakoneve, debatomanisë politike dhe paradokseve të njeriut që kërkon shëndetin, ndërsa njëkohësisht ushqen vesin që e dëmton atë.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page