top of page

Për djemtë dhe baballarët e Zerqanit


Prof Dr Gafur Muka

(Shënime rreth librit “Përjetime, Meditime” të Zenel Sulës) Në fëmininë time të hershme, kujtoj që një ditë, në përgjigje të pyetjes se çfarë do të bëhej ai kur të rritej, shoku im tha: Unë do të bëhem mësues si Selim Alliu. Ishte vërtet një përgjigje e qëlluar. Tani e kisha unë rradhën të përgjigjesha ndaj së njejtës pyetje. U mendova pak. Doja dhe unë të bëhesha mësues, po si kush? Atëhere u përgjigja: Dhe unë do të bëhem mësues si... Zenel Sula. As unë nuk e pyeta shokun tim: pse si Selim Alliu? Dhe as ai nuk më pyeti mua: pse si Zenel Sula? Për fëmijët e Zerqanit po të bëheshe si ata ishte realizmi i ëndrrave dhe kaq mjaftonte. M’u kujtua ky episod duke lexuar librin “Përjetime, Meditime” të shkruar nga Zenel Sula. Siç kuptohet dhe nga titulli, libri e informon lexuesin me kujtime, të cilat kanë lënë gjurmë në kujtesën e autorit, aq sa ai i përjeton situatat që ka kaluar duke medituar mbi to dhe duke e bërë lexuesin sa “zenel” aq dhe vetvetja. Libri është ndërtuar në mënyrë të tillë që, nga njëra anë ruan linjën kronologjike dhe, nga ana tjetër, pranon shtjellime për t’i vlerësuar ngjarjet jashtë kësaj linje. Autori ka marrë përsipër që, më së pari, të jetë i vertetë. Në realizim të këtij angazhimi ai shkruan për ndodhitë brenda familjes së madhe të Alsuleve, pjesëtar i së cilës ai është. Personazhet e tij janë baballarët si daj Hajdari, Veliu e Isai dhe, më pas, djemtë e tyre si Islami, autori, Aliu dhe, më tej akoma nipat si Mediu, Rolandi dhe, kur hyn brenda familjes, prezantohen edhe e shoqja Sanija, e bija Rajmonda deri tek fëmijët e Rajmondës e Rolandit duke e mbyllur me poezinë aq prekëse për të mbesën Viola. Në të gjitha portretizmet e përmendura lexuesi përjeton emocione të veçanta, të cilat lindin pasi autori blaton për personazhet e tij dashuri, respekt e mirënjohje të shprehura me çiltërsi e sinqeritet, larg kujdesit për t’u paraqitur si i tillë por me vetëdijen e të qenit i tillë. Personazhi hyrës dhe njëkohësisht që ndikon më shumë në aktivitetin e familjes së Alsuleve është daj Hajdari. Ai është një individ i angazhuar për të drejtuar familjen duke qenë vetë i zënë me punë konkrete. Me një vlerësim të veçantë për blegtorinë, ai u shërben dhenve e dhive si në kullotë ashtu edhe në hajat. Puna e tij është vendimtare për përballimin e nevojave ekonomike të familjes. Së dyti, daj Hajdari planifikon dhe drejton angazhimet e të gjithë pjesëtarve të tjerë të familjes. Askush nuk del i tepërt në familjen e madhe dhe askush nuk privilegjohet në kurriz të të tjerëve. Janë këto rregulla “brenda gardhit” të cilat edukojnë tek të gjithë punën pa hile. Por, daj Hajdari nuk edukon vetëm nëpërmjet punës. Ai përpiqet të fitojë dije duke mësuar nga të tjerët. Dhe “të tjerët” në rastin e tij janë librat fetare e, po ashtu, klerikët, posaçërisht ato të fesë bektashiane. Në kujtimet e Zenelit është daj Hajdari ai që mëson nga librat dhe klerikët e nderuar. “Në formimin kulturor dhe etiko-moral të tij-shkruan Zeneli- vendin kryesor e zinte kultura bektashiane që mori nga baballarë, dervishë e myhibë të shkolluar, si dhe literatura e atij tarikati e myslimanizmi në tërësi”. I edukuar kështu, daj Hajdari jep dritën jeshile për shkollimin e fëmijës Zenel, pasi sheh tek ky i fundit dëshirën dhe pasionin për librin. Edhe pse nevojat ekonomike të familjes e kërkonin fëmijën bari, atje në kullotë, daj Hajdari e shpërfill këtë nevojë përballë asaj të shkollimit. Projektuar në mentalitetin e kohës ky veprim ishte jo vetëm i panatyrshëm por edhe i guximshëm e largpamës. Ai ishte edhe frymëzues pasi Zeneli nuk mbeti i vetëm si “dërgesë” për shkollim. Bashkë me të muarën rrugën e shkollimit edhe bashkëmoshatarët e tjerë si Rrahman Hanku, Medi Cani, Lutfi Hanku, Myslim Brata etj. Dhe kjo “dërgesë”, me kalimin e viteve u rrit aq shumë sa Zerqani konsiderohet si një nga fshatrat me numrin më të madh të të shkolluarve në rrethin e Dibrës, madje edhe më gjerë. Shkollimi për këta djem nuk do të thoshte largim e braktisje e traditës, aq më pak e fshatit. Ata i ruanin e forconin lidhjet duke sjellë në vendlindje kryesisht kulturën e jetesës dhe atë të librit. Kështu, kur flet për shkollimin e tij në Moskë, autori nuk paraqet mënyrën e të jetuarit atje por përshkruan sjelljen mes bashkfshatarëve të tij. Autori do që, pikërisht bashkëfshatarët, të gjejnë tek ai jo vetëm djalin e sjellshëm e të kulturuar por edhe birin e dashur, të dobishëm e të sajdisshëm. Dhe natyrshëm studenti i Moskës është i mirëpritur dhe i vlerësuar në fshatin e tij. Ja si e përshkruan Zeneli këtë: “Kur u ktheva nga studimet që bëja në Moskë, të nesërmen pasdite shkova tek tyrbja, se e dija që në këtë kohë të moshuarit vinin aty, uleshin mbi barin e njomë dhe bënin muhabet. Disa, me të cilët akoma nuk isha takuar, sapo më panë duke iu ngjitur kodrës, u ngritën në këmbë. U përqafuam plot mall dhe u ulëm. Përveç dajës e babës aty ishin: Riza e Sulë Hanku, Adem Sinani, Mahmud Cani, Selë Brata, Islam e Dalip Gurra etj. Mbasi u pyetëm e rrëfyem, siç thonë gratë nga anët tona, Adem Sinani m’u drejtua: -Të lumtë që i respekton pleqtë, o bir. -E kam për detyrë, shyqyr që ju gjeta shëndosh e mirë familjarisht- i urova. Dhe ky djalosh i ri, ua gjen melhemin të moshuarve duke i sajdisur edhe me fjalë, edhe me veprime e sjellje ashtu si e duan ata. Po me dhuratat? Nga Moska vjen një atlas i madh, i palexueshëm për shkak të gërmave cirilike por i kuptueshëm nga dashuria e zerqanasve për ta njohur botën. Në përjetimet e tij autori evidenton edhe merakun dhe punën e bashkëfshatarëve për ta bërë fshatin. Ata punojnë që të marrin nga natyra gjithë çfarë mund të merret prej saj. “Tokë buke kishim pak, vetëm 8 dynimë, por me shërbimet që i bëheshin, falë edhe plehut që e kishim me bollëk, merrnim rendimente të larta- shkruan autori. Dhe më tej “Ne mbanim dele e dhi, rreth 60-70 kokë, kurse bagëti të trasha, zakonisht qetë e parmendës, një lopë për qumësht dhe një hajvan barre”. Në rrugën për të vazhduar shkollimin, Zenel Sulës i duhet të largohet nga familja e fshati por ai vazhdon t’a mbajë brenda vetes e t’a përdorë si një pasuri të madhe gjithë edukimin tradicional human që ia kanë dhënë familja e fshati. Ai nuk i ndërpret lidhjet me këtë linjë edukimi edhe pasi ka përfunduar studimet në Moskë dhe ka filluar punën si mësues e, pak më vonë, si drejtues i shkollës pedagogjike në Peshkopi. Zenel Sula është i vetëdijshëm për vlerën e dijeve të tij të fituara gjatë gjithë kohës së shkollimit. Dhe pret, që me hapjen e universitetit, të ishte kuadër i tij. “Por ndodhi ajo që nuk e prisja- kujton autori. Mora vesh se do më emëronin në Peshkopi. Shkova në ministri. Atje gjeta A.F, ish mësuesi im në shkollën normale. –Do të flas hapur më tha- emri yt ka lëvizuar nëpër institutet pedagogjik, juridik e ekonomik, sepse ka pas ndërhyrje për emërim në Peshkopi... Dhe ia arritën qëllimit”. Edhe pse e shmangën nga rruga drejt institucioneve shkencore e arsimore në Tiranë, Zeneli nuk i shmanget angazhimit, më shumë misionar, në shkollën e mesme pedagogjike. Në misionin e mësuesit ai bëhet shumë i dashur dhe i vlerësuar për njohuritë profesionale që përçon tek nxënësit. Po në pozicionin e drejtuesit? Në këtë pozicion ai dëshiron t’u hapë rrugë vlerave. Kështu, bën çmos të rregjistrojë në shkollë edhe ata fëmijë që i kishin prindërit të deklasuar. “Tek u shihja dëftesat me nota të shkëlqyera, më vinte shumë keq-shkruan drejtori- ndaj u thashë se do shikoja nëse mund të bëja diçka”. Dhe pasi ka punuar për gjetjen e një zgjidhje, edhe pse me rriskun për ta fajësuar për zbutje të luftës së klasave- drejtori është i gëzuar edhe “se do merrja në shkollë nxënës me dëftesa të shkëlqyera” edhe se shpërblehej nga mirënjohja e prindërve por edhe se “shumë vetë më përgëzonin për guximin”. Njëri prej tyre është edhe vëllai i Dan Kaloshit, i cili pasi e ka takuar drejtor Zenelin në vitet pas ndryshimit të sistemit, sapo dëgjon emrin e tij i drejtohet: “A, ti je ai që ke shti në shkollë Meleqin tim?. Dhe kur merr përgjigje pohuese vazhdon: “Allahile, ku e more gjithë atë guxim të fusësh djemtë e kulakëve në shkollë? Përgjigja: “Isha i ri, i dashuruar pas diturisë. Idhulli im ishin nxënësit e shkëlqyer, ndaj për ta isha i gatshëm të bëja çdo akrificë” bën që bashkëfolësi ta rrokë në qafë plot rrespekt. Zenel Sula i donte nxënësit e tij dhe shkollën e tij. Ai punonte që shkolla të bëhej sa më e dobishme për të gjithë ata që e donin dijen. Është shumë domethënëse arritja e drejtorit për të pranuar në pedagogjike nxënësit e medresesë, të cilët nuk mund të bëheshin më klerikë fetarë prandaj kërkonin të bëheshin mësues. Ai punoi fort për t’a përshtatur programin edhe pse i duhej të përplasej me nomenklaturën e kohës. Kur ajo i kërkon llogari për këtë, Zenel Sula përgjigjet: “Këtë e bëra nga dëshira për të patur një hoxhë më pak e një mësues më shumë”. Autori konstaton që po vijnë kohë gjithnjë e më të vështira si për ekonominë ashtu edhe për fenë. Fshati i tij jep sinjale të qarta për mungesën e dëshirës që të hyjë vullnetarisht në kooperativë. Veçse, si kuadër, Zenel Sulës i duhet të punojë që hyrja të mos duket e detyruar. Por: “Të kanë çuar për të na futur në kooperativë- e pyet daj Hajdari dhe më tej vazhdon “si rregull ne themi se kooperativat ngrihen mbi baza vullnetare, por në praktikë...jo, siç po e shihni”. Sidoqoftë bëhet vullneti i partisë. “E çfarë fitojmë ne po ta shtyjmë?-pyet daj Hajdari-Asgjë- përgjigjet po vetë dhe vijoi-qoftë e bame kooperativa. Autori nuk le pa e thënë fillimin dhe perspektivën e hyrjes në këtë valle. “Vitet e para njerzit punonin si në tokat e tyre-shkruan ai- dhe rezultatet qenë të mira. Më vonë filloi rënia. Dhe jo vetëm në fshatin tim por kudo”. Po punët e fesë? Edhe pse ndikimi i saj ishte për të patur, ruajtur e zhvilluar një moral njerzor ai, sipas komunistëve, duhej zëvendësuar me moralin komunist. Si familja e Alsuleve ashtu dhe familjet e tjera me emër në Zerqan ishin praktikantë të tarikatit bektashian. Në zonën e Zerqanit praktikoheshin po ashtu edhe tarikate të tjera të fesë muslimane si kadri, rrufai dhe syni. Ajo që binte në sy ishte harmonia midis tyre. “Harmoninë midis feve tek ne (pra në zonën e Zerqanit-shënimi im) e vërtetojnë edhe miqësitë familjare- shkruan autori,- vetëm në shtëpinë tonë janë marrë disa nuse dhe janë dhënë vajza në familje kadrinjsh, rrufainjsh dhe syninjsh. Fryma bektashiane e kishte krijuar një harmoni të admirueshme midis burrave të familjes, respektonim njëri tjetrin sipas moshës, konsultoheshim për gjithçka”. Por feja ishte “halë në sy” për rregjimin komunist. Baballarët e Zerqanit e përjetonin me dhimbje çdo aksion kundër fesë edhe pse rregjimi, si kudo, ua kërkonte “ftohjen” me të. Me faktet që sjell në librin e tij, Zenel Sula dëshmon që megjithë masat e marra prapëseprapë besimi nuk u shkul nga zemrat e besimtarëve. Ai u ruajt në sjelljen sipas mësimeve të fesë, në kujdesin për klerikët fetarë, kryesisht baballarët e teqeve, në veneracionin e lartë ndaj objekteve fetare edhe pse rregjimi bëri çmos ta veniste shkëlqimin e tyre ose duke i prishur ose duke u tjetërsuar funksionin si dhe në kremtimin e festave të shenjta fetare. Prekës është tregimi për baba Muharremin, i cili për t’i ruajtur bamirësit e tij besimtarë nga ndonjë hakmarje qeveritare thotë: “Po të vdes, më nxirrni natën e më lini në breg të Lanës, që të mos ju vijë ndonjë e keqe nga qeveria”. Është interesante që gjithë sjelljen kujdesore të familjarëve e bashkëfshatarëve të tij ndaj klerikëve fetarë, edhe duke rrezikuar ndëshkimin nga rregjimi, Zenel Sula nuk e paraqet as si sakrificë e as si heroizëm por si një sjellje krejt të natyrshme. Duke i lexuar kujtimet e Zenel Sulës ndjehesh i miqësuar me njeriun që di të dëgjojë, di të mësojë, di të vlerësojë e di të dashurojë. Në librin e tij ai nuk tregon jetën e tij por jetën e atyre që kanë ndikuar në jetën e tij. Dhe, si një baba e gjysh i mirë Zenel Sula, duket sikur na flet sërish e sërish nëpërmjet veprës së njeriut të përkushtuar, duke mbetur për ne dhe brezat që do vijnë njeriu i kujtimit të paharruar.


49 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page