top of page

PËR DISIDENTËT...


Vangjush Saro


NJË TREGIM PËR DISIDENTËT DHE DISIDENCËN…


Jemi më të besueshëm, po të rrimë vetëm te “ballafaqimi dhe interpretimi kërkues i dukurive”


(Duke risjellë fragmente dhe ide nga libri “Shqipëria në dy kohë”)


Unë s’e paskam ditur që ne qenkeshim të gjithë disidentë (!) Është bërë modë denigrimi i së shkuarës e dëgjojmë lloj-lloj çudirash, njerëzia po bien përmbys për të shfaqur pak… disidencë. Njëri boton vargje nga ato që “kanë kapërcyer” çensurën. Një tjetër tregon se si vajti në fshat dhe atje ishte aq keq; doemos që ishte keq, çfarë do të gjenim ne në fshat, parajsën? Ku është “disidenca” këtu? Një tjetër tregon se çfarë kishte shkruar në bllokun e shënimeve. O, më raftë pika! Po hë, pse nuk u publikuan “në kohë” këto shënime? Një tjetër, për t’i bërë për vete ca dhjetra lexues “të adhnuar” keq me atë kohë, tregon se si lozte me top prej lecke. Ta këput shpirtin. (Meqë ra fjala, kësaj i thonë të “luash” me të vërtetat për pak më shumë vëmendje. Ka pasur top prej lecke deri në fund të viteve ‘50. Pastaj luhej me topa llastiku; një prej tyre ishte mesatar dhe kushtonte 45 lekë. Por gjendeshin edhe topa futbolli. Në fillim ata ishin me komardare; i frynim me pompën e biçikletës ose te biçikletari. U kujtove, o disident?)


Për hir të së vërtetës, ishin të rrallë ata që realisht u dënuan për idetë e tyre ose ngaqë kundërshtuan regjimin; rëndom njerëz të fesë, sidomos priftërinjtë katolikë, Musine Kokalari e pak të tjerë që patën kurajon të përballeshin me gjyqet farsë. Anipse me vepra modeste, ishin të tillë edhe disa poetë e gazetarë, që i shkuan në plumb e në litar.

Pjesa tjetër, e shumta, u vu përballë faktit të kryer, i bënte ndonjë letër Hoxhës (Enver) me shpresë së do shpëtonte, thoshte në gjyq që unë e dua Partinë, etj. dhe ndjehesh keq kur shkruan kështu, sepse sido të shkonte gjyqi, ata i priste Ferri. Ka asish që vunë dorë mbi nxënëset e tyre, mbi pacientet e tyre; u prangosën dhe që të mos krijoheshin kushte për hakmarrje apo për të “nxirë” figurën e mësuesit a të mjekut, u dënuan për agjitacion e propagandë, madje u përmendej në gjyq ndonjë vjershë a ndonjë bisedë ku kishte pasur ca… mjegull. Njëlloj farse.

Krijuesit apo intelektualët në liri apo pjesërisht në liri, ishin në njëlloj ballafaqimi me gjendjen. Vetëm kaq. Me fjalën “ballafaqim” kuptoj interpretimin ndryshe të dukurive. Dhe prapë vetëm kaq. Koha dhe rrethanat nuk falnin. Së paku, deri në fillim të viteve ‘80. Pra, të dallojmë kundërshtinë, interpretimin disi ndryshe nga… disidenca. Me apo pa dashje, një sërë krijues të përndjekur aso kohe, ishin gjithsesi në njëlloj pajtimi me rendin. (Mustafa Greblleshi, Petro Marko, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, Frederik Reshpja, etj.) Me apo pa dashje, krijime të kohës thjesht “u kapën” në një interpretim aso që rendit s’i vinte mirë: “Tuneli” Dh. Xhuvani; “Përbindëshi” I. Kadare; “Kur qesh tërë qyteti” Q. Buxheli; “Zhurma e errërave të dikurshme”, D. Agolli; “Njollat e murme” M. Jero, vënë në skenë nga Mihal Luarasi; Festivali i 11-të i Këngës; inskenimi i ndonjë vepre të huaj si “Pamje nga ura” (e A. Miler) vënë në skenë në teatrin e Korçës nga Piro Mani e deri te novela “Ata të dy” e K. Kostës, etj. Pra, pavarësisht çfarë mendonte njëri e tjetri, këta nuk ishin disidentë, nuk bënë (haptazi) disidencë; prandaj, më mirë le të rrimë te ballafaqimi ose interpretimi kërkues i dukurive të kohës. Është patjetër vlerë edhe kaq.

Për fat të keq, edhe ata (pak krijues) që u arratisën - e them me dhimbje - nuk arritën të ngriheshin në lartësinë e duhur për të qenë disidentë dhe për t’i treguar botës (artistikisht) Shqipërinë nën pushtetin e komunistëve fanatikë, sikundër kishte ndodhur me autorë të tjerë nga të tjera vende. (Mbase bota kishte më shumë interes për ata; mbase ishin me më shumë fat; mbase kishin më shumë talent.)

Disident, kjo është një fjalë e madhe gjithsesi. “Loja” është hapur keq fare. Përmbahuni! Nuk ishit disidentë…


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page