top of page

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA: LIGJ STRATEGJIK



“Për Mbrojtjen e Integritetit Territorial dhe të Demokracisë në Ballkan”

(Strategjia Amerikane për Parandalimin e Ndryshimit të Kufijve dhe Mbrojtjen e Paqes Demokratike) Draft Autorial:

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Washington D.C.

PREAMBULË

Duke u mbështetur në parimet themelore të lirisë, sovranitetit, demokracisë dhe integritetit territorial të shteteve, duke respektuar Karten e Kombeve të Bashkuara, Aneksin X të Marrëveshjes së Dejtonit, dhe Akti Final të Helsinkit (1975) mbi pacenueshmërinë e kufijve, si dhe duke njohur roli historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si garantues të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në Ballkan, ky projektligj synon të institucionalizojë strategjinë amerikane për parandalimin e ndryshimeve kufitare dhe për mbrojtjen e demokracive të brishta në Evropën Juglindore.

NENI 1 — Qëllimi Strategjik

 

Ky ligj përcakton:

Qëndrimin e përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër çdo përpjekjeje për rishikim kufijsh ose ndarje etnike në Ballkan;

Ndërtimin e arkitekturës së sigurisë demokratike amerikane në Evropën Juglindore, në përputhje me parimet e NATO-s dhe BE-së;

Parandalimin e ndikimeve destabilizuese të Federatës Ruse dhe Serbisë në politikat rajonale;

Përforcimin e rolit të NATO-s dhe të misionit KFOR si garanci afatgjatë e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan.

NENI 2 — Parimi i Kufijve të Pacenueshëm

2.1. Parimi themelor

Shtetet e Ballkanit të njohura ndërkombëtarisht (Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Kroacia) gëzojnë sovranitet të pandashëm dhe kufij të pacenueshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Çdo nismë për ndarje territoriale, korrigjim kufijsh apo ndarje etnike konsiderohet rrezik i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë euroatlantike.

2.2. Ilustrim konkret

-Pas vitit 2015, disa iniciativa politike për “korrigjim kufijsh” në rajon — veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë — u kundërshtuan ashpër nga Kongresi Amerikan, Departamenti i Shtetit dhe Bashkimi Evropian, me arsyetimin se do të rihapnin plagët e konflikteve etnike dhe do të rrezikonin stabilitetin e rajonit.

-Këto ide, që përfshinin ndarje etnike apo këmbime territoriale, u refuzuan nga qasja demokratike amerikane dhe përbëjnë precedent që duhet parandaluar në mënyrë ligjore e institucionale.

NENI 3 — Roli i SHBA-së si Garanci Strategjike

Shtetet e Bashkuara mbeten garantia themelore e integritetit territorial, paqes dhe stabilitetit demokratik në Ballkan.

Përmes NATO-s, KFOR-it dhe partneriteteve dypalëshe, SHBA-ja do të:

-Forcojë praninë e saj ushtarake, diplomatike dhe institucionale në Kosovë dhe Bosnje;

-Zgjasë bashkëpunimin me qeveritë demokratike të rajonit;

-Mbikëqyrë dhe sanksionojë çdo aktivitet që synon ndarje territoriale, ndikim rus ose dobësim institucional.

Ilustrim:Në Bosnje, kërcënimet për shkëputjen e “Republika Srpska”, të mbështetura nga Moska, kanë minuar paqen e Dejtonit.

-Në veriun e Kosovës, struktura të paligjshme të lidhura me Beogradin kanë tentuar ndarjen faktike të territorit.

-Në Mal të Zi, ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe është përdorur për të dobësuar sovranitetin dhe identitetin kombëtar.

Këto fenomene përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë euroatlantike.

NENI 4 — Mbrojtja e Demokracive të Brishta

Demokracitë e reja në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje janë në fazë konsolidimi institucional dhe kanë nevojë për mbështetje strategjike amerikane.

SHBA-ja, përmes këtij ligji, angazhohet të:

-Përforcojë sistemet gjyqësore, qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien;

-Parandalojë ndikimet hibride të Moskës dhe Beogradit në media, ekonomi dhe politikë;

-Mbështesë pluralizmin, zgjedhjet e lira dhe median e pavarur si themel i demokracisë.

Ilustrim konkret:

-Kosova, e çliruar me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, mbetet demokraci funksionale, por e sfiduar nga pengesa politike dhe diplomatike.

-Maqedonia e Veriut, përmes Marrëveshjes së Prespës, dëshmoi se ndërmjetësimi amerikan është garanci e paqes.

-Bosnja, megjithëse e mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit, mbetet e rrezikuar nga tendencat separatiste të mbështetura nga Rusia.

NENI 5 — Mekanizmi i Mbikëqyrjes dhe Parandalimit

Themelimi i Komisionit Amerikan për Sigurinë dhe Stabilitetin në Ballkan (CASSB), me mandat:

-Të i monitorojë zhvillimet politike, ushtarake dhe kufitare në rajon;

-Raportojë çdo tremujor në Kongresin e SHBA-së mbi gjendjen e sigurisë;

-Koordinojë masat parandaluese me Helsinki Commission, NATO-n dhe Departamentin e Shtetit.

Ilustrim:Komisioni do të mbikëqyrë aktivitetet e grupeve destabilizuese në Mitrovicë, Banja Llukë dhe Podgoricë, duke identifikuar lidhjet e tyre me shërbimet e huaja.

Raportet e CASSB-së do të shërbejnë si bazë për sanksione të menjëhershme diplomatike, ekonomike dhe ligjore.

NENI 6 — Sanksionet ndaj Kërcënimeve Territoriale

SHBA-ja do të zbatojë sanksione financiare, ekonomike dhe të udhëtimit kundër çdo subjekti politik ose shtetëror që:

-Promovon ndarje etnike ose ndryshim kufijsh;

-Përhap propagandë destabilizuese të tipit “botë serbe” apo “pansllavizëm politik”;

-Shkel marrëveshjet ndërkombëtare që garantojnë paqen në Ballkan.

Ilustrim:Milorad Dodik dhe struktura të lidhura me Moskën janë tashmë nën sanksione të SHBA-së për përpjekje për ndarje të Bosnjës.

-Ky ligj parashikon mekanizëm automatik sanksionesh ndaj çdo individi që nxit publikisht ndarje territoriale ose rrëzim të institucioneve demokratike.

NENI 7 — Zbatimi dhe Efekti Juridik Ndërkombëtar

Pas miratimit nga Kongresi, ky ligj bëhet pjesë përbërëse e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së për Evropën Juglindore.

SHBA-ja nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje ndërkombëtare që përfshin ndarje territoriale ose rishikim kufijsh.

Ky ligj do të forcojë koordinimin midis SHBA-së, NATO-s dhe BE-së për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në Ballkan.

NENI 8 — Rëndësia Historike dhe Strategjike

Ballkani ka qenë, ndër shekuj, hapësira ku janë përplasur interesat e Perëndimit dhe të Lindjes.

-Në shek. XIX–XX, Rusia e përdori Serbinë si instrument për dalje në Adriatik;

-Në vitet 1990–1999, politikat hegjemoniste serbe shkaktuan gjenocid në Bosnje dhe spastrime etnike në Kosovë;

-Në dekadën e fundit, ndikimi rus përmes Beogradit përbën kërcënimin më serioz për stabilitetin euroatlantik. Ky projektligj është, pra, instrument parandalues dhe strategjik i mbrojtjes së demokracisë dhe kufijve të pandryshueshëm të Ballkanit.

 Ky projektligj përfaqëson bazën morale, juridike dhe diplomatike të angazhimit të përhershëm amerikan në Ballkan. Ai siguron që SHBA-ja të mbetet mbrojtëse e kufijve ekzistues, e paqes demokratike dhe e sovranitetit të kombeve të rajonit. Në këtë mënyrë, Amerika garanton që paqja e fituar me ndërhyrjen e NATO-s dhe me sakrificën e popujve të Ballkanit të mos vihet më në rrezik.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page