Prof. Dr. Fejzulla BERISHA: KUR DREJTËSIA RREZIKON

KUR DREJTËSIA RREZIKON TË BËHET INSTRUMENT POLITIK, HISTORIA E KOSOVËS DUHET TË MBROHET!
Haga përballë së vërtetës historike: përgjegjësia është individuale, lufta çlirimtare nuk mund të njolloset dhe e drejta e shqiptarëve për liri e vetëvendosje nuk negociohet.
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Evropa e sotme duhet të përballet me një të vërtetë historike dhe juridike që nuk mund të anashkalohet: e drejta e shqiptarëve për liri, dinjitet, vetëvendosje dhe përcaktim demokratik të së ardhmes së tyre nuk mund të vihet në pikëpyetje nga interpretime politike apo nga procese gjyqësore që tejkalojnë kufijtë e mandatit të tyre juridik.
Proceset gjyqësore në Hagë kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë një dimension që shkon përtej përgjegjësisë penale të individëve. Ato kanë nxitur debat të gjerë juridik, historik dhe politik për mënyrën se si trajtohet lufta çlirimtare e Kosovës, sakrifica e popullit shqiptar dhe rruga historike që çoi drejt lirisë dhe pavarësisë.
Qëndrimi im është i qartë: drejtësia duhet të jetë e paanshme, e pavarur dhe e mbështetur në prova. Por ajo nuk mund të shndërrohet në instrument të interpretimeve politike, as të përdoret për të krijuar një narrativë që e shkëput luftën e Kosovës nga rrethanat historike në të cilat ajo u zhvillua.
Një gjykatë mund të shqyrtojë përgjegjësinë penale të individëve konkretë brenda mandatit të saj, por nuk mund të marrë përsipër të gjykojë historinë e një populli, të mohojë të drejtën e tij për liri apo të relativizojë legjitimitetin historik të rezistencës ndaj shtypjes dhe dhunës.
Kundërshtimi juridik: drejtësia nuk mund të mbështetet në paragjykime politike
Në një shtet të së drejtës, asnjë individ nuk mund të shpallet fajtor pa prova të mjaftueshme dhe pa respektimin e plotë të standardeve të procesit të drejtë. Prezumimi i pafajësisë, e drejta për mbrojtje, paanshmëria e gjykatës dhe vlerësimi objektiv i provave janë parime themelore të së drejtës penale dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Këto parime nuk mund të zbatohen në mënyrë selektive. Ato vlejnë për të gjithë, pa dallim kombësie, përkatësie politike apo pozite shtetërore.
Për këtë arsye, çdo akt gjyqësor duhet të analizohet me seriozitet juridik, në raport me bazën ligjore, kompetencën e institucionit, provat e administruara dhe garancitë procedurale. Kritika ndaj një vendimi gjyqësor nuk është sulm ndaj drejtësisë. Përkundrazi, kritika juridike është pjesë e domosdoshme e një sistemi demokratik dhe e zhvillimit të së drejtës.
Por drejtësia nuk mund të mbështetet në paragjykime politike, në interpretime të njëanshme historike apo në pretendime që nuk janë vërtetuar përmes një procesi të rregullt gjyqësor.
Kosova nuk kërkon imunitet për askënd. Ajo kërkon që çdo përgjegjësi të provohet individualisht dhe në mënyrë të paanshme. Njëkohësisht, kërkon që lufta çlirimtare të mos trajtohet si një fenomen i shkëputur nga represioni shtetëror serb, nga mohimi i të drejtave të shqiptarëve dhe nga rrethanat që e sollën vendin në prag të katastrofës humanitare.
Përgjegjësia individuale nuk është fajësi kolektive e një populli
Një nga parimet themelore të së drejtës penale është përgjegjësia individuale. Askush nuk mund të përgjigjet penalisht për veprimet e një personi tjetër, ndërsa përgjegjësia e individëve nuk mund t’i atribuohet automatikisht një organizate të tërë, një populli apo një shteti.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua në rrethana të jashtëzakonshme historike. Ajo ishte rezultat i një realiteti të rëndë politik, të represionit sistematik, të diskriminimit dhe të mohimit të të drejtave themelore të popullsisë shqiptare në Kosovë.
Për ta kuptuar luftën e Kosovës, duhet të kuptohet edhe ajo që i parapriu asaj: shkatërrimi i autonomisë, përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet, dhuna policore dhe ushtarake, dëbimet, shkatërrimet dhe krimet ndaj popullsisë civile.
Historia nuk mund të shkruhet duke i shkëputur ngjarjet nga shkaqet e tyre. Nuk mund të shqyrtohen pasojat pa u analizuar politikat që e prodhuan konfliktin. Nuk mund të kërkohet drejtësi vetëm për njërën palë, ndërsa të lihet në hije përgjegjësia për krimet e kryera nga aparati shtetëror serb.
Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i kryer gjatë luftës duhet të arsyetohet apo të përjashtohet nga shqyrtimi juridik. Çdo krim i provuar duhet të ketë përgjegjësin e vet. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të shqiptarëve dhe as në njollosje të gjithë luftës çlirimtare.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet drejtësisë dhe instrumentalizimit të saj: drejtësia kërkon prova, individualizim të përgjegjësisë dhe paanshmëri; instrumentalizimi politik kërkon përgjithësime dhe ndërton narrativa që rrezikojnë ta deformojnë të vërtetën historike.
Lufta çlirimtare e Kosovës duhet të vlerësohet në tërësinë e saj historike. Ajo nuk mund të reduktohet në aktakuza, procese gjyqësore apo përgjegjësi të pretenduara të individëve.
E drejta natyrore dhe e drejta e popujve për vetëvendosje
E drejta e një populli për liri dhe dinjitet nuk është dhuratë politike që mund të jepet apo të merret sipas interesave të momentit. Ajo mbështetet në parimet e së drejtës natyrore dhe në normat themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Karta e Kombeve të Bashkuara, në nenin 1, e njeh parimin e vetëvendosjes së popujve si një nga qëllimet themelore të organizatës. Po ashtu, neni 1 i dy Pakteve Ndërkombëtare të vitit 1966, për të drejtat civile dhe politike dhe për të drejtat ekonomike, sociale e kulturore, e njeh të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Ky parim lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin njerëzor, lirinë politike, barazinë dhe të drejtën e popujve për të përcaktuar statusin e tyre politik dhe për të ndjekur zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor.
Në rastin e Kosovës, represioni, mohimi i autonomisë, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe lufta e armatosur përbëjnë kontekstin pa të cilin nuk mund të kuptohet procesi i çlirimit dhe i pavarësimit të saj.
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin këshillëdhënës se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ky mendim ka rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike. Ai përbën një referencë të rëndësishme në mbrojtjen ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe të ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë.
Asnjë proces që lidhet me përgjegjësinë penale të individëve nuk mund të interpretohet si mohim i së drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet i pavarur dhe sovran. Këto janë çështje të ndryshme juridike, me baza dhe pasoja të ndryshme.
Përzierja e përgjegjësisë individuale me të drejtën e një populli për vetëvendosje është e pasaktë nga pikëpamja juridike dhe e rrezikshme nga pikëpamja historike.
Evropa duhet të ndërgjegjësohet për përgjegjësinë e saj historike
Evropa ka një përgjegjësi të veçantë historike dhe politike ndaj Kosovës. Ajo nuk mund të harrojë se në fund të shekullit XX, në zemër të kontinentit evropian, ndodhën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, dëbime masive dhe krime ndaj popullsisë civile.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një moment vendimtar për ndalimin e dhunës dhe krijimin e kushteve për çlirimin e Kosovës. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e aleatëve të NATO-s ishte përcaktuese në këtë proces.
Prandaj, Evropa nuk duhet ta trajtojë historinë e Kosovës në mënyrë selektive. Nuk mund të kërkojë standarde të larta të drejtësisë vetëm në një drejtim, ndërsa të jetë e paqartë ose e heshtur për përgjegjësinë e krimeve të kryera nga aparati shtetëror serb.
Barazia para drejtësisë kërkon që krimet të hetohen pa dallim kombësie, përkatësie politike apo pozite shtetërore. Viktimat kanë të drejtë për drejtësi, ndërsa të akuzuarit kanë të drejtë për proces të drejtë. Këto dy kërkesa nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën; ato janë pjesë e të njëjtit sistem juridik.
Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se standardet e tij juridike dhe demokratike zbatohen në mënyrë të barabartë. Besueshmëria e drejtësisë ndërkombëtare nuk matet vetëm me aftësinë për të ngritur aktakuza, por edhe me paanshmërinë e hetimeve, cilësinë e provave, respektimin e të drejtave procedurale dhe trajtimin e barabartë të viktimave.
Evropa duhet ta kuptojë se stabiliteti në Ballkan nuk ndërtohet mbi interpretime të njëanshme të historisë, por mbi drejtësi të barabartë, njohje të realitetit politik dhe respektim të sovranitetit të shteteve.
Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar. Ajo kërkon trajtim të barabartë. Nuk kërkon që historia ta zëvendësojë drejtësinë, por as që drejtësia të përdoret për ta deformuar historinë.
Shqipëria e natyrshme – perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët
Çështja shqiptare në Ballkan nuk mund të trajtohet vetëm përmes kufijve politikë të krijuar nga historia. Ajo duhet të shihet edhe përmes lidhjeve historike, gjuhësore, kulturore dhe kombëtare që i bashkojnë shqiptarët në rajon.
Shqiptarët kanë të drejtë ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, ta zhvillojnë bashkëpunimin dhe të ndërtojnë mekanizma të përbashkët në arsim, kulturë, ekonomi, shkencë dhe diplomaci.
Koncepti i Shqipërisë së natyrshme duhet të trajtohet si perspektivë politike dhe kombëtare e një të ardhmeje të përbashkët, e cila mund të zhvillohet vetëm përmes mjeteve demokratike, vullnetit të lirë të qytetarëve dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Ky vizion nuk duhet të ndërtohet mbi dhunë, imponim apo cenim të sovranitetit të të tjerëve. Ai duhet të mbështetet në bashkëpunim, integrim, zhvillim institucional dhe në të drejtën e qytetarëve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Në këtë kuadër, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë përgjegjësi të veçantë për të ndërtuar një partneritet strategjik më të fuqishëm. Ky partneritet duhet të shtrihet në koordinimin diplomatik, në politikat e sigurisë, në integrimin ekonomik, në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe në forcimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet ndërkombëtare.
Bashkëpunimi nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata politike. Ai kërkon mekanizma institucionalë, marrëveshje konkrete dhe strategji afatgjata. Dy shtetet duhet të jenë të afta të veprojnë në koordinim për çështjet me interes të përbashkët, pa cenuar sovranitetin e njëri-tjetrit.
Shqiptarët nuk duhet të heqin dorë nga aspiratat e tyre kombëtare, por duhet t’i realizojnë ato përmes dijes, diplomacisë, zhvillimit institucional dhe respektimit të normave ndërkombëtare.
Drejtësia ka kufirin e vet, e drejta e një populli nuk shuhet
Historia e Kosovës nuk mund të reduktohet në një proces gjyqësor. Asnjë institucion gjyqësor, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund ta zëvendësojë historinë e një populli, sakrificën e tij dhe të drejtën për të jetuar i lirë.
Nëse individë të caktuar kanë kryer vepra penale, përgjegjësia e tyre duhet të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave dhe të një procesi të drejtë. Por kjo përgjegjësi nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të shqiptarëve, në njollosje të luftës çlirimtare apo në mohim të së drejtës së Kosovës për shtetësi dhe sovranitet.
Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë mbi politikën, mbi interesat e momentit dhe mbi çdo presion që mund të ndikojë në paanshmërinë e saj. Ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, sepse vetëm kështu mund ta ruajë besueshmërinë e vet.
Evropa duhet ta kuptojë se Kosova nuk është çështje e përkohshme diplomatike dhe as realitet që mund të interpretohet sipas ndryshimit të rrethanave politike. Kosova është rezultat i një historie të gjatë përpjekjesh për liri, i sakrificës së qytetarëve të saj dhe i një procesi ndërkombëtar që çoi në pavarësinë e saj.
Prandaj, çdo përpjekje për ta ndarë drejtësinë nga standardet universale, për ta shkëputur historinë nga konteksti dhe për ta ngatërruar përgjegjësinë individuale me fajësinë kolektive duhet të kundërshtohet me argumente juridike, shkencore dhe diplomatike.
Drejtësia nuk duhet të jetë instrument i politikës. Historia nuk duhet të jetë peng i proceseve gjyqësore. E drejta e një populli për liri nuk mund të shuhet nga asnjë interpretim i njëanshëm.
Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi, të mbrojë historinë e saj, të forcojë shtetësinë dhe të ndërtojë të ardhmen në partneritet me aleatët e saj. Shqiptarët kanë të drejtë t’i zhvillojnë aspiratat e tyre kombëtare përmes rrugës demokratike dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Oj Evropë, ndërgjegjësohu! Mos e ngatërro gjykimin e individëve me gjykimin e një populli. Mos lejo që drejtësia të humbasë besueshmërinë duke u shkëputur nga parimet që e bëjnë atë drejtësi.
Liria e Kosovës është realitet historik dhe politik. Dinjiteti i popullit shqiptar nuk negociohet, ndërsa e ardhmja e tij duhet të ndërtohet mbi drejtësi, barazi, bashkëpunim dhe vetëvendosje demokratike.








Comments