top of page

Nuri Bufi: Promovohet Antologjia e Poezisë për Detin

5 minutes ago
6 min read


Këto ditë vjeshte, mes sfondit të argjendtë që ofron natyra dhe gjetheve të pemëve që bien, u mblodhën shkrimtarë, poetë dhe artistë durrsakë, me rastin e promovimit të krijimtarisë së tyre poetike e letrare, të përmbledhur në librin me titull „Antologjia e Poezisë për Detin“.

Enigmat dhe misteret e poezisë në gjuhën shqipe shfaqen që në fillesat e dokumentuara të saj, me botimin në Romë, më 1592, të veprës së Lekë Matrëngës, i njohur gjithashtu si Luca Matranga (1567–1619), në fshatin arbëresh Hora e Arbëreshëvet, në Palermo. Ai ishte prift dhe shkrimtar arbëresh, studioi në Kolegjin e Shën Athanasit në Romë dhe themeloi një shkollë në vendlindjen e tij.

Libri i tij, i përbërë nga 28 fletë, përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së shkruar dhe të dytin të shqipes, pas „Mesharit“ të Gjon Buzukut. Matranga përdori gjuhën shqipe, konkretisht arbërishten e folur në Piana degli Albanesi, duke e përshtatur në disa tipare fonetike, në mënyrë që të kuptohej edhe nga arbëreshët e kolonive të tjera.

Në librin e titulluar „E mbsuame e krështerë“, Lekë Matrënga sjell poezinë e parë të njohur të botuar në gjuhën shqipe. Kjo poezi, ndër të tjera, ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se gruan, femrën, e përmend që në vargun e dytë të saj:

Gjithë ju thëres, kush do ndëles,të mirë të krështerë, burra gra,mbi fjalët e Tinëzot të shihi meshë,se s’është njerii nesh çë mkatë ska:

Poezia në botën shqiptare gjeti një zhvillim më të gjerë gjatë periudhës së mëvonshme të Rilindjes Kombëtare, kur vargjet poetike dhe letrare u bënë shprehje e fuqishme e ndërgjegjes kombëtare. Në këtë traditë vjen edhe një thirrje e fortë poetike:

„Mos i besoni poetët që këndojnë Shqipërinë,S’është më Atdheu që na ka bërë për të qarë.Ngjajmë shumë me të edhe pse s’e dimë,E vramë ne atë apo ai na ka vrarë...“

Një apel i qartë, pothuajse i përjetshëm, që na rikthen te trashëgimia e Naimit, Konicës, Fishtës dhe të shumë personaliteteve të tjera të letrave shqipe.

Në vazhdim të periudhës së realizmit socialist, poezia, si shprehje motivuese e emocioneve njerëzore, zuri një hapësirë të gjerë në jetën letrare dhe kulturore të vendit. Gjatë asaj periudhe, që zgjati afërsisht gjysmë shekulli, nga gjiri i popullit, ku arsimi dhe kultura kishin bërë hapa të konsiderueshëm drejt edukimit të njeriut të ri, dolën dhe u shquan mjaft shkrimtarë e poetë, të cilët i thurën lavdi kohës, popullit të palodhur e shumëvuajtur, si dhe vrullit të brezit të ri në aksionet për ndërtimin e vendit.

Midis tyre ishin shkrimtarë dhe poetë si Ismail Kadare, Dhimitër Xhuvani, Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Petraq Qafëzezi, Fatos Arapi, Kol Jakova, Helena Kadare, Fatos Kongoli, Natasha Lako, Namik Dokle, Bardhyl Londo, Dhori Qirjazi, Llazar Siliqi, Teodor Laço, Fadil Kraja, Gaqo Veshi, Sabri Godo, Zija Çela, Skënder Drini, Naun Prifti, Vehbi Skënderi, Luan Qafëzezi, Sterio Spasse dhe Zihni Sako. Ashtu si në gjithë vendin, edhe në qytetin e Durrësit janë shquar mjaft artistë, krijues e poetë, ndër të cilët Gjergji Vlashi, Moikom Zeqo, Petraq Risto, Faik Ballanca etj.

Roli i tyre ka qenë përcaktues edhe në betejat kundër pushtuesve të vendit, ku arma e tyre, krahas pushkës, ishte edhe pena. Kjo e fundit, si një armë tjetër e rëndësishme, shërbeu për të frymëzuar moralin luftarak, duke mbajtur gjallë qëllimin dhe idealin për të cilin luftohej.

Krijimtaria poetike dhe letrare ka shërbyer si një formë emancipimi dhe ndërgjegjësimi për masat popullore, duke ndërthurur tonin lirik me atë epiko-patriotik. Poezia dhe arti letrar kanë nxitur e frymëzuar njerëzit në të gjitha kohët, deri në ditët e sotme, në kushtet e demokracisë së brishtë, kur edhe studentët e vendit janë ngritur në protesta. Dalja e tyre në rrugë shpreh kërkesën për një të ardhme më të mirë, për kapërcimin e krizave që kanë prekur shoqërinë dhe për legjitimitetin e demokracisë në vend.


Studentët, të nxitur si nga fryma e brendshme, ashtu edhe nga studimet e kryera në auditorë, i përmbahen me përkushtim mësimeve të filozofit të madh Aristotel. Ky i fundit, nxënës i Platonit dhe më vonë mësues e këshilltar në rrugëtimin e Aleksandrit të Madh, në Greqinë e lashtë, do ta përkufizonte që herët demokracinë përmes mendimit:

„Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit. Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabarta, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet. Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.“

Në qytetin bregdetar të Durrësit, krijimtaria poetike, veçanërisht poezia, frymëzon një aureolë të veçantë, ku ndërthuren atdhedashuria dhe kujtesa historike. Ajo shfaq një vizion poetik përmes të cilit historia kombëtare zbardhet si frymë identiteti. Kjo frymë e gjallë, që vazhdon të ripërtërihet në ndërgjegjen e kombit, krijon një hapësirë ku bashkohen kujtesa, sakrificat dhe krenaria qytetare. Poetika krijuese shfaqet si një magji, e mbështjellë me fshehtësi, enigma dhe mistere poetike.

Poezia mbetet një formë e shkruar e ligjërimit artistik, me vlera identitare, etike dhe estetike, duke e shndërruar fjalën në mjet kujtese dhe në instrument të vetëdijes kombëtare.

Kohët e fundit, një mori aktivitetesh kulturore, të lidhura me krijimtarinë poetike dhe letrare, kanë bashkuar shkrimtarët dhe artistët durrsakë. Nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë, krijimet e tyre poetike u kurorëzuan me organizimin e Festivalit të Dytë të Poezisë Durrsake 2026 dhe me përgatitjen e antologjisë kushtuar detit.

Poezitë e përfshira në këtë vëllim i kushtohen rivierës bregdetare, mitologjive, fantazive dhe historive që kanë shoqëruar bregdetin shqiptar ndër shekuj. Shpirti poetik i krijuesve, përmes këndvështrimeve të ndryshme mbi këtë hapësirë të përbashkët, shpaloset në krijimtari që mbartin reflektime, përjetime dhe përfytyrime të shumëllojshme.

Botimi, i cili u kurorëzua me sukses, pati si nismëtar dhe mbështetës kryesor kryetarin e „Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve“ në Durrës, zotin Agim Bajrami, përpjekjet dhe sakrificat e të cilit çuan deri në finalizimin e kësaj vepre, që mban titullin „Antologjia e Poezisë për Detin“.

Promovimi i kësaj antologjie, në këto ditë vjeshte, mes sfondit të argjendtë që ofron natyra dhe gjetheve që bien, bëri bashkë shkrimtarë, poetë dhe artistë të Durrësit. Ishte një veprimtari e veçantë, ku emocionet e autorëve, si pjesëmarrës në realizimin e përbashkët të kësaj antologjie, krijuan një atmosferë tepër të ngrohtë dhe inkurajuese për krijimtari e bashkëpunime të mëtejshme letrare dhe artistike.

Falënderime të veçanta u shprehën edhe për studion botuese „2M“, me president Aristak Osmanin, si dhe për kritikun Fatmir Minguli, pranë kësaj studioje.

Poezitë, si një epos shpirtëror, vijnë në këtë antologji të barabarta, jashtë kornizave gjinore dhe personifikuese, duke formuar një unitet dominues në ngritjen e kësaj peme të vlerave poetike e letrare. Në poezitë e shumta, lexuesi do të gjejë ndërthurjen e traditës etnografike me dimensionin modern të ligjërimit poetik dhe të moralit kombëtar.

Në vargjet e poetëve, deti shfaqet si metaforë e pasioneve të mëdha dhe të stuhishme, ku kujtesa dhe fantazia krijojnë një topografi përfytyrimesh brenda idealizimit të kombit tonë.

Mes poezive kushtuar detit, vërejmë se ato ushqejnë njëra-tjetrën dhe dëshmojnë se letërsia mbetet sublimimi i shpirtit dhe i përjetimit njerëzor. Përmbajtja e poezive të kësaj antologjie, përmes një konstelacioni letrar dhe figurash njerëzore të vendosura në marrëdhënie metaforike me përjetimet historike, pasqyron një tranzicion të gjatë drejt kontekstit historik dhe kulturor.

Antologjia me poezi kushtuar rivierës së gjatë bregdetare, përmes hapësirës joniane në jug dhe asaj adriatikase në veri, mbetet një shprehje identiteti, një hapësirë e kujtesës dhe një burim i pashtershëm i mitologjisë së karakterit shqiptar.

Platoni kishte shprehur mendimin se: „Poezia i afrohet të vërtetës më shumë se historia“.

Përmes shfletimit të kësaj antologjie, në faqet e saj shfaqen vargje poetike të autorëve të ndryshëm bashkëkohorë. Në këtë përmbledhje janë përfshirë krijimet e poetëve: Agim Bajrami, Merita Kuçi, Nada Minguli Kurti, Valbona R. Hadri, Astrit Lulaj, Edlira Gorreja, Sabiha Kurti, Shpendi Topollaj, Migel Flor, Vladimir Muça, Teuta Dhima, Fatmir Terziu, Alma Begaj, Nuri Bufi, Elona Basha, Meri Bo, Xhevahir Cirongu, Enton Bido, Ilir Paja, Luljeta Leka, Kadri Tarelli, Myzafer Ramzoti, Korça Bibiana, Bajram Sulejmani, Robert Shkurti, Rifat Ismaili, Dhurata H. Milaqi, Agim Lika, Adivie Hoxha, Vasil Kovi, Lulzim Hajdari, Lola Shehi, Sonja Cococanel (Zoica Kokoshari), Arjola Kondakçiu, Rexhep Shahu, Pol Milo, Hekuran Halili, Elona Tabaku, Luan Jaupi, Xhemë Karadaku, Fatbardha Xhani Myslymaj, Yllka Mërkuri, Hamdi Hysuka, Mimoza Elona Osmani, Hajri Lamaj, Mimoza Rexhvelaj, Mim Marjanaku, Trendafile Visha, Myzejene Konduri, Trandafile Molla Baja, Shahin Ibrahimi, Urim Mezini, Ruzhdi Begaj, Myrteza Mara, Mercedes Gega, Eva Kacanja, Skënder Milaqi dhe Doranin Agalliu.

Poetë të ftuar: Petraq Risto, Flora Dervishi, Bardhyl Agasi, Dashnor Dalanaj, Erjon (Hamdi) Muça, Elona Zhama, Blerta Topollaj, Arjana Fetahu Gaba, Kujtim Hajdari dhe Meçan Hoxha.

Poetë in memoriam: Moikom Zeqo, Piro Minguli, Nikolla Spathari, Alfons Dovana, Prokop Gjergo dhe Anastas Dhroso.

Poetët, me emrat dhe krijimtarinë e tyre, përmes ngjyrimeve fluoreshente që i japin kësaj antologjie kushtuar detit, mbeten jo vetëm objekte studimi, por edhe qenie me dritë të brendshme, me dinjitet dhe kujtesë.

Durrës, më 16.11.2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page