top of page

Prof Dr Eshref Ymeri: Poezia e Majakovskit në penën e kritikut të madh

  • 3 days ago
  • 8 min read

 

Ditë më parë, lexova Esenë e Prof.dr. Fatmir Terziut, me titull “Vrasja e poezisë së Majakovskit”, të botuar në Portalin e tij “Fjala e Lirë”.

Kur njihet me analizat kritike letrare të Prof.dr. Fatmir Terziut, lexuesi vetvetiu vjen në përfundimin se këtu kemi të bëjmë jo thjesht me një vështrim të përgjithshëm rreth subjektit të një vepre, por me një klithmë shpirti. Në analizën e poezisë së Majakovskit, Profesor Terziu i ka përcjellë lexuesit trishtimin shpirtdrithërues të këtij poeti të madh. E tillë është mjeshtëria e një kritiku të talentuar. E tillë është magjia e kritikës letrare. Ajo nuk ka për qëllim ta bindë lexuesin, ajo ka për detyrë t’i ndezë emocione të fuqishme.

Përmes analizës mjeshtërore të Profesor Terziut, del më së miri në pah figura e poetit me fat tragjik, edhe pse kishte qenë njëri nga përkrahësit më të fuqishëm të Revolucionit të Tetorit. Pavarësisht nga statusi i tij në kulturën zyrtare dhe simpatia e tij e zjarrtë për idetë revolucionare, në vitet e fundit të jetës ai pati përjetuar zhgënjime të thella.

            Si një analist i shkëlqyer i furtunave shpirtërore të heronjve të veprave letrare, Profesor Terziu zbulon në këtë Ese arsyet e zhgënjimeve të Majakovskit, në themel të të cilave janë jo vetëm proceset sociale në  Bashkimin Sovjetik, por edhe jeta e tij personale.

            Dihet që bolshevikët, si flamurtarë të Revolucionit Socialist të Tetorit, me Leninin në krye, udhëhiqeshin nga idetë e Manifestit të Partisë Komuniste të vitit 1848, me autorë Marksin dhe Engelsin, ide këto, të mbështetura në katër shtylla themelore:

a.     marrja e pushtetit me    dhunë;

b.     vendosja e diktaturës së proletariatit (në të vërtetë, ishte fjala për diktaturën e partisë, se proletariati s’kishte punë në këtë mes - E.Y.);

c.      lufta e klasave;

d.      zhdukja e pronës private.

Majakovski ishte me të vërtetë përkrahës i vendosur i Revolucionit të Tetorit, por, në të njëjtën kohë, ai u bë edhe dëshmitar i ngjarjeve tragjike që rrodhën gjatë zhvillimi të Luftës Civile, e cila shpërtheu më 17 maj 1918 dhe përfundoi më 25 tetor 1922. Gjatë asaj lufte u vranë 14 milionë njerëz nga radhët e popullsisë civile  dhe 3 milionë ushtarakë.

Duke ndjekur me shumë vëmendje ecurinë e krijimtarisë poetike të Majakovskit, Profesor Terziu ka sqaruar më së miri se, aty nga fundi i viteve 1920, pikëpamjet e poetit patën filluar të pësojnë ndryshime të dukshme. S’mund të ndodhte ndryshe, sepse Majakovski po vërente se realitetet sociale dhe politike ishin fare larg atyre idealeve, të cilat dikur ai i pati vlerësuar si themele të revolucionit. Ai po zhgënjehej gjithnjë e më shumë nga sistemi sovjetik, në të cilin po mbizotëronin burokracia, represionet dhe mungesa e lirisë së vërtetë. Krijimtaria e tij, e karakterizuar më parë nga një patos revolucionar, filloi të shndërrohej në një satirë therëse kundër rregullave të reja dhe Majakovski, gjithnjë e më shumë, po e ndiente veten të huaj për shoqërinë.

            Poezitë e krijuara në vitet e fundit të jetës së tij, përmbajnë tjetërthëna (aluzione) për këtë konflikt midis ëndrrës së tij dhe realitetit. Fraza e tij e famshme - realiteti ekzistues është një pisllëk i ngurosur - qe shndërruar në një simbol të tjetërsimit të tij nga sistemi sovjetik. Kësisoj, ai qe bërë i papërshtatshëm për pushtetin sovjetik. Talenti dhe natyra e tij e pavarur konsideroheshin si rrezik për regjimin, prandaj vdekja e poetit domosdo që ishte pjesë e një plani të gjerë, të hartuar në heshtje, për eliminimin e të gjithë atyre që mbanin një qëndrim kritik kundër sistemit. Në vijim po japim vetëm një listë të shkurtuar të atyre poetëve dhe shkrimtarëve, të cilët diktatura e egër staliniste i pati pushkatuar në periudhën e terrorit të madh pas Luftës Civile dhe sidomos nga fundi i viteve 1930:

Aleksandër Çajanov (1888-1937).

Boris Kornjillov  (1907-1938).

Boris Pilnjak (1894-1938).

Isak Babel (1894-1940).

Ivan Priblludnëj (1905-1937).

Nikollaj Gumilov (1886-1921).

Nikollaj Klujev (1904-1937).

Osip Mandelshtam (1891-1938), autor i poezisë së famshme, me titull “Jetojmë pa e ndier atdheun nën këmbë”.

Pavel Florenski (1882-1937).

Pavel Vasiljev (1910-1937).

Platon Gollovaç (1903-1937).

Sergej Kllëjçkov (1889-1937).

Sergej Tretjakov (1892-1937).

Vladimir Narbut (1888-1938).

Natën e 29 duke u gdhirë 30 tetori i vitit 1937, me aprovimin e Stalinit, qenë pushkatuar 132 intelektualë bjellorusë, nga të cilët 22 shkrimtarë.

            Të vrasësh poetë dhe shkrimtarë, që demaskojnë diktaturat, është një mëkat i rëndë. Sepse ata, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, janë më afër Hyjnisë. Sepse veprat e tyre shërbejnë si shkolla, si universitete edukimi. Sepse ata janë arkitektë të përkryer të shpirtit njerëzor. Sepse ata, më shumë se kushdo, janë selitësit e ndjenjave të dashurisë, të kësaj Hyjnie tokësore që mban botën gjallë. Sepse ata janë farkëtuesit e pasurisë shpirtërore të heronjve të tyre. Sepse ata janë edukatorët shëmbullor të dashurisë për atdheun, për punën, si thesari i të mirave materiale. Prandaj dy korifenj të letërsisë botërore shprehen:

            Gëte (Johann Wolfgang von Goethe - 1749-1832):

            “Si mund ta njohësh vetveten? Vetëm duke punuar, por anjëherë duke soditur. Provo të kryesh detyrën tënde dhe veten do ta njohësh menjëherë”.

Ernest Heminguej (Ernest Miller Hemingway - 1899-1961):

            “Mundohu të kryesh detyrën tënde dhe veten do ta njohësh aty për aty”.

            Poetë dhe shkrimtarë të tjerë, për t'i shpëtuar diktaturës staliniste, e braktisën atdheun. Po përmendim emrat e disave prej tyre:

Evgjeni Zamjatin (1884-1937), vdiq në Paris.

Ivan Bunin (1870-1953), vdiq në Paris.

Josif Brodski (1940-1996), vdiq në Nju Jork.

Vladimir Nabokov (1899-1977), vdiq në Моntrё (Zvicër).

            Poezia e Majakovskit, siç rezulton nga analiza e kritikut të madh, herë-herë merr nota shpërthyese me rebelizmin e saj fshikullues. Që prej vitit 1912, kur zë fill krijimtaria e tij poetike, Majakovski përfshihej në rrethin e poetëve nismëtarë të futurizmit në letërsinë ruse. Kjo rrymë letrare e pati tërhequr poetin rebel me mundësinë për të shembur format tradicionale dhe për të krijuar forma të reja, të cilat përshtateshin më shumë me frymën e kohës dhe zgjeronin hapësirën për pasurimin e gjuhës poetike me fjalë, shprehje dhe neologjizma të reja.

            Në analizën e Profesor Terziut bie në sy ndikimi që kanë pasur faktorë të ndryshëm mbi krijimtarinë poetike të Majakovskit. Në këta faktorë përfshihen:

            Së pari,  Revolucioni i Tetorit. Siç u theksua më lart, poeti e pati përshëndetur atë revolucion, sepse kishte bindjen se ai do të krijonte kushte për ripërtëritjen e shoqërisë, të jetës artistike dhe të transformimeve të tjera. Pra, poeti qe bërë njëri nga propagandistët më aktivë të ideve revolucionare.

            Së-dyti, ngjarjet historike në tërësi. Poeti po jetonte në epokën e tronditjeve të mëdha, çka gjeti pasqyrim në krijimtarinë e tij. Ai shkruante jo vetëm për revolucionin, por edhe për dashurinë, për vdekjen dhe për tema të tjera, qofshin këto të përjetshme apo edhe aktuale për kohën e tij.

            Së-treti, rrymat letrare. Majakovski ishte i njohur me krijimtarinë e simbolistëve dhe të poetëve të rrymave të tjera. Në vitet 1910, në simbolizëm qe vënë re një krizë në krijimtari dhe për Majakovskin më shumë rëndësi kishte jo gjetja, por krijimi i një stil personal.

            Së-katërti, jeta personale. Poeti pati përjetuar disa marrëdhënie dashurore dhe ndarje plot trishtim, të cilat domosdo që do të gjenin pasqyrim në poezinë e tij. Këtu do të ndalemi në disa prej tyre:

Lila Brik (1891-1978), me prejardhje hebraike, arkitekte dhe piktore, adhuruese e muzikës dhe e poezisë. Ajo kishte bindjen se vuajtja është pjesë e pandarë e një poezie të bukur. Ishte e martuar me Osip Brikun (1888-1945), hebre edhe ky, poet, shkrimtar, kritik letrar. Në vitin 1915, motra e Lilas, Elsa Triole (Тriolet -1896-1970), pati sjellë për vizitë te Brikët poetin e ri, 22-vjeçarin Majakovski. Aty pati shpërthyer menjëherë zjarri i një dashurie marramendëse të poetit me Lilan, e cila vazhdoi gjatë 15 vjetëve, deri në vetëvrasjen e tij.

Majakovski njihej për karakterin e tij të stuhishëm dhe këndvështrimet jo standarde ndaj jetës. Dashuria e tij shpërthyese për Lila Brikun qe bërë kaq e çmendur, saqë edhe bashkëshorti i saj, Osip Briku, qe zenë ngushtë dhe qe detyruar ta pranojë një dashuri të tillë. Kësisoj, Majakovski qe mbyllur brenda një trekëndëshi dashuror me Lilën dhe Osip Brikun. Për poetin, Lila qe shndërruar jo vetëm në muzë, por edhe në një zonjë me peshë, e cila përcaktonte shumë aspekte të krijimtarisë së tij. Kjo aleancë e pazakontë pati ngjallur një mori thashethemesh në mjedisin e bohemës, por për pjesëtarët e treshes dashurore kjo ishte një shfaqje e lirisë dhe e protestës kundër ndërhyrjeve në jetën personale të individit. Megjithatë, marrëdhëniet me Lilën i patën shkaktuar shumë vuajtje poetit, të shoqëruara me konflikte të brendshme, të cilat, sipas të gjitha gjasave, patën nxitur më tej krizën e tij shpirtërore.

Мaria Denisova (1894-1944), piktore dhe skulptore.

Elizabeta Llavinskaja  (1899-1948), muzikante dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja.

Eli Xhons (1904-1985), me prejardhje gjermane, njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe specialiste e modës, e martuar në moshën 18 vjeçe me anglezin Xhorxh Xhons, me të cilin pati emigruar në Amerikë. Para martesës quhej Elizabeta Zibert. Majakovski e pati njohur gjatë një vizite në Amerikë në vitin 1925.

Sofia Shamardina (1894-1980), veprimtare shoqërore dhe politike.

       Natalia Brjuhanenko (1905-1984), gazetare. Me Natalien Majakovski qe njohur kur ai kishte mbushur 33 vjeç, ndërkohë që ajo ishte 20 vjeçe. Majakovski s’ndahej dot prej kësaj bukurosheje të re, por i pati deklaruar se dashuonte Lila Brikun, duke i thënë:

            “Po të dëshironi. Juve do t’ju dashuroj në vend të dytë”.

            Vajza nuk pranoi, por megjithatë ajo vazhdoi të mbante marrëdhënie miqësore me poetin.

            Veronika Pollonskaja (1908-1994), aktore teatri, ishte e martuar në moshën 21-vjeçare. Poeti i kërkoi ta braktiste teatrin dhe të ndahej me burrin, por ajo nuk mund t’ia lejonte vetes një ndryshim kaq serioz në jetën e vet, se Majakovski 36-vjeçar i dukej kontradiktor, impulsiv dhe i lëkundur.

            Motivet e vdekjes, e vetëvrasjes patën filluar të shtoheshin në lirikën e poetit që në vitin 1916. Ai pati medituar për vdekjen, si për një fund të pashmangshëm të jetës. Dhe e fundit qe poezia me titull “Vargje nga një shënim i paravdekjes” e vitit 1930.

            Marrëdhëniet e komplikuara me të dashurën e fundit, e patën nxitur Majakovskin të ndërmerrte hapin final. Ajo, Veronika Pollonskaja, qe e fundit, të cilën poeti e takoi para vdekjes. Ai, me lot në sy, i qe lutur që ajo të mos shkonte në provat që kishte planifikuar para shfaqjes teatrore. Kur ajo po largohej, pa arritur të mbyllte derën plotësisht, prapa saj u dëgjua një krismë pistolete.

            Kështu u mbyll tragjikisht jeta e Majakovskit. Në analizën e vet, Profesor Fatmir Terziu lë të nënkuptohet fare qartë se vetëvrasja e Majakovskit nuk ishte thjesht pasojë e një dashurie të pafat. Ai, vërtet, gjatë fundit të viteve 1920, kishte ngritur një “gardh poetik” ndarës me diktaturën komuniste, por, duke pasur parasysh që poezia e tij avangardiste e kishte himnizuar personalitetin e tij në radhët e opinionit shoqëror, sitemi sovjetik nuk mund ta trajtonte dot si krijuesit e tjerë që pati pushkatuar gjatë viteve 1930. Prandaj ato aventurat dashurore që u përmendën më lart, të cilat janë të njohura publikisht, me siguri që janë shumë më të pakta se sa ato që janë mbajtur të fshehura pas perdes politike. Nënkuptohet që dashuri të tilla kanë pasë qenë të provokuara nga strukturat e shërbimit të fshehtë sovjetik, me qëllim vetëvrasjen e ngadaltë shpirtërore të poetit, e cila çon pashmangshmërisht drejt vetëvrasjes fizike. Poezia e Majakovskit nuk u ndalua me ligj, por asaj iu hodh përsipër një shtresë e dendur mjegullnaje, me qëllim që të zbehej në vetëdijen e lexuesve.

            Në ato kushte, Lili Briku, më 24 nëntor të vitit 1935, i qe drejtuar Stalinit me një letër të gjatë, nga e cila kemi shkëputur një fragment:

            “... I dashur Shoku Stalin... Me urdhër të Komisariatit të popullit për arsimin, nga tekstet e letërsisë bashkëkohore për vitin 1935, janë hequr poemat “Vladimir Iliç Lenin” dhe “Mirë e bukur”. Ato as që përmenden fare. Të gjitha këto dëshmojnë se institucionet tona nuk e kuptojnë rëndësinë kolosale të Majakovskit, rolin e tij agjitativ, frymën e tij revolucionare për aktualitetin. Nuk e vlerësojnë interesimin e jashtëzakonshëm për veprën e tij në radhët e rinisë sovjetike. Prandaj edhe e botojnë kaq pak… Nuk mendojnë për ruajtjen e kujtimit të tij në radhët e brezit të ri. Unë, një e vetme, nuk mund ta përballoj dot këtë mungesë interesimi, të shoqëruar edhe me pengesa dhe prandaj po ju drejtohem Juve, sepse nuk gjej dot mënyrë tjetër për përjetësimin e trashëgimisë revolucionare të Majakovskit”.

            Disa ditë më vonë, pikërisht më 05 dhjetor, në gazetën “Pravda”, qe botuar Rezoluta që pati nënshkruar Stalini, në përgjigje të letrës së Lili Brikut. Në atë rezolutë thuhej:

            “Majakovski ishte dhe mbetet poeti më i mirë dhe më i talentuar i epokës sonë sovjetike”.

Pas këtij reagimi të Stalinit, sipas një shprehjeje të Boris Pasternakut (1890-1960), “Majakovskin filluan ta kultivojnë si pataten gjatë sundimit të Ekaterinës”.

            Kaliforni, 31 maj 2026

 

 

 

2 Comments


Eshref Ymeri
2 days ago

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju jam thellësisht mirënjohës për vlerësimin  qe i keni bërë shënimit tim për Esenë Tuaj. Por kini parasysh, i nderuar Profesor: nuk kam thënë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Thjesht kam nxjerrë në pah mjeshtërinë e kritikës Suaj letrare, si një personalitet i rrallë në botën e letrave shqipe. Në bindjen time të patundur, arti i kritikës Suaj shërben si një universitet rrezatues në këtë fushë të dijes. Nuk e kam informacionin e duhur nëse në Fakultetet e gjuhësisë dhe të letërsisë të universiteteve shqiptare jepet ose jo, si lëndë e veçantë, kritika letrare. Nëse jepet, mendoj se Esetë Tuaja të shumta do të shërbenin si një tekst mësimor për studentët që janë të prirur për t’u…

Like

Fatmir Terziu
3 days ago

I nderuari Profesor Doktor Eshref Ymeri,

 

Ju falënderoj me mirënjohjen më të thellë për kohën, vëmendjen dhe analizën kaq të hollësishme që i kushtuat esesë sime “Vrasja e poezisë së Majakovskit”.

Fjalët Tuaja përbëjnë jo vetëm një vlerësim të çmuar për punën time studimore dhe kritike, por edhe një nder të veçantë që vjen nga një personalitet me autoritet të spikatur në fushën e gjuhësisë, të përkthimit, të kritikës dhe të mendimit intelektual shqiptar.

Teksa lexoja reflektimin Tuaj të pasur dhe të argumentuar, ndjeva se eseja ime kishte gjetur një lexues të rrallë, i cili jo vetëm depërton në tekst, por edhe zgjeron horizontin e tij me njohuri historike, kulturore dhe filozofike, duke i dhënë trajtesës dimensione të reja…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page