Prof. Dr. Eshref Ymeri: Mes rreshtave të një tregimi
- 4 hours ago
- 4 min read

Para pak ditësh lexova një tregim tejet emocionues të Prof. Dr. Fatmir Terziut. Tregimi titullohet “E shëmtuara e shpirtit”. Atë e përshkon ideja e qëndrimit të një mjedisi të caktuar ndaj të metave fizike të dikujt. Nënkuptohet se njeriu me të meta fizike është dyfish fatkeq: atë e bluan përbrenda shëmtia e lindur nga natyra dhe qëndrimi që mbahet ndaj tij në mjedisin e punës apo në rrethin shoqëror, kur, në mungesë të etikës elementare, ndokush manifeston sjellje shpërfillëse apo edhe shpotitëse ndaj tij. Megjithatë, duhet pasur parasysh se njeriun e bëjnë fatkeq ose të lumtur vetëm mendimet e tij, jo të metat fizike.
“Njeriu, – thotë Niçe (Friedrich Wilhelm Nietzsche, 1844–1900) – duke mbetur zot i mendimeve të veta, bëhet zot i lumturisë së vet.”
Heroina e tregimit, një mësuese muzike, emërohet në një fshat të largët, ku punonin katër mësues beqarë, të cilëve u kishte hyrë vetja në qejf. Kur morën vesh për emërimin e saj në atë shkollë, kishin menduar se ajo do të ishte ndonjë bukuroshe. Por ajo nuk ishte e tillë. Ata u zhgënjyen dhe nuk e pranuan në rrethin shoqëror të katërshes së tyre. Kësisoj, në heshtje, mbajtën një qëndrim fyes ndaj saj.
Pse? Cila ishte arsyeja? Kjo pyetje është shqetësuese për këdo, sepse fyerjet mund ta lëndojnë rëndë dikë, me pasoja në prishjen e marrëdhënieve. Analiza e arsyeve psikologjike që kanë në themel një qëndrim fyes ndaj dikujt mund të shërbejë për kapërcimin e situatave të tilla dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha.
Mësuesja e sapoardhur e ndjeu veten të vetmuar; mësuesit nuk e pranuan në rrethin e tyre. Por ajo nuk i lejoi vetes të binte në pozitat e një fëmije të dëshpëruar, për të cilin, siç thotë mjekja, pedagogia, shkencëtarja, filozofja dhe humanistja italiane Maria Montessori (Maria Tecla Artemisia Montessori, 1870–1952), “nëse e përqeshin shpeshherë, ai mëson të bëhet i druajtur”.

Për “inat” të tyre, ajo mësuese “kishte qenë e vetmja që nuk kishte turp të ishte ashtu siç ishte. Ajo këndonte në korridore. Qeshte me zë të lartë”.
Përsëri, filozofi gjerman Niçe, për njerëz me një karakter të tillë, shprehet: “Ka mundësi që unë, më mirë se kushdo tjetër, e di se cila është arsyeja që një njeri i vetmuar qesh vazhdimisht: në vetminë e vet ai vuan kaq shumë, saqë i duhet të shpikë të qeshurën.”
Heroi kryesor i tregimit, njëri nga të katër mësuesit, i cili, pas një fushate zgjedhore, qe emëruar në një post të rëndësishëm në Kryeministri, megjithëse dikur, atje në fshat, e kishte dëshiruar atë mësuese, tashmë nuk ishte kujtuar më për të. Ai tashmë ishte dikushi, me një funksion të lartë, me një apartament të madh e të bukur në kryeqytet, me makinë, me telefonin në dorë, me shërbime jashtë vendit për të marrë pjesë në konferenca të ndryshme, me bashkëshorten e sistemuar në punë për bukuri dhe me vajzën në kolegj.
Por, megjithatë, gjumin nuk e bënte rehat. Kujtesa nuk e linte të qetë; ajo e kthente përsëri atje larg, në atë shkollën e fshatit. “Dikur flinte kudo. Në dhomat e ftohta të shkollës së malit, në hotelet e vogla të rretheve, edhe mbi tavolinën e mësuesve, kur ndonjë mbledhje zgjatej deri vonë. Tani kishte shtrat të madh, ajër të kondicionuar, perde të trasha.” Por emri i asaj mësueseje i dilte para syve orë e çast. Me ndryshimet që ndodhën, mësuesja qenkësh larguar në emigracion dhe, pas shumë vitesh, ishte kthyer në atdhe. Duke e ditur se ish-kolegu i saj i dikurshëm punonte në Kryeministri, një ditë ajo shkon te sekretarja e tij për t’i kërkuar një vend pune në arsim.
Ai e priti. Ajo tashmë nuk ishte vajzë; ishte një grua e pjekur. E ftoi për darkë në hotelin e një miku. Pasi u çlodhën, në bisedë e sipër, ajo e pyeti nëse vazhdonte ta kujtonte si të shëmtuar.
Kjo pyetje e çarmatosi krejt. Një vuajtje e rëndë shpirtërore po i shtrëngonte gjoksin fort.
Kur lexon këto rreshta, lexuesi bie në përsiatje të thella. Vuajtje të tilla mund të kenë si shkak dhembjet fizike, hidhërimin, frikën, alarmin, pendesën.
Teologjia kristiane e vlerëson vuajtjen si një shpagim për mëkatet e kryera. Në të njëjtën kohë, pikërisht përmes vuajtjes mund të arrihet larja e fajit. Bashkëvuajtja, në këtë kuptim, rezulton universale, përderisa dashuria për njeriun e afërt ngjall përherë keqardhje dhe simpati.
Vuajtja është një mospërmbushje e përjetshme e vullnetit, me qëllime të ndërmjetme gjatë rrugës për arritjen e një pikësynimi të pafund. Filozofi gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788–1860) thotë: “Ne e kemi pranuar me kohë se një pikësynim i tillë, i cili përbën bërthamën dhe qenien në vetvete të çdo gjëje, është ajo që, brenda nesh, ku zbulohet shumë më qartë nën dritën e vetëdijes së plotë, quhet vullnet. Dhe atëherë, ne, pengesën që qëndron mes tij dhe qëllimit të tij të përkohshëm, e quajmë vuajtje; përkundrazi, arritjen e qëllimit e quajmë kënaqësi, mirëqenie, lumturi.”
Pas asaj pyetjeje të koleges së dikurshme në atë shkollën e largët, heroi kryesor i tregimit, nëpunësi i lartë i shtetit, u gjend në një dyluftim të rreptë me vetveten, duke pranuar në heshtje: e shëmtuar nuk kishte qenë ajo kolegia mësuese, sepse shëmtia e vërtetë prehej në shpirtin e tij dhe të atyre kolegëve me hundën në hava.
Përkundrazi, mësuesja kolege, me natyrën e saj të qeshur dhe gazmore, kishte zbuluar bukurinë e shpirtit të vet.
Prof. Dr. Fatmir Terziu, si mjeshtër i fjalës artistike dhe kritik letrar i pakrahasueshëm në botën e letrave shqipe, e tërheq aq shumë lexuesin, saqë e bën ta mbajë të ndezur kërshërinë gjatë leximit të veprave të tij.
Kaliforni, 4 shtator 2026








Comments