top of page

Fatmir Terziu: Një shikim sy më sy

  • 1 hour ago
  • 2 min read

 

“Bëma, baba, të të ngjaj…”

Ndoshta kjo do të ishte preambula më e bukur e asaj fotografie: një shikim sy më sy, ku nuk flasin vetëm dy njerëz, por dy breza, dy kujtesa dhe një dashuri që ka ditur të rritet përtej fjalëve.

Dhe pastaj vjen shënimi i të birit, Dr. Adi Fandit, si një përshëndetje e ardhur nga thellësia e zemrës: “84+ dhe jeta vazhdon me pëshpëritjet e veta duke të thënë: ‘Edhe 100’.”

Kështu ndodh sot, në këtë ditëlindje të veçantë të Harallamb (Lame) Fandit – poetit, tregimtarit, përkthyesit, intelektualit dhe, mbi të gjitha, njeriut që një jetë të tërë ia kushtoi jekësisë, duke e bërë profesionin e tij jo vetëm një detyrë, por një formë të humanizmit dhe të shërbimit ndaj njeriut.

Tetëdhjetë e katër vite nuk janë thjesht një numër. Janë faqe jete, janë njerëz të takuar, fate të prekura, vargje të shkruara, tregime të rrëfyera, vepra të përkthyera dhe kujtime që kanë mbetur në jetën e atyre që e kanë njohur.

Dhe sot, urimi për të nuk nis vetëm nga një datë kalendari. Ai nis nga Londra, udhëton drejt Italisë, e më tej kthehet në një pikëtakim të veçantë në Vlorën e lindjes – atje ku kujtesa ka gjithmonë një zë më të ngrohtë dhe ku një jetë duket sikur rikthehet te burimi i saj.

Në këtë udhëtim të urimit, Harallambi është protagonisti që pret e përcjell fjalët e miqve, por edhe dëshmitari i një kohe që ka ndryshuar shumë dhe i një jete që ka ditur të mbetet besnike ndaj vlerave.

E ndoshta fotografia “Një shikim sy më sy” e thotë më bukur se çdo fjalë atë që ne përpiqemi të shkruajmë sot: një baba që sheh birin dhe një bir që sheh tek i ati jo vetëm figurën e prindit, por një jetë të tërë që meriton të kujtohet, të nderohet dhe të vazhdojë.

I dashur Lame Fandi,

Në këtë ditëlindje, urimi ynë është i thjeshtë, por i madh sa dashuria dhe respekti që ke mbledhur gjatë jetës:

Edhe 100!

Edhe 100 me shëndet, me dritë, me fjalën e bukur të poezisë, me tregimin që ende pret të rrëfehet, me përkthimin që ende pret të gjejë gjuhën e vet dhe me atë buzëqeshje të qetë të njeriut që ka dhënë shumë.

Nga Londra në Itali, e prej andej te Vlora jote e lindjes, le të vijë sot një urim i vetëm:

Gëzuar ditëlindjen, Harallamb (Lame) Fandi!

Edhe 100 vite të tjera, që jeta të vazhdojë të të pëshpërisë në vesh: “Edhe pak… edhe shumë!”

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page