Sakip Cami: Tetori i letërsisë në Shkollën 9 vjeçare “Fasli Cami” Viçisht

Nga Daniela Çoku
Një takim me fjalën, librin dhe vlerat e artit! Në kuadër të Muajit të Letërsisë, në shkollën 9-vjeçare “Faslli Cami”, Viçisht, u zhvillua një veprimtari e veçantë letrare, e cila solli më pranë nxënësve botën e librit, bukurinë e fjalës shqipe dhe vlerat e krijimtarisë letrare. Kënaqësi e veçantë ishte prania e dy shkrimtarëve tanë të ftuar, Prof. Dr. Shpetim Cami dhe shkrimtari dhe publicisti Sakip Cami, bijtë e fshatit Viçisht. Mirënjohje dhe falënderim për ta, të cilët përveç pranisë dhe bashkëbisedimit të bukur me nxënësit, dhuruan edhe libra për shkollën tonë. Një gjest fisnik që pasuron bibliotekën dhe nxit dashurinë për leximin te brezat e rinj! Me përvojën, krijimtarinë dhe përkushtimin e tyre i dhanë këtij takimi një vlerë të veçantë dhe një mundësi të çmuar për nxënësit tanë për të njohur më nga afër botën e shkrimtarëve dhe për të kuptuar se letërsia është një urë që lidh brezat, kultivon mendimin dhe pasuron shpirtin. Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë ishte bashkëbisedimi i nxënësve me shkrimtarët. Përmes pyetjeve të drejtpërdrejta, ata shprehën kureshtjen e tyre për krijimtarinë letrare, rrugëtimin e autorëve dhe rëndësinë që libri ka në formimin e njeriut. Ky dialog e bëri takimin më të gjallë, duke nxitur mendimin kritik, komunikimin dhe dëshirën për të lexuar.



Në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe drejtuesi i Zyrës Arsimore të Bashkisë Bulqizë Fatos Muha si dhe ekonomisti e studiuesi Agim Kasa i cili i dhuroi shkollës sonë librin me titull “Dibra më 1990: shifra, fakte, komente” shkruar prej tij. Dhurimi i librave eshte më shumë se nje dhuratë; është nje investim në dije, në kulturë dhe në formimin e brezave të rinj. Për ketë gjest bujar të dy shkrimtarëve me dhurimin e disa librave dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës sonë, u shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona të sinqerta në emër të shkollës sonë. Një falënderim i veçantë për të ftuarit tanë, për kontributin dhe gatishmërinë e tyre për të ndarë me nxënësit përvojën dhe dashurinë për librin, si dhe për mësuesit dhe nxënësit që me përkushtimin e tyre i dhanë jetë kësaj veprimtarie. Sepse një libër i hapur është një mendje që zgjohet, një imagjinatë që fluturon dhe një e ardhme që ndërtohet me dije. Shkolla jonë do të vijojë të mbështesë veprimtari që ushqejnë dashurinë për leximin, vlerësojnë krijimtarinë shqiptare dhe mbajnë gjallë lidhjen e brezave me librin dhe kulturën.








Comments