Prof Dr Eshref Ymeri: Komunistët, këta vrasës të dashurisë
- 1 hour ago
- 13 min read

Ne shqiptarët e dimë fare mirë se si komunistët e patën vrarë dashurinë në kohën e diktaturës së egër, me kriminelin Enver Hoxha në krye.
Shembullin më tragjik të vrasjes së dashurisë e kanë dhënë vetë Nexhmije dhe Enver Hoxha, dy figurat më kriminale të vëndit tonë që nga vitet e luftës së dytë botërore. Dihet që volejbollisti emblematik i skuadrës së “Dinamos”, krenaria e sportit shqiptar, Asllan Rusi, pati dashuruar Pranvera Hoxhën, e cila në vitin 1975 stërvitej me ekipin e volejbollit të vajzave të “Dinamos”. Asllan Rusi qe njohur me Pranverën në plazhin e Durrësit. Me urdhër të Nexhmijes dhe të Enverit, Asllanin e pati arrestuar policia, të cilin e çoi me dhunë në spitalin psikiatrik. Aty i injektuan ilaçe shkatërruese, të cilat e çuan drejt vdekjes në vitin 1983.
Kryekrimineli Enver Hoxha ishte ai, i cili vrau dashurinë e të birit të Mehmet Shehut, Skënderit, me vajzën bukuroshe, Silva Turdiun, të bijën e Profesorit të nderuar të Universitetit të Tiranës, Qazim Turdiu. Ajo fejesë i pati shërbyer Enver Hoxhës si vjegë për eliminimin e Mehmet Shehut, për t’i hapur rrugën drejt kryepushtetit partiak një tjetër kryekrimineli, Ramiz Alisë.
Vrasjen e dashurisë e kreu edhe kryeservili i diktatorit Enver Hoxha, shkrimtari Ismail Kadare. Ky vrau dashurinë e së bijës me një shokun e klasës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, i cili ishte një nxënës mjaft i talentuar. Krimi i Kadaresë ishte i dyfishtë: gjatë dashurisë me të dashurin e vet, vajza kishte mbetur shtatzanë, por Kadareja e detyroi ta abortonte. Dhe, paskëtaj, me mbështetjen e organeve shtetopartiake të diktaturës, të dashurin e vajzës e detyroi të shtrohet në spitalin psikiatrik, ku, ashtu si edhe Asllan Rusit, i injektuan të njëjtat ilaçe vrastare, të cilat e katandisën në një gjendje të tillë organizmin e tij, saqë për vite të tëra vazhdon të dergjet invalid në Nju Jork.
Temën e dashurive të vrara gjatë diktaturës së përbindshme komuniste, e ka pasë trajtuar me një art të jashtëzakonshëm shkrimtarja e shquar, Vilhelme Vranari Haxhiraj, kjo ikonë vezulluese në galaktikën e letrave shqipe, e cila, më 29 prill 2026, u largua për në jetën e amshuar, duke u lënë lexuesve si trashëgimi të përjetshme 72 vepra letrare të të gjitha gjinive, të cilat i pati krijuar gjatë 29 vjetëve.
Dashuritë e vrara janë dëshmia më e qartë e natyrës kriminale të diktaturës komuniste në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniane.
Në Esenë që do të sjellim më poshtë, bëhet fjalë për vrasjen e dashurisë së bijës së Stalinit, Svjetllana Alillujevës, e cila nuk pati pranuar kurrë të mbante mbiemrin e të atit, por vetëm të nënës. Kjo Ese, me titull “Arratisja e vajzës së Stalinit në Perëndim dhe rrëfimet e saj”, është botuar në Youtub kanalin rus “Dëshmitari i fundit”. Ja përmbajtja e saj në vijim:
28 shkurt 1926. Moskë. Apartamenti në Kremlin. Josif Stalinit dhe së shoqes së tij, Nadjezhda Alillujevës, u lindi një vajzë. Ia patën vënë emrin Svjetllana. E vetmja vajzë e udhëheqësit. Stalini asokohe ishte 47 vjeç. Ishte Sekretar i Përgjithshëm i partisë, njeriu më i pushtetshëm i vendit. Nadjezhda ishte 25 vjeçe, e re, e bukur, idealiste. Ata kanë një djalë, Vasilin, ai është 5 vjeç. Kanë edhe Jakovin, djalin e Stalinit nga martesa e parë, ai është 19 vjeç. Por Svjetllana është e veçantë. Që në ditët e para, Stalini e adhuronte të bijën, e quante Svjetonka, me përkëdheli, e mbante në dorë, luante me të, e puthte. Kjo duket e pabesueshme: Stalini, diktator i egër, vrasës i miliona njerëzve, por për Svjetllanën ishte një prind i dashur. Më vonë, Svjetllana, në kujtimet e veta, do të shkruante:
“Në fëmijëri nuk e kam ditur se kush ishte babai im në të vërtetë. Për mua ai ishte thjesht një babush i dashur, gazmor, luante me mua, më lexonte libra, unë isha e lumtur, absolutisht e lumtur”.
Kremlini, në vitet 1920-1930, ishte një qytet brenda një qyteti. Këtu jetonin të gjithë udhëheqësit: Stalini, Molotovi, Voroshillovi, Kaganoviçi. Fëmijët e tyre rriten së bashku, luajnë në oborrin e Kremlinit. Svjetllana ishte princesha e asaj bote. Asaj s’i mungon asgjë: lojrat më të bukura, rrobat më të bukura, mësueset, dadot, kujdestaret, truprojat më të mira. Ajo nuk di ç’është uria, nuk di ç’është frika, Një herë për një herë. Por në këtë kafaz të artë vihej re një plasaritje. Dhe kjo plasaritje ishte nëna e Svjetllanës, Nadjezhda Alillujeva. Kush ishte Nadjezhda? Ishte e bija e një revolucionari, qe rritur në një familje bolshevike, qe njohur me Stalinin kur ishte 16 vjeçe, kurse ai - 38 vjeç. U martua në moshën 17 vjeçe, me një diferencë moshe prej 22 vitesh.
Vitet e para të martesës ishin të lumtura. Nadjezhda besonte në idetë e revolucionit, i besonte Stalinit. I lindi dy fëmijë - Vasilin dhe Svjetllanën. Por, me kalimin e kohës, gjithçka ndryshoi. Stalini erdhi e u bë gjithnjë e më i egër, gjithnjë e më paranojak. Ai i bërtiste Nadjezhdës, e poshtëronte në sytë e të tjerëve, shkonte me fëmra të tjera, haptazi. Nadjezhda vuante, po vërente se ç’po ndodhte brenda vendit: gjithandej uri, represione, pushkatime. Ajo po e kuptonte: i shoqi ishte një përbindësh. Por ajo ndodhej në grackë: ta braktiste Stalinin, ishte e pamundur, ai s’do ta lëshonte. Të thoshte të vërtetën? Po kujt? Të gjithë kishin frikë. Nadjezhda po binte në depresion gjithnjë e më thellë.
8 nëntor 1932. Kremlin. Banket për nder të përvjetorit të Revolucionit të Tetorit. Stalini i dehur, arrogant. E fyen Nadjezhdën në sytë e të gjithëve, i turret me ulërima:
- Ej, moj, pse nuk pi!
Nadjezhda nuk pranon të pijë. Stalini i flak në fytyrë një bisht cigareje, në praninë e të gjithëve. Nadjezhda çohet më këmbë, largohet nga banketi, shkon në dhomën e vet dhe merr në dorë pistoletën.
9 nëntor 1932. Mëngjez. Pastruesja e gjen të vdekur Nadjezhda Alillujevën. Nga një plumb në zemër. Ishte 31 vjeçe. Versioni zyrtar: “Nadjezhda vdiq nga apendiciti”. Kështu njoftohej nëpër gazeta. Kështu i thanë popullit. Gënjeshtra. Të vërtetën e mësuan vetëm ata lartë. Nadjezhda ia kishte hequr vetes. Kjo ishte vetëvrasje. Por Stalini kishte dhënë urdhër të heshtej: askush nuk duhet ta dijë të vërtetën, veçanërisht fëmijët.
Svjetllana ishte 6 vjeçe. Asaj i thanë: “mamaja qe sëmurë dhe vdiq”. Svjetllana qante, nuk kuptonte. Cila ishte arsyeja që mamaja nuk i pati dhënë lamtumirën? Pse e patën larguar aq shpejtë kufomën e saj? Të vërtetën Svjetllana do ta mësonte vetëm dhjetë vjet më vonë, në vitin 1942, kur ajo do të mbushte 16 vjeçe. Ajo do të lexonte rastësisht në një revistë të huaj. Atje shkruhej:
“E shoqja e Stalinit ka vrarë veten”.
Svjetllana kujtonte ato çaste:
“Unë isha e shokuar, shkova me vrap te babi dhe e pyeta se nuk mund ta besoja. Ai më tha se ajo ishte armike...”.
Patën qarkulluar shumë mendime për arsyet e vetëvrasjes së Nadjezhda Alillujevës. Arsyet ishin të shumta. Thuhej se ajo nuk e pati duruar dot jetën me një tiran, i cili qe bërë edhe më i egër, edhe më i pamëshirshëm, se ajo pati mësuar të vërtetën për përmasat e urisë në Ukrainë dhe përgjatë Vollgës, për vdekjen e miliona njerëzve nga uria për shkak të kolektivizimit të detyruar dhe të grumbullimit po të detyruar të drithit nga ana e shtetit, për shpalljen kulakë të miliona fshatarëve që tokën e kishin në pronësi.
Po le t’i kthehemi përsëri nga fillimi jetës së Svjetllanës.
Pas vetëvrasjes së nënës, jeta e vogëlushes qe kthyer në një plagë të vërtetë, që nuk u shërua kurrë. Ajo pati humbur jo vetëm nënën, por edhe ndjesinë e pasigurisë për jetën e vet. Shtëpia nuk i dukej më si shtëpi, i ati qe tjetërsuar, qe bërë më i huaj, më i zymtë, ose asaj i dukej ndryshe. Me kalimin e viteve, ajo mësoi të vërtetën për vdekjen e nënës. Moshën e pararinisë së vet ajo e pati përjetuar gjatë vitëve ’30, të cilat, në historinë e Bashkimit Sovjetik, njihen si vitet e terrorit të tmerrshëm, sidomos vitet 1937-1938, kur u pushkatuan dhe u internuan në kampet e punëve të detyruara miliona njerëz, midis tyre edhe ushtarakë të lartë. Kësisoj, Kremlini qe shndërruar në një “ishull stabiliteti fantazmagorik” mes detit të një terrori të tmerrshëm, por edhe atje frika u kishte hyrë njerëzve në palcë. Svjetllana shikonte se si ndryshonin fytyrat e njerëzve rreth të atit, në të cilat lexoheshin açik servilizmi, frika, besnikëria e shtirur. Ajo vazhdonte shkollën. Shokët e klasës silleshin ndaj saj herë me frikë, herë me respekt, mësuesit i serviloseshin, miq të vërtetë nuk kishte. Si mund të kishte miq të tillë, kur të gjithë e dinin se kush ishte i ati i saj. Pra, pararinia e saj kaloi në kushtet e një izolimi të tmerrshëm.
Në moshën 16-vjeçare Svjetllana ra në dashuri. Ishte dashuria e parë, e çiltër, përvëluese. Aleksej Kapler, kinoregjisor, skenarist, i talentuar, joshës, bukurosh, 23 vjet më i madh se Svjetllana. Për Svjetllanën ai ishte bota mbarë, ai i fliste për kinematografinë, për letërsinë, për jetën përtej caqeve të mureve të Kremlinit. Ai i dhuronte ndjesinë se ajo ishte thjesht jo e bija e Stalinit, por një vajzë plot gjallëri, e prirur për të dashuruar dhe për të qenë e dashuruar. Ata takoheshin fshehurazi, por në Bashkimin Sovjetik, aq më tepër në rrethin e Stalinit, të fshehtat ishin të ndaluara.
Viti 1943. Stalini vihet në dijeni për dashurin e së bijës. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Kaplerin e arrestojnë dhe e dëbojnë për në kampet e internimit në veri të vendit, me një afat pesëvjeçarë. Svjetllanës nuk i lejohet as ta kujtojë emrin e tij. Stalini e thërret dhe i thotë me një ton të ftohtë se ky njeri është spiun britanik, se ai e ka shfrytëzuar. Ajo nuk beson, por ç’mund të bënte, ajo merr mësimin e parë, i ati e kishte gjithçka nën kontroll: jetën e saj, ndjenjat e saj, zgjedhjen e saj. Nëse dashuria e Kaplerit për Svjetllanën ishte e çiltër ose jo, ajo nuk do ta mësonte me saktësi, por, për atë dashuri, ai vuajti vite të tëra nëpër kampe internimi.
Lufta përfundoi në vitin 1945. Svjetllana hyn në Universitetin e Moskës, në fakultetin e historisë, vazhdon mësimet, bën një jetë studentore, aq sa kjo ishte e mundur për vajzën e Stalinit. Dhe bie përsëri në dashuri. Grigor Morozovi, shok kursi, student hebre, i zgjuar, i urtë, i rregullt. Stalini është kundër në mënyrë kategorike: hebre! Antisemitizmi i të atit në vitet e pasluftës vjen e ashpërsohet. Por Svjetllana, 19-vjeçare, ngul këmbë në të vetën. Ajo martohet për inat të të atit, për të vërtetuar se vendimet mund t’i marrë vetë. Dasma bëhet pa pjesëmarrjen e të atit. I ati madje nuk pati dëshiruar të takohej me dhëndrin. I tha së bijës:
- Bëj ç’të duash, por këtë njeri nuk dua ta shikoj në shtëpinë time.
Po atë vit, pra, më 1945, Svjetllana lindi djalë. I vunë emrin Josif, për nder të gjyshit, i cili nuk donte ta njihte për nip. Svjetllana mundohej të ishte bashkëshorte shembullore, nënë shembullore, por martesa pëson plasaritje përfundimisht: presioni i ushtruar tej mase nga jashtë, mosmarrëveshjet e shumta nga brenda. Në vitin 1948 ata u ndanë. Morozovi largohet nga jeta e saj. Josifi i vogël mbetet me të ëmën.
Mandej vjen martesa e dytë: Juri Zhdanov, i biri i Andrea Zhdanovit, i cili njihej si njëri nga ideologët e partisë, bashkëpunëtori më i ngushtë i Stalinit. Kjo martesë qe më e pranueshme për të atin. Në vitin 1950 u lindi një vajzë, së cilës i vunë emrin Ekaterina. Pra, Svjetllana mundohet të konsolidojë një jetë familjare normale. Por edhe kjo martesë merr tatëpjetën: shumë politikë në këtë mes, shumë presion nga ana e sistemit komunist. Zhdanovi, plaku, në rrethana të çuditshme, vdes në vitin 1949. Qarkulluan fjalë për helmim. Atmosfera në familje vjen e bëhet e padurueshme. Ndarja është e pashmangshme.
5 mars 1953. Kjo ishte dita që ndryshoi gjithçka. Stalini ndodhej në fundin e jetës. Svjetllana kishte mbushur 27 vjeçe. Ajo ndodhet pranë të atit në vilën më të afërt. E shikon në minutat e fundit, ai rri shtrirë në divan, pati një goditje në tru, merr frymë me zor, mjekët vijnë vërdallë. Por të gjithë e kanë të qartë: fundi i tij është i pashmangshëm. Svjetllana i ka kapur dorën. Çfarë ndien ajo në këto minuta? Trishtim, sigurisht. Gjithsesi, ky është babai i saj, njeriu, cili e pati dashur sipas mënyrës së vet. Lehtësim? Po, me siguri. Çlirim? Ka mundësi. Por kryesor është faji, faji për këtë lehtësim, faji për arsye se diku në thellësi të shpirtit ajo është e gëzuar që mishmashit po i vjen fundi. Stalini po largohet drejt jetës së amshuar, vendi po mban zi, miliona njerëz qajnë. Edhe Svjetllana qan, por lotët e saj janë tjetërlloj. Këta janë lotët e vajzës dhe, njëkohësisht, lotët e viktimës, sepse ajo është, gjithashtu, viktimë, viktimë e atij që pati lindur me këtë emër.
Pas ceremonisë mortore zyrtare, pas gënjeshtrave që vazhduan me ditë të tëra, ajo, për herë të parë, pas shumë vjetësh, mund të marrë frymë relativisht lirshëm. Babai u largua për në atë jetë, kontrolli është dobësuar, por emri ka mbetur. Ajo, përgjithmonë, quhet vajza e Stalinit.
Vitet 1950-1960. Koha e lirshmërisë hrushoviane, demaskimi i kultit të individit. Svjetllana jeton në Moskë, punon përkthyese, jep mësim në një institut, mundohet të bëjë një jetë të zakonshme, si të një qytetareje sovjetike. Por kjo është një kotashpresë (iluzion): të gjithë e dinë se kush është ajo. KGB-ja e përgjon hap pas hapi: ku shkon, me kë takohet, çfarë thotë, gjithçka është nën kontroll. Ajo nuk është e arrestuar, por edhe e lirë nuk është, ka status të veçantë, është në vëmendje të veçantë.
Fëmijët, Josifi dhe Katerina, po rriteshin. Ajo mundohet të jetë nënë e kujdesshme, t’u sigurojë fëmjëri normale. Por si mund t’jua siguronte këtë normalitet, kur dihej që ajo ishte e bija e një tirani, kurse ata - nipi dhe mbesa e tij.
Svjetllana lexon libra pa pushim nga letërsia perëndimore - filozofi, poezi, kujtime, të cilat i siguron përmes të njohurve, njihet më së miri me të gjitha krimet e të atit, me përmasat e represioneve, si rezultat i të cilave qenë vrarë miliona njerëz, miliona të tjerë qenë dëbuar nëpër kampet famëkeqe të internimit. Sigurisht, për disa gjëra ajo kishte pasur dijeni më herët, por tani po njihej me hollësira. Dhe çdo hollësi rëndonte si gur në zemrën e saj. Të gjitha këto i kishte bërë babai i saj, i cili e pati quajtur dikur pëllumbeshkë. Si ta shtynte jetën me të gjitha faktet që kishte mësuar? Si ta pajtonte dashurinë për të atin me tmerrin e një tirani?
Viti 1963. Një takim fatndjellës. Bradzhesh Sink, një komunist ky indian, vjen në Bashkimin Sovjetik për t’u kuruar. Svjetllana, si përkthyese, njihet me të përmes miqve të përbashkët. Ajo miqësohet me komunistin indian, i cili vazhdon kurimin në spital. Ai është shumë më i madh në moshë, intelektual me përvojë të pasur nga kontaktet e tij nëpër shumë vende të botës. Ata e pëlqejnë njëri-tjetrin, miqësohen, por për Svjetllanën ai shërbente si një dritare drejt një bote tjetër, përtej kufijve të Bashkimit Sovjetik, drejt një bote, ku njeriu e ndien se ç’është vetvetja. Duke u njohur nga afër, ata bien në dashuri me njëri-tjetrin. Svjetllana donte të martohej me të, por KGB-ja nuk e lejon, me pretekstin se e bija e Stalinit nuk mund të martohet me një të huaj. Kjo ishte e palejueshme. Svjetllana qe lutur, i pati shkruar letra Brezhnjevit, Kosiginit. Përgjigjet ishin të njëjta: jo.
Tetor i vitit 1966. Bradzheshi ndërron jetë nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Para se të vdiste, kishte lënë porosi në spital që kufoma të kremohej dhe hiri i saj të dërgohej në Hindi. Svjetllana është e vrarë shpirtërisht. I vetmi njeri që e dashuronte, u largua në amshim. Ajo kërkon leje ta çojë hirin e kufomës së tij në Hindi, në atdhe. Këtë herë KGB-ja pranon. Menduan: le të shkojë, le të qetësohet, do të kthehet. Ata nuk e dinin që ajo nuk do të kthehej më.
Dhjetor 1966. Svjetllana vjen me aeroplan në Hindi. Kishte sjellë me vete një kuti me hirin e Bradzheshit dhe një valixhe të vogël me dorëshkrime - një libër ky, të cilin ajo e kishte shkruar gjatë disa vjetëve. Ishin 20 letra, drejtuar një miku. Svjetllana, sipas traditave hindiane, e hedh hirin e kufomës së Bradzheshit në lumin Gang. Mandej vazhdon jetën në Hindi: një muaj, dy. Ambasada sovjetike fillon të nevrikoset: kur do të kthehet? Svjetllana shtyn kohën. Së shpejti, - thotë, - edhe pak.
6 mars 1967. Një ditë vendimtare. Svjetllana del nga hoteli, merr një taksi. Niset jo për në ambasadën sovjetike, por për në ambasadën amerikane. Në dorë mban një dosje, në të cilën ndodhet një material prej 300 faqesh. Një bombë e vërtetë. Për hirë të lirisë, ajo vendosi të sakrifikojë gjithçka: atdheun, fëmijët, lumturinë. E megjithatë, nuk u pendua.
Në ambasadën amerikane takon një bashkëpunëtor të CIA-s. Svjetllana i thotë:
- Unë jam Svjetllana Alillujeva, e bija e Josif Stalinit. Kërkoj strehim politik.
Ai nuk beson, mendon se ky është provokim. Telefonon në Vashington. Bëjnë verifikimin e duhur. E vërtetojnë: është pikërisht ajo. Në Vashington - shok. Presidentit Lindon Xhonson i raportohet personalisht:
- Zoti President, e bija e Stalinit kërkon strehim politik në SHBA. Xhonsoni reagon:
- Ju seriozisht e keni?
- Absolutisht, zotëri.
- Kjo është bombë propagandistike. E bija e armikut të Amerikës arratiset për në Amerikë! Dhuratë më e mirë në luftën e ftohtë nuk mund të gjendet. Por ka një problem: Bashkimi Sovjetik do të tërbohet. Kjo mund t‘i ashpërsojë marrëdhëniet.
Xhonsoni mendon, pastaj thotë:
- Pranojeni, por pa zhurmë e pa bujë.
Svjetllanën e nisin fshehurazi nga Hindia për në Zvicër, mandej për në SHBA. Këtu ajo ndërroi emrin, u quajt Llana Piters.
Më 20 prill 1967 ajo zhvillon një konferencë shtypi në Nju Jork. E ndjek gjithë bota. Rrëfen të vërtetën për regjimin sovjetik. Aty ajo deklaron se nuk është kundër popullit, por ajo nuk mund të pranonte që ta kontrollonin në çdo sekondë të jetës së saj.
Po atë vit del nga shtypi libri i saj me titull “20 letra , dërguar një shoku”, kujtime këto nga jeta e Stalinit, për fëmijërinë, për sjelljen e të atit në familje. Libri bëhet një bestseller në mbarë botën, përkthehet në dhjetra gjuhë të huaja.
Në vitin 1969 botohet libri i dytë i saj, përsëri me kujtime, të cilin e përshkon fund e krye ideja se ç’do të thotë të jesh bijë e një tirani.
KGB-ja fillon operacionin për demaskimin e saj. Gazetat shkruanin se Svjetllana Alillujeva është tradhtare, ajo është e sëmurë psikike, atë e pati rrëmbyer CIA-ja, por askush nuk besonte, sepse Svjetllana thoshte të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë ishte më e tmerrshme se çdolloj propagande.
Moskë, Kremlin. Brezhnjevi është bërë bishë.
- Si e latë dhe u shpëtoi pa e kapur?! KGB-ja e mbante nën vëzhgim. Si qe e mundur që ajo të arratisej!?
Kreu i KGB-së, Juri Andropov, justifikohet:
- Shoku Brezhnjev, kjo ishte një gjë e papritur për ne, ajo dukej besnike.
Brezhnjevi:
- Besnike!? Ajo u arratis në Amerikë, me dorëshkrime, ajo ka për t’u rrëfyer atyre gjithçka.
Dhe Brezhnjevi kishte të drejtë: Svjetllana dinte shumë e shumë gjëra. Ajo pati jetuar në Kremlin që kur kishte lindur deri në moshën 27-vjeçare. Ajo ishte e adhuruara e Stalinit, vajza e vetme. Ajo e dinte se si funksiononte sistemi nga brenda. Dhe këtë ajo tani kishte për t’ia rrëfyer gjithë botës.
Në vitin 1970 martohet me Uiliam Uesli Piterin, arkitekt amerikan, nxënës i të famshmit Frenk Llojd Rajtit. I ndizet dëshira për një jetë familjare normale. Në vitin 1971 u lindi një vajzë, së cilës i vunë emrin Olga, i vetmi fëmijë i Svjetllanës që pati lindur në Perëndim, i lirë nga e kaluara sovjetike. Svjetllana, më në fund, e ndien veten të lumtur. Por s’qe e thënë: në vitin 1973 vjen ndarja me bashkëshortin. Përsëri vetmia.
Në vitin 1984, kur kishin kaluar 17 vjet pas ndarjes me fëmijët dhe largimit nga atdheu, Svjetllana Alillujeva kthehet në Bashkimin Sovjetk. Fëmijët, të cilët tashmë kishin krijuar familjet e veta, nën presionin e KGB-së, e kishin mohuar, nuk e njihnin për nënë, prandaj edhe nuk pranuan të takoheshin me të.
Në vitin 1985, në krye të vendit erdhi Gorbaçovi. Filloi hapja dhe riorganizimi (gllasnost dhe perestrojka). Nga sa vuri re, të gjitha ishin fjalë boshe. Asaj i rikthyen shtetësinë dhe i dhanë një apartment në Moskë. I patën vendosur kudo aparate përgjimi. Gjithandej KGB-ja e ndiqte në çdo hap. Gazetat dhe televizionet propagandonin me të madhe se e bija e Stalinit u kthye në atdhe se nuk i ka pëlqyer bota kapitaliste në Amerikë.
Në vitin 1986 Svjetllana Alillujeva u largua përsëri nga Bashimi Sovjetik për në SHBA, sepse u bind për të dytën herë: nuk kishte ndryshuar asgjë në atdheun e saj, ku njeriu vazhdonte të mos i përkiste vetvetes, ku njeriu vazhdonte të ishte përherë nën përgjimin e KGB-së në çdo qelizë të jetës së tij. Në moshën 85-vjeçare ndërroi jetë në një azil më 22 nëntor 2011, në shtetin Viskonsi.
Kaliforni, 02 shtator 2026








Comments