Isuf Grajçevci: NJOHJA ME POETIN, PATRIOTIN ZEQIR GËRVALLA
- 47 minutes ago
- 4 min read

NJOHJA ME POETIN, PATRIOTIN ZEQIR GËRVALLA
Nga Isuf Grajçevci
Emrin dhe veprimtarinë e këtij atdhetari të shquar, e pata mësuar vite më parë (para se ta takoja personalisht), nga miq dhe shokë të Fazli Grajçevcit, tashmë dëshmor i kombit, me të cilin ishin miq të penës dhe të idealit. Se vërtet këta i kishte bashkuar pena dhe ideali flasin edhe veprat e tyre, e që ishin frymëzim i shumë brezave për sakrificën që bëhet kur çështja kombëtare është parësore. Si shumë patriotë, poetë, e veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare që patën fatin të ndiqeshin nga pushteti, një fat të tillë e përjetoi edhe Z. Gërvalla, i cili u anatemua vite të tëra nga regjimi i kohës.
Ishte viti 1992, kur nga Shqipëria erdhën mysafirë si Martin Lekaj – gazetar, më vonë drejtor i RTSH-së, Gjon Frroku, rapsod i njohur nga Lezha, i cili në emër të Partisë së UNIKOMB-it në Lezhë ,tok me Martinin e kaluan ilegalisht kufirin maqedono-kosovar, për ta vizituar qendrën e Partisë së UNIKOMB-it në Prishtinë. Një mbrëmje të vjeshtës së po atij viti, këta dy mysafirë dhe miq të tjerë, gjegjësisht pjesëtarë të Partisë së UNIKOMB-it u takuan në shtëpinë time në Prishtinë, ku madhështinë e asaj nate e shtoi edhe prania e Zeqir Gërvalles. Vetë prania e shumë figurave eminente e shtonte edhe më peshën e bisedës, ku secili nga ata shprehi dashuri dhe vendosmëri të rrallë për çështjen kombëtare shqiptare. Bëmat dhe historitë e shumë figurave të dalluara të kombit, nxitnin kureshtjen e secilit prej nesh që të njiheshim më për së afërmi me idealin e tyre. Ndaj dhe rrëfimi i Zeqir Gërvalles për poetin, atdhetarin Fazli Greiçevci na bëri të gjithëve sy e vesh lidhur me veprimtarinë e tij kombëtare. Baca Zeqir në mes tjerash tha: “Me te mëbashkoi pena, ideali dhe dashuria për atdheun. Ndërkaq burgosja e tij ishte edhe e imja, vrasja e tij ishte edhe vrasja ime, ishte vrasje për shqiptarët, vrasje për të gjithë ata që luftonin për të njëjtin ideal”.
Se ideali ynë i qëndroi kohës së egër nuk ka dyshim, edhe kur pushteti i egër millosheviqjan, dogji, vrau, dëboi me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova, nga se ky regjim bëri që shumë veprimtarë të depërtohen në vende të ndryshme të Evropës e botës ku, mua I. Grajçevcin dhe Z. Gërvallen pas sa vitesh fati deshi e na takoi sërish, por tash në rrethana tjera dhe përtej oqeanit, në SHBA. Meqë djali im Armendi po punonte përkthyes në Qendrën për pritjen e Refugjatëve Shqiptarë e quajtur Fort Dix në New Jersey, ai pati rastin ta takoi Zeqir Gërvallen, të cilit ju prezantua se ishte djali i mikut të tij, takuar vite më parë në banesën e tyre në Prishtinë (Isuf Grajçevcit), i cili edhe tashmë e pati fatin që ta pranoi për disa javë në banesën e tij në New York. Gjatë qëndrimit të Zeqir Gërvalles në New York ai pati rastin të njihet edhe me shumë intelektualë tjerë, po ashtu edhe me gazetarë, e në veçanti shumë nga krijimet e tija letrare i botoi në Gazetën “Illyria”.Një ditë duke i shpjeguar për djemtë që po niseshin vullnetarë për në Kosovë, ne familjarët i treguam për nisjen e djalit tonë Adrianit, me Batalionin Atlantikupër të luftuar kundër pushtuesit. Baca Zeqir nga ky rrëfim u frymëzua dhe doli në dhomën tjetër i cili i thuri këto vargje:
“Siç yt at Isufi thotë:
Po të jetë nevoja dhe unë do shkoj
Se liria s’fitohet pa gjak e barot
Gjithkush le ta kuptojë.
Sa hije u paska uniforma
Emblema e UÇK-së
Ju bij e bija shqiponjash
Trima me besa besë”.
Si mik i tij do të theksoja se të gjitha krijimet e tij kanë peshën e kohës dhe bartin mesazhin e qartë për lexuesin. Por ato që mua më kanë lënë mbresë të pashlyeshme janë disa me titujt: Me fat na qoftë miqësia e re – për një rend të ri botëror, e cila i dedikohet popullit amerikan, e në veçanti B. Klintonit, kryetar, T. Blerit, N. Malkolmit dhe miqve tanë në botë, të cilët bënë që populli shqiptar të mos shfaroset nga pushtuesi shekullor. Ndaj ndihma juaj për Liri e Pavarësi do të jetë përjetësisht e çmuar nga ne shqiptarët. Më pas tituj të tjerë të veçantë të poezive janë: Vëlla mërgimtar, mos harro që je shqiptar; Flamur, urime liria e Kosovës; Një ditë e veçantë (4 korriku); Diell shtatori etj. Dhe fare në fund poezia me titull: Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës (America you hear the voice of Kosovo), vargje këto të cilat u punuan në kornizë dhe i’u dhuruan B. Klintonit.
Me kënaqësi të veçantë dhe respekt të jashtëzakonshëm për mikun tim Zeqir Gërvalla i kam thurur vargjet në vijim:
NUK VRITET FJALA
(Zeqir Gërvalles )
Kur të mbyllën në kafaz
Re të zeza e mbuluan qiellin
Kur t’i vuan prangat në duar
Thanë e shuan dhe dritën e diellit.
Kur të mbyllën në qeli
Hapërimin ta ndaluan thanë
Por harruan se vargu juaj
Ish kushtrim për të gjithë anembanë.
Thanë ta vranë idealin
Thanë ta këputën edhe vargun
Thanë ta varfëruan arën
Thanë ta mbyllën konakun.
Jo, jo kurrë s’vritet fjala
As ideali as dashuria
Ato jehuan maleve e shkrepave
Gjithandej kah Dardania.
Ndaj o miku im nuk harruam kurrë
Se shkrove me shumë emra
Lalush Shijaku e Sokol Llapi
Isuf Berati e Hana Malësori të jehoi pena.
Sot me ty jemi krenar
Dhe po të shkruaj këto pak vargje
Që ti kesh kujtim nga unë
Miku yt në luftë e paqe.








Comments