top of page

Fatmir Terziu: Gjitonja ime

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Gjitonja ime

 

Pena e nxehtë në dorën time,

një re e dendur mbi atë fletore,

po fshije dritaren, gjitonja ime,

sytë e mi të shijonin si akullore.

 

Një mbrëmje e gjatë rrëshqiste ngadalë,

mbi xhamin e ftohtë, mbi pragun e vjetër,

dhe fjala kërkonte një udhë për të dalë,

por mbetej në zemër, e heshtur si letër.

 

Zogj të sapoardhur rrinin në parvaz,

xhamin me njolla e puthën nga malli,

ti po më shihje… Unë me atë avaz

qetësoja zemrën e dehur nga halli.

 

Një erë e lehtë përkëdhelte perden,

si dorë që kërkon një kujtim të harruar,

dhe nata mbi çati mbështillte të verdhën

e një hëne që dukej si shpirt i menduar.

 


Xixëllonjat ndezën dritaret zjarr,

si yje të vegjël në oborrin e natës,

njollat e errëta u shuan dalëngadalë,

dhe heshtja u ul në skaj të dritares.

 

Yjet u kapën e u bënë një varg,

si rruaza të bardha në qafën e malit,

unë ndiqja atë dritë në atë lak,

s’gjeja dot fjalë për fillin e mallit.

 

Fletorja sot kujton gjitonen e mirë,

ku çdo dritare ruan një copëz historie,

zgjimi është vonuar… Jashtë ka gdhirë,

brenda meje ende ajo grimë kërshërie.

 

Dritarja ka mbetur një pikë e fryrë,

një shpresë e vonuar mbi murin e vjetër,

sytë e mi tek ajo dritare kanë ngrirë,

koha s’di t’i shkundë prej aty patjetër.

 

Ndoshta vitet i marrin të gjitha me vete,

emrat, rrugët, zërat, dhe gjurmët në prag,

por disa kujtime mbeten pengje jete,

ato bëhen dritë dhe nuk humbasin aspak.

 

Nesër nuk e di ç’do të jem më tutje,

ndoshta një udhëtar, ndoshta një i huaj,

por ti, gjitonja ime, do mbetesh një lutje

një lule e bukur që s’di të vyshket në duar.

 

Dhe nëse një ditë, pas shumë e shumë vitesh,

dikush do të hapë atë fletore të vjetër,

do gjejë aty zërin gjiton si fllad mitesh,

që flisnin me sy, kur fjala mbetej letër.

 

Për mua do të mbetesh gjithmonë një lule,

që çel mbi kujtime një aromë të malluar,

një dritare e bardhë në fund të një rruge,

një emër në varg, përjetë i pashkruar.

 

(2023–2026)

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page