Prof Dr Eshref Ymeri: Deklarata skandaloze e akademikut Valter Memisha

Sapo ndoqa deklaratën e akademikut në fjalë para Blendi Fevziut, të cilën e shprehu fare prerazi, madje pa u ulur në tryezën e Klanit, se shqipja, demek, na e paska zanafillën në vitin 1500. Kurse Blendi Fevziu, si sahanlëpirës shembullor i Ramës, hapi sytë i çuditur, sikur të ishte ndonjë analfabet hesapi. Të njëjtën deklaratë e ka pasë përsëritur sa e sa herë nëpër studiot televizive edhe profesori Xhevat Lloshi. Madje, Instituti i Albanologjisë pranë Akademisë së Shkencave, ca vite më parë, ka pasë botuar dhe hedhur në qarkullim librin e Anila Omarit, me titull “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”, në të cilin, për marrëzinë e saj, ka deklaruar se 93% e leksikut të shqipes na qenka i huazuar. Këto marrëzira nuk i ngre as dheu, as qielli. Por shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare nuk kanë ç’presin nga një akademi shkencash me orientim antikombëtar lidhur me lashtësinë e kombit shqiptar dhe të gjuhës së tij. Po si t’ua bëjmë disa dijetarëve perëndimorë, të cilë kanë shkruar ndryshe nga sa deklaron akademiku Valter Memisha, profesori Xhevat Lloshi dhe plot të tjerë. Ata dijetarë janë të shumtë, por këtu do të mjaftohem vetëm me citimin e dy prej tyre.
Filologu dhe albanologu i shquar Lui Benloeu (Louis Benlæ (1818-1900), profesor i Universitetit të Dizhonit, ja çfarë shkruan për gjuhën shqipe:
“Në fillim të punës sime mendoja të trajtoja thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike; dhe veç kur shoh se po prekja një çështje të gjallë, madje gjithë regëtimë, një çështje kombi. Dhe ç’komb! Më i vjetri i kontinentit tonë me atë të baskëve... Në një seri konferencash që u organizuan në fillim të verës së vitit 1878, munda t’i parashtroj këto konkluzione në Akademinë e Mbishkrimeve dhe të Letrave të Bukura. U përpoqa t’i mbështes e t’i shpjegoj me ndihmën e shqipes të disa emrave të përveçëm pellazgjikë (emra perëndish, vendesh, malesh etj.) dhe të disa dokeve të çuditshme të shqiptarëve...” (Citohet sipas: Fotaq Andrea. “Pena të arta franceze për shqiptarët”. Grand Prind. Tiranë 2007, f. 332, 333-334).
I dyti është shkrimtari Moris Dryon (Maurice Druon - 1918-2009), anëtar i Akademisë franceze prej vitit 1967 dhe Sekretar i saj në periudhën mes viteve 1985-1999. Përballë mashtruesve dhe mitologëve grekë, si edhe në kundërshtim me politikën armiqësore europiane ndaj etnisë shqiptare, ai shkruan:
“Albanians belong to people older than its history, and the grandparents of Albanians took part in the War of Troy, led by Achilles (… on one side) and Hector (on the other)” - “Shqiptarët u përkasin popujve më të vjetër se vetë historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (…në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)” (Citohet sipas: “What others say about the Albanians? Maurico Druon”. Facebook. 20 shtator 2016).
Ky personalitet i kulturës franceze i jep një leksion të mirë shpifografisë dhe mitologjisë greke për ata të ashtuquajturit grekë të lashtë.
Akademiku Valter Memisha dhe profesori Xhevat Lloshi duhet të ngrihen dhe “të hedhin poshtë” edhe Enciklopedinë e madhe greke, në të cilën shkruhet:
“Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (vëll. 19, f. 873).
Intelektuali i shquar, Prof.dr. Alban Kraja, reagoi menjëherë në një videomesazh pas deklaratës së akademikut Valter Memisha. Videomesazhi titullohet “Tradhti e turpshme”.
Akademia e Shkencave është shndërruar me kohë në një fraksion të politikës antikombëtare të partisë socialiste, e cila, duke pasur në krye Ramën, një tradhtar të betuar të kombit shqiptar, pati komanduar në udhëheqje të asaj akademie një politikan të dështuar, si Skënder Gjinushi, një zero me xhufkë në lëmin e lashtësisë së gjuhës shqipe.
Florida, 10 Nëntor 2026








Comments