top of page

“PRETENCA” E PLAGEVE TE SHOQERISE SHQIPTARE


Rreth romanit “Pretenca” të Istref Haxhillarit

Romani “Pretenca”i autorit I. Haxhillari, përbën një rrëfim ekstra esencial të realitetit shqiptar në kapërcyell të shekullit të XX-të. Ai na paraqet një kronikë ngjarjesh që zhvillohen në jetën e një qyteti, inonduar nga ujrat e pista të kohës të cilat në thelbin e tyre mbartin ADN-ë e shoqërisë shqiptare në kushtet e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Koha e kaluar prej gjashtë vietesh nga botimi i këtij romani, është një tregues domethënës i aktualitetit dhe freskisë së tij. Nga kjo pikëpamje, sipas gjykimit të Borgesit bazuar mbi kriteret e së mirës, romani duhet konsideruar “një i afërt i tanishëm.”

Fabula që shtjellohet në roman, është një rrjedhë e copëzuar e jetës së një qyteti të vogël në lindje të vendit, e cila ka në qendër të saj një mësues gjimnazi, Heis Brianin, gërshetuar me aspekte dhe personazhe të tjerë, jashtë profilit të tij, por që krijojnë paralele jetësore të të njëjtit ngjyrim. Nga pikpamja strukturore, romani bëhet unik me “orët blu,” fragmente të ndërmjetme që luajnë rolin e çelësave për të hyr në skena të tjetra, të tejmbartura. Me “orët blu” autori duket se krijon një formë fugale të prozës së tij, karakteristike kjo për të shkruarin modern me kronologji të zhdërvjellët ngjarjesh. Fugal është edhe personazhi kryesor, i cili nuk paraqitet me formën e tij klasike për të udhëhequr ngjarjet dhe të trasmetojë idetë me heroizmin dhe shembullin e tij pozitiv. Përkundrazi, Heis Briani, pavarësisht se është kreu i personazheve, mbart mbi vete një përditshmëri të zakonshme, mbushur me kronikat e fabulës që duket sikur luan thjesht rolin e një lënde amalgam. Heisi ka edhe mëkate si të tjerët, pasi përfshihet në aventura, veçanërisht në marrëdhëniet intime me femrat. Ai kapëlohet nga kjo dëshirë sikur do të thoj se çlirimi i energjive të ndrydhura të individi në periudhën e diktaturës, tashmë në lirinë e tepruar gati, gati abuzive, kthehet në një shfrenim pasionant mbushur me egon e tij të shfrenuar. Madje i shtyrë nga përgjegjësia që ndjen për të ndihmuar të dashurën, Vojsava Zhaka, përfshihet në lojën e zarfeve për të blerë nota kaluese për të birin e saj, Arianitin, te shtatë kolegët e tij, në shtat lëndë mbetëse. Si rrjedhojë e kësaj ndërhyrje, Arianiti kalon 7 lëndët e mbetura dhe rregjistrohet në universitet. Kjo do të thotë se furia e lekut nuk njeh limit. Duke luajtur rolin e menaxherit, Heisi bëhet një interpretues i vërtetë i moralit social i cili ka marë një goditje të rëndë nga tranzicioni. Në këtë kontekst, identiteti i tij individual bëhet atribut i veprimit social dhe si tillë, ai duhet konsideruar një figurë - risi në prozën e sotme shqipe.

Në tërësinë e saj, fabula e romanit, zhvillohet mbi tre plagë të rënda të shoqërisë së kohës dhe gjithë personazhet etij, çapëlojnë brenda dhimjes së tyre të ethëshme. E para është droga, pastaj imoraliteti dhe korrupsioni. Pena e autorit na çon nga njëra skenë në tjetrën duke ndjekur kurbën e përgjithëshme të efekteve të tyre fatale. Në gjimnazin e qytetit ku jep mësim Heisi, shfaqet një vajzë çapkëne, nga një familje e pasuruar kohët e fundit, e cila bëhet viktimë e drogës dhe e seksit në grup. Orgeta Agani, gjimnazistja 18 vjeçare na jepet në roman si viktima e parë e kësaj plage. Vajza përfaqëson atë pjesë të viktimizuar të shoqërisë shqiptare që për fat të keq u bë preh e luksit të tepruar, e llastimit dhe e pasionit të shfrenuar emotiv. Joshja ndaj gjërave të panjohura të jetës, lakmia për të shijuar gjithëshka të ndaluar për moshën e saj, e bën atë prehë të egos së vetë. “Gjynah!- i thotë ajo profesor Heisit kur mësoi se ai nuk e kishte pirë asnjëherë cigaren. - Do të vdisni pa provuar një nga kënaqësitë më të mëdha të perëndisë!” Dhe autori me të drejtë spiegon se: “Pedagogjia klasike nuk vlente për këtë vajzë.”Dhe pikërisht kjo psikologji që ka përfshirë një pjesë të rinisë shqiptare, për të cilën është e huaj “pedagogjia klasike”i imponon asaj shthurjen e dekadencën. Orgeta, pasi drogohet kalon në mënyrë të vullnetshme pjesë e orgjisë seksuale organizuar në një grup prej tre djemësh në motelin e qytetit. Pas orgjisë vajza humbet jetën nga mbingarkesa e dozës. Djemtë e çojnë trupin e saj në breg të liqenit dhe fshehin gjurmët. Midis tyre është edhe i dashuri i saj, gjimnazisti Arianit Zhaka.

Ngjarja tragjike e qytetit të vogël bëri bujë dhe hetuesia nisi hetimet për të gjetur shkaktarët e vrasjes. Por pikërisht në momentin kur dosja po zbardhej me emrin e Arianitit, ndërhyn deputeti i zones, Rudin Kosta dhe e mbyll çështjen. Këtu ngjarjet kalojn në një pikë tjetër ekstreme, në ndërhyrjen e politikës në organet e drejtësisë dhe ndikimi i saj për fshehjen e krimit. Kemi të bëjmë me një formë klasike të korrupsionit i cili jepet në roman me format e tij më të imta e më të detajuara. I përlyer me ndërhyrjen për të nxjer të palagur nipin e gruas, akuzuar si pjesmarrës në vdekjen e vajzës, deputeti jepet në vazhdim në një moment allishverishi mbi tenderin e një rruge nga e cila i del boja dhe katandiset pijanec dhe viktimë e mjeruar e lojrave të bixhozit. Dera e kazinosë në roman jepet si një derë “xhamie” ku venë e falen mëkatarët e moralit. Ky është një fund-shpërblim që flet shumë për ndërgjegjen e qullosur të karieristëve të politikës shqiptare që harrojnë thënien e famshme të Heraklitit se; “Rruga për lart të çon poshtë.”Në derë të kazinosë përfundon edhe Arianiti, ish i dashuri i Orgetës. Dështak i pashmangshëm, ai përfaqëson atë kategori të rinjsh që nuk e marin jetën seriozisht dhe për pasoj mbushin rrugët. Ngelës në shtatë lëndë në gjimnaz, djaloshi vazhdon të jetë i tillë edhe në Universitet. Edhe aty ai mbart njëra pas tjetrës disa provime të parapambetura dhe është gati për tu djegur

Imoraliteti në tërë kuptimin e tij, përshkruhet në pjesën më të madhe të kësaj proze. Pena e autorit varion në disa plane duke përfshirë marrëdhëniet brenda të njëjtit seks dhe seksin në grup.

Në momente të tilla mjaft të rëndësishëm autori na ka dhënë psikologjinë e këtyre personazheve. I tillë është moment i konfliktit të Tergidit me të shoqen, Bekën, moment që zhvillohet kur ai vërteton tradhëtinë e sajë. Ndërsa ajo i kujton atij tradhëtitë e tij me meshkuj si me Bert Nikën. Është një moment psikologjik që e ngre mjaft lartë rrëfimin, është kthesa që mer partneri, ndryshimi i tij i brendshëm. Ai u bë mashkull. Autori e ka dhënë me nota të ndezura e mjaft të gjalla ngarkesën psikologjike të Tergidit. Ai e përfshinë atë në një furtunë duke e bërë bërthamën e ciklonit në marrdhënien bashkëshortore dhe është xhelozia ajo që e ngre peshë sedrën e tij prej mashkulli dhe e kthen atë në burr të denjë për shtratin bashkëshortor. “Ndjeu ti shkëputej nga brenda një masë e fshehtë pa formë, si punë ngërçi i tej zgjatur që nuk pati guxuar ta kapërcente… Befas e pa veten mashkull. I hoqi dhunshëm fustanin... Beka ulëriu dhe e pafuqishme të mbrohej, e mbërtheu me sytë e shqyer, sy që flisnin më shumë se të gjitha fjalët e mara sëbashku... u ndje e grimctë përpara furisë së burrit.”

Ky është një përshkrim frojdjan, sepse zbulon tek personazhi një operacion mental që zhvillohet brenda individit nga koordinacionet e brendshme psikologjike. Kriza e krevatit, trajtuar aq mjeshtërisht nga Pirandelua që në shekullin e kaluar, rishfaqet në prozën e Haxhillarit me një ngjyrim të veçantë e tepër të thukët. Kjo e bën interesante këtë prozë, aq interesante sa lexuesi befasohet me shtigje të tilla eksploruese.

Një tjetër skenë e tillë është edhe momenti i vdekjes së Kimit, bashkëshortit të Vojsava Zhakës. Në këtë moment lamtumire, ai e befason të shoqen kur i thotë: “Heisi është njeri i mirë. Martohu me të Sava!”Pra, ai e dinte marrdhënien e tyre dhe çuditërisht, në raport me “fain” e vetë, e aprovon atë në heshtje, për një kohë të gjatë, deri sa erdhi moment dhe e tha, jo si shfrim dufti por si porosi, si amanet.

Në fund, romani mbyllet me një skenë të tillë, me ngarkesë po kaq të lartë psikologjike. Heisi vihet përball Vojsavës dhe bën autopsinë e jetës dhe unit të tij duke e përkufizuar atë si: “Vargan lidhjesh të prera dhunshëm, stok i mjerë sekretesh të vogla.”Dhe pikërisht në këtë moment të ngarkuar me ndjesi të vështira e trandje të thellë, ai njeh vetveten dhe kupton pushtetin rrënues të Vojsavës, në një mënyrë krejt origjinale, “nëpërmjet llavës përvëluese që i zbret nëpër trup.”

Krahas ngarkesave psikologjike, romani të bën për vete edhe me mënyrën e veçantë të të shkruarit. Të gjitha ngjarjet zhvillohen në mënyrë lakonike . Stili i autorit nuk të lejon të ikësh shpenguar, por të gozhdon për të zhbiruar kuptimet e shumëfishta që të ofron. Është një stil gati, gati konvencional që funksionon si stenografi. Në mënyrë tepër konçize, proza paraqet shumë fusha kuptimi, të cilat lexuesi i nxjer nëpërmjet mbledhjes së konotacioneve dhe rezonancave të përftuara. Fraza e ngarkuar me mendim e filozofi, shpreh me një rregjistër të lartë rrjedhën semantike të ngjarjes. Proza gurgullon si të jetë pjesë e “Përroit të ndërgjegjes.” Është një prozë që që tenton vazhdimisht nga poezia. Pikërisht këtu qendron edhe ai ngjyrim i veçantë stilistikor që e bën autorin të dallueshëm midis të tjerëve.

Nivelin e prozës e ngreh mjaftë gjuha e pasur dhe e larmishme që herë herë mer formën e një shprehjeje të abstraguar. Autori nuk spiegon por jep piketa orientuese dhe lexuesi hyn në marrëdhënie me shenjat që jep ai dhe prej andej hyn në sistemin semantik të frazës. Ja disa nga këto shenja: “Berti mbylli sytë si në një refleksion të brendshëm budist”, apo, “Vallëzonte pabesisht bukur,”apo“Herë pas here vështronte duart,i kthente mbarë e prapështsi sende të panevojshme.”

Një tjetër tipar i këtij stili është edhe niveli i lartë i shprehjeve nëpërmjet gjëndjeve të kundërta paralele, si:“Heshtja i ndante, aq sa i bashkonte”, apo “Dhëmbë mizorisht të bardhë, si peisazh arktik.”I befasuar dhe hutuar ndërkohë nga lënia e një takimi në perëndim të diellit, Rudi mendon: “Po sikur dielli të mos perëndoj?”

Stili i Haxhillarit ka një ecuri të saktë e unike, ecën me orientim të kontrolluar brënda kurbës së përshkrimit: “Pas gotës së tretë, zuri të hante disa bashkëtingëllore.”, “E ndërpreu me pamje sfide,”“Në buzë ju përvijuan njëkohësisht ca buzëqeshje të thata e të stërkeqëta,””Nofullat e shtrënguara tradhëtonin gjakftohtësinë e jashme.”

Gjuha e abstraguar e ngre mjaft rregjistrin e komunikimit dhe e bën prozën e tij të shkathët dhe elegante. Herë – here, kjo mënyrë të shprehuri, të kujton prozën e Kutelit te novela,“E madhe është gjëma e mëkatit.”Por tek Haxhillari, niveli i të shprehurit është më pranë modernes se sa popullores së Kutelit.

Të gjitha këto, jan disa të dhëna që e bëjnë romanin një botim serioz e të kompletuar, të cilin, pavarësisht nga vitet që kalojnë, lexuesi do ta shoh gjithmonë si:“një i afërt i tanishëm.”

Nuri PLAKU

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page