top of page

PRESPË

May 17, 2023
2 min read

PRESPË

Bukuritë i ke radhitur

Si një vajzë e re

Mes peshqve nëpër ujërat e liqenit

Mes luleve nëpër livadhe

Mes mahnitjes natyrore

Me pëllumba e thëllëza malore…

Këtu dashuria fle nën alga

Legjenda e gojëdhëna psherëtijnë

Të vaditura nga vesa pranverore

Mahnitja dhe magjia vetë….

Marina psherëtin

Flegrat e dëshirës

Guacka pasioni nën hënë.

Në mes të liqenit

Një ishull me emrin GOLEMGRAD

Si anije përrallore i afrohet bregut

Përshëndet çdo udhëtar që me sy prek liqenin…

Edhe MALIGRADI mbushur me ngjyra magjepsëse

Gërshetat e Marinës derdh si diamante

Imazhin rrezatues të diellit

Zbraz në shpirtin tonë si parajsë…

Pastaj KODRA E BELIT

Tjetër bukuri formon

Në breg të liqenit,

Ka lezet të kundrosh këndshëm…

E hijshme,

Piktoreske,

Afër bregut shijon qiellin

Një sy magjepsës me vështrime hyjnore….

SHKËMBI I SHËNUAR buzë rrugës

Shpërndan tiparet e një gruaje

Djepin e fëmijës ngarkuar në shpinë

Një mozaik mistik, që frymëzon ndjenjën !....

Mali dhe Liqeni

Përqafuar fort në një dashuri

Përzier me ritmet qetësuese

Në një parajsë paqeje në shpirtë

Këngë e zogjve cicërues…

I qetë si një pasqyrë

Liqeni mbretëron

Marina zgjohet nga ëndrra

Turbullim të këndshëm zgjon

Nyje bukurish romanike krijon

Në pasqyrë të kthjellët që qiellit dritëplot !...

Këtu ka legjenda mbi natyrën

Shumë gojëdhëna mbi liqenin

Bukuri formojnë lulet mbi ujërat

Shpirtrat e njerëzve humbasin në shekuj !....

Horizonti i hapur i liqenit

Pastaj mbi to mallet e larta

Një panoramë mrekullie më vete !....

Këtu bukuria gjithmonë kërkon të josh

Jetën e gjallëron

Thyen heshtjen e legjendave mijëvjeçare

Si në fillimet e një ëndrre…


Nga gjumi im u zgjua MARINA

Dhe më fali një natë të magjishme

Në varkën e vjetër të Poseidonit…

Eja Marina !

Cunam ta bëjmë natën tonë

Vera është e ëmbël Marina

Nuk të deh

Dashuria po, Marina

Nën këmbët e tua si perla

Teuta iu dha Cezarit

Liqeni lëshon lot

Për hirin tënd !...


Eja Marina !

Zjarr ta bëjmë shtratin e dënesës

Me yje të mbushim sytë tanë

Që po digjen nga vështrimi i ndjenjave…

Eja Marina, të shkrumbohemi nga puthjet e ëmbla

Në këto vise shkëmbore me verën e Khajamit

Këtu Aleksandri i madh dehu ushtrinë

Me gotat e verës derdhur brigjeve….


Eja Marina !

Të vdesim në poret e lëkurës së peshqve

Të rilindim në pluskimin e dallgëve

Cfarë ishte dje ëndërr, Marina

Nesër do të jetë shkumbë e bardhë

Në qelqin e dëshirës së liqenit !....

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page