top of page

Pranvera vieneze


“Pranvera vieneze” në kandvështrimin tim.


Ishte ballafaqimi im i dytë me këtë qytet të mrekullueshëm dhe pesha e emrave të mëdhenj, që janë të pranishëm me vepra të ndryshme artistike, ndihej gjithkund. Ekzistonte një ndjesi shtypëse, e cila nuk të lëshonte lehtë dhe të jepte pak mundësi të zbrazeshe prej famës së tyne. Dinastia e Shtrausve dhe tingujt e valseve dukej sikur shpërthenin edhe prej bisqeve të sapoçeluna të pranverës në Vienë. Kalimi nëpër aeodromin e kryeqytetit austriak, si një qytetar europian, nuk më la pa më sjellë afër atë, ndjenjën e hidhun të pritjeve në kufirin mes vendit tim dhe shtetit fqinjë, ku unë banoj.

Ju largohem kujtimeve që më sjellin trishtim. Jam i ftuar në një veprimtari të diasporës “Pranvera Vieneze”


Gjergj Jozef Kola...

Asht mikpritësi im i parë. Ai asht aty, tue pritë aeroplanin që zbarkon nga Athina e bardhë dhe e lashtë. Nuk e kisha njoftë ma parë mikun tim virtual, por takimi me të nuk pati as ma të voglin zhgënjim. Përballë meje kisha shkodranin Gjergj, qytetarin e nji kryeqyteti europian si dhe krijuesin kambëngulës e të pamposhtun, autorin e shumë veprave letrare, ma së shumti në gjininë e dramës dhe romanit.

I angazhuem shpesh me vendosjen në skenë të dramave të tij, me përmbajtje kryesisht patriotike e antikomuniste, apo edhe me temën e dashunisë, shkrimtari kishte lanë mënjanë përditshmërinë dhe në harkun e tri ditëve, do të ishte miku dhe bashkudhëtari im. Bisedat për letërsinë, në tavolina të thjeshta, ku serviret birrë austriake, do të kapnin orët e vona. Ai qe kujdesë për gjithçka deri edhe për hotelin, ku do të qëndroja netët e Pranverës Vieneze, i cili qe buzë një pylli plot gjerbërim, ku spikatnin ca zambakë të verdhë, si dhe ketrat e vegjël, që merrni guximin të afroheshin deri tek dora.


“Pranvera Vieneze”-një veprimtari e shkrimtarëve të diasporës (kryesisht pjesës evropiane) ishte planifikuar të mbahej në një godinë të bukur, EUROPAHAUZ në mes të një gjelbërimi të mrekullueshëm, karakteristikë e kudondodhun kjo, e kryeqytetit austriak. Organizatorët e saj, Hazir Mehmeti, Mendu Thaqi dhe Musa Jupolli, ishin kujdesë që gjithçka të ishte në vendin e duhun. Së bashku me morinë e njerzve të letrave, pjesmarrës të atij aktiviteti të randsishëm, qe edhe violinistja shkodrane, banuese në kryeqytetin austriak, Valbona Naku, si dhe një grup folkorik të rinjsh.

Ajo çka u vu re në këtë veprimtari, veç pjesëmarrjes masive nga njerëz të letrave në vende të ndryshme europiane, ishte disiplina e këtij eventi. Dukej qartë që shqiptarët e Austrisë, kishin adaptue shumë nga vendi ma mik i Shqipërisë dhe lidhjet e vjetra qenë forcuar edhe ma shumë.

Në fillim referuan dr. Prof Isak Shema si dhe dr. Ornela Radovicka.

E konceptueme në dy pjesë, veprimtaria e drejtueme kandshëm prej karizmatikut Mentor Thaçi, apo bacës Mentor, me të cilën shpesh i drejtoheshin ma të rinjtë, solli për shqiptarët e Vienës, por edhe më gjanë, një ngjarje të re artistike.

Në pjesën e parë u prezantuan disa vepra në prozë si dhe referate mbi vepra të ndryshme, ndërsa në pjesën e dytë të saj, mbas një pushimi, u prezantuen poetët.

Atmosfera e mallit midis të pranishmëve dhe diskutimet mes njeni-tjetrit, tematika e përqëndrueme e krijimtarisë së tyne, e cila ma së shumti shigjetonte mardhaniet e mërgimtarëve me atdheun e tynë, më “detyruen” që të lija mënjanë materialin e përgatitun dhe t’i drejtohesha auditorit me nji video-poezi për qytetin e lindjes, Shkodrën, të interpretuem prej aktorit Astrit Fani.

Në atë mjedis me tone të theksueme patriotike, u duk se ato vargje qenë eliksir për të pranishmit, të cilët me bujari të pashoqe i dhuruan shumë duartrokitje vargjeve për qytetin tim.

Mbas veprimtarisë, të organizuar në grup, të pranishmit ju drejtuen muzeut të Vjenës, ku mbahen të ekspozueme armët e heroi tonë kombëtar, Gjergj Katriotit -Skënderbeut.

Pas tri ditësh, ju drejtova sërish aerodromit, nën shoqërinë e mikut tim Gjergjit, me dëshirën për tu kthye prapë në atë qytet të mrekullueshëm, me përjetue çaste, të cilat për çdo krijues, janë një shtysë e bukur dhe e vlefshme.

Leon Lekaj

Athinë 07/05/2023

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page