top of page

Pozaet Qose: AVNIU

  • May 30
  • 2 min read

-Ose portreti i një njeriu “grindavec”-

 

Avniu është gramshak safi, ose, më saktë, tunjarak 24 karatësh.

Ai ka disa vite që është pensionist dhe ka zgjedhur një mënyrë të vetën, që ta jetojë këtë pjesë të jetës, si i pëlqen; të shkruajë.

Ka botuar dhe një përmbledhje me rrëfenja (them se kjo i shkon më përshat mënyrës së tij të të shkruarit). Duket si një ringjallje e këndshme e Kutelit, i cili s’u ngop asnjëherë me fjalën e ëmbël shqipe, duke e kërkuar dhe duke e sjellë atë deri në çmenduri, në rrëfenjat e veta.

Rrëfimi i Avniut është i gjallë, tokësor, tamam rrëfimi i njeriut për njeriun, por ai ka një mani të vetën; të bashkojë me njëra- tjetrën fjalë të ndryshme e t’i sjellë ato si të përbëra a të përngjitura.

Më pëlqen kjo përpjekje e tij, për ta pasuruar gjuhën e rrëfimit, por nuk më pëlqen tepërimi i këtij eksperimenti gjuhësor, duke u kthyer, në një farë mënyre, si qëllim në vetvete. Ia kam thënë këtë dhe ai ma ka kthyer se kjo është diçka që i vjen natyrshëm dhe e bën të ndihet mirë. Tek e fundit, ai ka të drejtën t’i marrë vetë vendimet dhe, po vetë, të shpërblehet a ndëshkohet për to.

Këtu tani në verë vijnë edhe mjaft gramshakë, që prej vitesh kanë ikur prej Gramshit. Ata shkojnë të çlodhen fundjavave në vendet e bukura që ka atdheu i tyre i parë e që, pa asnjë tepërim, të lënë pa mendje.

S’do të ishte keq, them unë, që, duke shijuar hiret e  natyrës së vendlindjes, të kishin me vete për të lexuar edhe rrëfenjat e Avniut, i cli le kokën për atë gjuhë, me të cilën kuvendojmë përditë.

Sepse Avniu di të tregojë bukur dhe ta përkëdhelë fjalën, ashtu si ajo dëshiron të bëjë njeriu me të.

Ç’të them në tepër se kaq?! Besoj se më e duhura u tha.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page