top of page

Porosi plisin


VALËT


Erdha të kërkoj qetësi te valët

shpirti nuk duron më

kur malli djeg për ty bija ime

në thellësi, vala sjell valët,


Nga thellësia e detit vini të uruara

bardhësi thellësie sillni pambarim

dhe fjalë deti me madhështi e shkëlqim.

Sot erdha këtu të matem me ju

me qëndresën tuaj

me shkëmbin tim në gjoks,

aty, pushoni forcën e heshtjen tuaj

erdha të mas mallin në tridhjetë shtator

të shuaj zjarrin e mbledhur vullkan

malli gërryen rërën ashtu si valët shkëmbinjtë

thyerje s’ka, as dëshpërim.

Portretin tënd bija ime Vlorë

e shoh në krahët e valëve

në këngën e pulëbardhave drejtë kaltërsive

yjeve u fal shkëlqim e përmallim


Në fjalën e zemrës

vetëm ju keni madhështi kuptimi

sot pesë vjet pa Vlorën

sot pesë vjet me ty bijë në diell e qiell.


Ju valë që freskoni Dhe e frymë

thojani këngës bashkë me vajzën shqiptare

ju deshi shumë, me emrin tuaj në frymën e fundit

çikën arbërore rritur auditorëve

Vjenë, New York, Tokio e Prishtinë

valë deti, valë jete në këndim

mësoni mençurinë e lashtë

partiturë harfe n ‘amshim

Vjenë, maj 2021

Porosi plisin


Im at,

si nuk u trembe, në ditët pa diell

nga kthetrat e varfërisë, nga furtuna

Nuk u trembe nga tërmeti, nga kuçedra

as nga rrufeja kur çau e dogji lisa.


Si nuk iu trembe akullit mbi çati

as nga lakadredhat e erës frëngjive të nxira

Si nuk të shkoi mendja të ikje nga kulla

as nga trualli i mbjellë me eshtra fisi.


Kur linda unë ti ndeze një eshkë ahu

ngrohe ajrin e kullës së mykur

plisin e vure mbi oxhakun e vjetër

mbushur me ëndrra e shpresa për Lumin

për rrugën e tij drejt gjelbërimit

përtej shtatë maleve e fushave

përtej legjendave, dragoit me shigjetë

me premtimin e dheut e gurit

për emrin At e Atdhe

fjalën e fundit më the:

plisin, porosi ta lë kudo që je

ke nder e besë, ke Mëmë e Mëmëdhe.


Vjenë, nëntor 2020

68 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page