top of page

Por a mund ... "të ndodhka" që të shuhet ekzistenca?

Dr Fatmir Terziu


Por a mund ... "të ndodhka" që të shuhet ekzistenca?



…Përtejmja. E përtejshmja. E përtejshmja është diktatori që më dominon në mendjen time. Ngadalë e dëmton dhe e demoralizon atë, derisa tenton të mos mbetet asgjë tjetër, veçse të lëshojë mbeturinat e përkeqësuara që i duhen ende të përtejshmes. E përtejshmja i traumatizon dhe i çart mendimet e mia deri sa Ekzistenca ime bëhet një memorje e fshirë. Por a mund ... "të ndodhka" që të shuhet ekzistenca?

Në këtë dilemë, ajo shfaqet si në origjinën e saj, mashtruese. Më mashtron dhe më bën pre tek frika. Ky është një diktat. Diktati që është përkëdhelësi i përhershëm i shiut të pafund që përshkon shpirtin tim, teksa përhumb të gjej Traktorin e Parë Shqiptar 

Traktori i Parë Shqiptar

të prodhuar e të propaganduar në fëmijërinë time si Fitorja e të gjitha Fitoreve. Në këtë shastisje të përhumbur prek vetë diktatin e së përtejshmes, atë që prek cipalin që mbron daljen e ujshëm të dhimbjes.

Duke ditur që e përtejshmja kalon si një anije e mbarsur mirë e mirë me mall të shkuar jashtë kontrollit tim, ajo që më zhyt thellë e më thellë është të gjej....Të gjej 140 000 të rrinjtë e të rejat dhe shinat e shtruara të vullnetarizmit Elbasan-Prrenjas. Të gjej aty ku fotografitë dhe propaganda, e përtejshmja dhe e sotmja, janë një errësirë e pandreqshme. Thjeshtë gjëmimi dhe trumbetimi i zhurmshëm i një stuhie të shqetësuar. Një stuhie si një Gjë. Kjo një Gjë që trondit dhe shkatërron mendjen time.


Ajo shkatërron qetësinë dhe mëvetësinë në të cilën jetoj ende i paditur nga padituria e së përtejtejshmes së lodhur në kapakët e një Albumi të Shqipërisë Socialiste, që ende brenda tij ndërtohet me Forcat e Veta. Dhe ndodh të shestoj atë që shkon tek … realizimi. Derisa realizimi më detyron të jetoj në agoni. Se, realizimi nuk është gjë tjetër veçse një imagjinatë. Një imagjinatë që banon dhe niblon nga frika që lëshoj për të pakuptueshmen e nëndhesisë së këtyre kapakëve të trashë. Aty është dhe nuk është më një si qenie njerëzore. Nuk është një qenie njerëzore që zë vend në një intimitet të tillë, por një shifër që lidhet me qira.



Lexohet dhe shihet tek libri i së përtejshmes. Në krye si gjithmonë Ai dhe Vepra e Tij. Pas Tij normativja e rrjeshtit… që plotëson fatin dhe faktin edhe të letërsirës…së Madhe.

E përtejmja vazhdon në praninë e sotme. Është një demon që nuk fle. Një vizion bezdisës pranë shtratit të mbijetesës së atjetejshmes. Është e tillë…, e tillë derisa ende jemi në aritmetikën që na numëron si bariu delet. Por a mund ... "të ndodhka" që të shuhet ekzistenca?


71 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page