Politikanët shqiptarë për marrëdhëniet me Turqinë nuk do u marrin “leje” turkofobëve


Shtatorja e Komandantit legjendar Adem Jashari në Turqi, përkrah saj edhe ajo e Qemal Ataturkut


Nga Skënder Sadri KAPITI

Sa herë që ndonjë politikan e pushtetar i lartë nga Shqipëria e Kosova bëjnë vizita në Turqi, dhe anasjelltas kur ata turq vizitojnë Shqipërinë “shqetësohet” dhe alarmohet së tepërmi elementi turkofob dhe islamofob si ai joshqiptar por edhe ai mercenar shqipfolës në Shqipëri, por sidomos disa nga Kosova.

Edhe politika shqiptare kur është në opozitë, si opozita e sotme p.sh. kritikojnë dhe spekulojnë me vizitat, me marrëveshjet dhe me miqësirat e respektin reciprok që tregon pushteti aktual me Turqinë, por ama harrojnë se kur ata vetë ishin në pushtet silleshin proTurqi më shumë se këta të sotmit. Marrëdhëniet shtetërore dhe miqësia nuk duhet të përdoren sa për pikë politike momentale, por ato duhet të jenë në vazhdimësi dhe t’i thellojnë miqësitë dhe marrëdhëniet diplomatike e shtetërore dhe jo të jenë të lëkundshëm sepse pastaj bëhesh shumë më i pabesueshëm edhe te shtete e kombe të tjerë.

Jo vetëm politikanët e shtetarët e lartë shqiptar, por edhe ata që shkojnë në Turqi për vizita shëndetsore, biznesi, si vizitorë e turistë ata ndjehen si në atdheun e tyre, pasi në asnjë vënd tjetër të Botës shqiptarëve nuk u ofrohet mikëpritje e respekt i vecantë se sa nga shteti dhe populli turk. Kjo nuk u pëlqen jo vetëm grekëve e serbëve por as fanatikëve islamofob shqiptarë si dhe as mercenarëve turkofob serbo-grekofilë, dhe as injorantëve e pseudointelektualëve egoist e nihilist që shajnë, fyejnë dhe intrigojnë nëpër portale kundër marrëdhënieve shqiptario-turke.

Presidenti Erdogan është president i Turqisë, i asaj Turqie e cila ka 100 vite që e konsideron Shqipërinë dhe shqiptarët si shtet dhe si popull mik,dhe që u është gjetur shqiptarëve në kohë të vështira prej nje shekulli. Turqia dhe presidenti i saj nuk janë as Greqia që ka ligjin e luftës me Shqipërinë, që ka pretendime për Vorioepirin, që ka gllabëruar Çamërinë shqiptare dhe që synon edhe të grabisë hapësirën detare shqiptare.

Turqia dhe Erdogan sot nuk janë as Serbia dhe as Presidenti serb të cilët kanë ushtruar dhunë, krim dhe genocid kundër shqiptarëve, që kanë grabitur troje shqiptare, që nuk njohin pavarësinë e Kosovës dhe që përpiqen për ta bllokuar integrimin e Kosovës dhe synojnë ndarjen e coptimin e saj.

Turqia është ndër të parat shtete që ka kontribuar në clirimin e Kosovës, që ka ndihmuar ushtarakisht dhe financiarisht ne ngritjen e shtetit modern shqiptar, që punojnë e lobojne më shumë se kushdo pas SHBA-ve për njohjet ndërkombëtare të Kosovës, që është shteti i parë që ndihmon seriozisht për eliminimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri dhe në ndihmën mjeksore kundër koronavirusit. Këto janë disa fakte që i verbojnë islamofobët shqiptarë, të cilët në dëshpërim e sipër mundohen të shpikin e të intrigojnë me fantazira kundër marrëdhënieve shqiptaro-turke.

Kryeministri Rama i Shqipërisë dhe Presidenti Thaçi nuk janë se ata i kanë këto poste e detyra të larta shtetërore nga vetevetja, por janë dhe kanë ardhur deri aty nga politika shqiptare dhe janë votuar nga populli dhe nga parlamenti, pavarësisht se është normale që nuk janë të pëlqyeshëm nga shumë e shumë njerëz e ndoshta madje sot janë më pak të besueshëm dhe të pëlqyeshëm, pasi qënia në ato detyra të larta e të vështira ata tashmë edhe janë konsumuar dhe se nuk janë shpëtimtarë dhe as të përjetshëm në politikë e pushtet.

Mirëpo vihet re se sa herë që ata vizitojnë Turqinë ashtu sikurse edhe parardhësit e tyre , ata kritikohen ashpër nga disa individë të cilët nga mllefi dhe urrejtja , nga fanatizmi islamofob dhe turkofob që ata kanë, kalojnë në ekstrem dhe paragjykojnë, parashpifin dhe intrigojnë e sajojnë lloj-lloj fantazish se pse ata takojnë dhe bisedojnë me Presidentin e shtetit të fuqishëm turk ,Erdoganin.

Prandaj them se para se Rama e Thaçi si dhe të tjerët para tyre dhe ata që do vijnë në të ardhmen kur ta vizitojnë Turqinë, duhet më parë që t’u marrin “leje” këtyre turkofobëve serbo-grekofilë; duhet të “parakëshillohen” me ta , dhe se ata duhet edhe t’ua përgatisin “agjendën” se cfarë duhet të bëjnë, bisedojnë e të veprojnë në marrëdheniet shqiptaro-turke kryetarët e dy shteteve shqiptare.

Pavarësisht se edhe unë kam rezerva dhe kritika për Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi, një gjë ta kenë të sigurtë turkofobët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës se: ata të dy nuk i ka sjellë ne pushtet as Turqia dhe as Erdogani, dhe as kurrë Turqia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet politike në Shqipëri, por ata i ka zgjedhur populli shqiptar; dhe se Turqia dhe shteti turk gjithmonë kane respektuar të gjitha personalitetet shqiptare si Berishën, Nanon, Majkon, Topin, Mejdanin, Nishanin, Metën, si edhe, Ramën dhe Thaçin.

Dhe a mos do të duhej që edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Z. Anton Quni t’u merrte “leje” turkofobëve se përse shkon për vizitë në Turqi ku gjatë vizitës së delegacionit të tij pritet të zhvillojë takime të rëndësishme edhe me autoritetet udhëheqëse të Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Turqisë si dhe me autoritete të industrisë së mbrojtjes; do të vizitojë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës, Qendrën Kulturore Shqiptare në Ankara si dhe kadetët e FSK-së, të cilët janë duke studiuar në Akademinë Ushtarake Tokësore të Turqisë.

Vizita e ministrit është në vazhdën e bashkëpunimit bilateral në mes të dy ministrive dhe forcave respektive.

Kjo vizitë u bë Z. Anton Quni me ftese nga Ministri I Mbrojtjes së Turqisë , që do të thotë se Turqia është jo vetë shteti i cili renditet i dyti në Botë pas SHBA-ve i cili njohu Pavarësinë e Kosovës, por edhe shteti që njeh edhe Ushtrinë e Kosovës


Së dyti as Thaçi dhe as Rama nuk janë kundër integrimit dhe antarësimit te Shqipërisë e të Kosovës në BE, por madje për interesa edhe personale politike e pushteti ata janë personat që dëshirojnë më shumë se kushdo tjetër hapjen e negociatave, Shqipëria, ashtu si edhe liberalizimin e vizave, Kosova , në mënyrë që atyre dyve t’u faturohet atyre si meritë historike.

Nuk janë Turqia dhe as Erdogan ata të cilët t’u kenë thënë Berishës apo Ramës që t’u japë detin Greqisë, dhe nuk janë Turqia dhe as Erdogan ata të cilët i thonë Kosovës hyr në miniShengen , korigjo kufijë dhe bëje Serbinë hisedare në pasuritë e Kosovës; dhe as nuk janë ata për Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe.

Nuk ishte Turqia ajo e cila u tha politikanëve të Kosovës për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi por ishin europianet ata të cilët bënë presion.

Dhe ajo që i nxjerr zbuluar turkofobët “kritikë” antiThaçi e antiRama për faktin se pse Rama e Thaçi shkojnë dhe bëjne marrëveshje me Turqinë ka vetëm një arsye: është urrejtja dhe islamofobizmi i turkofobëve shqiptarë.

Nuk është aspak e vërtetë se Rama eThaçi janë kundër integrimit në BE dhe se me demek janë orientuar nga Stambolli apo Lindja, por kjo është në fantazinë e islamofobëve shqiptarë dhe e disa filozofëve politik europianëve, ku këta europianët në vënd që t’i hapin dyert e integrimit në BE për shqiptarët si populli më proeuropian jo vetëm në Ballkan por edhe më gjërë, ata filozofojnë e flasin për rrezikun e ndikimit rus, kinez e turk në Ballkan

Kushdo që të jetë në pushtet në Shqipëri e Kosovë , për islamofobët është dhe mbetet e urryer cdo marredhenie miqësore, vëllazërore, ekonomike, ushtarake, politike e strategjike me Turqinë, sepse kështu dëshirojnë edhe grekët e serbët dhe turkofobët shqiptar, që shqiptarët të mos kenë miq dhe aleatë besnikë.

30 views

Shkrimet e fundit