Pol Milo: NIKO LITO NË “LEGEND BRINDISI”...

NIKO LITO NË “LEGEND BRINDISI” – NJË UDHËTIM PA DIMENSION, DREJT ËNDRRËS SË LIRISË
Nga Pol Milo
Libri i Katiuscia Vammacigna-s mbi eksodin shqiptar të marsit 1991, mikpritjen e Brindisit dhe historinë e një futbollisti që e shndërroi largimin në një udhëtim drejt lirisë.
Ka udhëtime që maten me kilometra, ka të tjera që maten me kohë, por ekzistojnë edhe udhëtime që nuk mund të përcaktohen nga asnjë dimension i zakonshëm. Ato nisin në hapësirën e dhimbjes, kalojnë përmes kujtesës dhe përfundojnë në horizonte ku liria nuk është vetëm dëshirë, por mundësi për të rifilluar ëndrrën.
Në këtë dimension të fundit na çon libri “Legend Brindisi”, i autores italiane Katiuscia Vammacigna, me nëntitullin Storie di migrazioni e accoglienza a Brindisi, nel marzo del 1991 – Histori migrimi dhe mikpritjeje në Brindisi, në mars të vitit 1991. Libri rikthehet te një prej ngjarjeve më të jashtëzakonshme të historisë së afërt shqiptare, eksodi masiv i marsit 1991, kur mijëra shqiptarë, të dëshpëruar nga izolimi dhe mungesa e perspektivës, u nisën drejt brigjeve italiane, duke kërkuar një jetë tjetër. Brindisi, qyteti portual i Pulias, u shndërrua në një pikë takimi mes dy botëve, mes një populli që kërkonte të dilte nga historia e tij e mbyllur dhe një shoqërie që u përball me sfidën njerëzore të mikpritjes.
Ndër rrëfimet e librit, historia e Niko Litos zë një vend të veçantë për forcën e saj emocionale dhe simbolike.
I lindur në Durrës, Niko Lito ishte futbollist shqiptar, i njohur për karrierën e tij në futbollin kombëtar. Në faqet e librit, jeta e tij shfaqet si një përballje e vazhdueshme mes pasionit për futbollin dhe kufizimeve të një regjimi që ndërhynte në çdo dimension të jetës njerëzore.
Babai i tij u dënua nga regjimi komunist dhe vdiq në kampin e përqendrimit të Shtyllasit. Kjo tragjedi familjare la gjurmë të thella në jetën e Niko Litos, duke e privuar nga studimet universitare dhe duke i penguar ëndrrën për të luajtur me Kombëtaren shqiptare.
Në këtë histori shfaqet edhe Refik Resmja, futbollisti i njohur dhe trajneri që u bë për të një figurë atërore, një njeri që e ndihmoi të ruante lidhjen me futbollin dhe me ëndrrën e tij.
Futbolli, në këtë rrëfim, nuk është thjesht një sport. Ai është një metaforë e jetës së ndërprerë, e lirisë së kufizuar dhe e një dëshire që nuk pranon të shuhet.
Më 6 mars 1991, Niko Lito u nis nga porti i Durrësit, duke lënë pas bashkëshorten dhe fëmijët. Udhëtimi i tij drejt Brindisit, ku mbërriti mëngjesin e 7 marsit, ishte një udhëtim drejt një bote të panjohur, por edhe drejt mundësisë për të rifituar atë që regjimi i kishte mohuar.
Ai do të rikthehej në Itali në gusht të po atij viti, këtë herë së bashku me familjen.
Ajo që e bën historinë e Niko Litos veçanërisht të fuqishme është mënyra se si autorja e ndërton udhëtimin e tij përtej kuptimit të zakonshëm të emigrimit. Niko Lito nuk largohet vetëm nga një qytet për të mbërritur në një tjetër. Ai largohet nga një realitet që i kishte kufizuar lirinë, nga kujtimet e dhimbshme të familjes dhe nga një sistem që kishte ndërhyrë në ëndrrat e tij. Në këtë kuptim, Durrësi dhe Brindisi nuk janë thjesht dy pika gjeografike, por dy hapësira të ndryshme të ekzistencës.
Një nga momentet më prekëse të rrëfimit është rikthimi imagjinar i Niko Litos te figura e babait. Në përfundim, ai i drejtohet atij me fjalët: “Baba, mos ki frikë, liria nuk ka vdekur. E kam nxjerrë përsëri në sipërfaqe.” Kjo fjali e shndërron historinë personale në një dëshmi universale. Liria, e cila ishte mbytur nga diktatura, rikthehet në jetë përmes kujtesës, dinjitetit dhe guximit për të vazhduar.
Në këtë pikë, futbolli rikthehet si një simbol i fuqishëm. Topi që dikur ishte pjesë e ëndrrës së tij bëhet metaforë e një jete të rifituar. Niko Lito imagjinon se mund të kthehet sërish në fushë, të luajë dhe të shohë babanë që e vështron. Një ndeshje e humbur nga diktatura bëhet, përmes lirisë, një ndeshje e fituar në dimensionin e kujtesës.
Kush është Katiuscia Vammacigna dhe çfarë përfaqëson libri i saj Legend Brindisi?
Këto janë pyetje që Revista TRANSFORMISTI i konsideron të rëndësishme përtej historisë së inxhinierit dhe futbollistit durrsak. Përmes këtij libri, autorja italiane na rikthen në një prej momenteve më të brishta të historisë shqiptare, duke i dhënë zë kujtesës së atyre që, në marsin e vitit 1991, u nisën drejt brigjeve italiane në kërkim të një jete të re. Për këtë arsye, TRANSFORMISTI e risjell në vëmendje autoren e Legend Brindisi, për rrëfimin e saj mbi të gjithë shqiptarët që zbarkuan në Brindisi gjatë atij viti të brishtë, duke përjetuar një udhëtim që ndryshoi përgjithmonë fatet e tyre, por edhe si një përpjekje për të ruajtur kujtesën njerëzore, për të mos lejuar që historitë individuale të humbasin dhe për të rikthyer në vëmendje një përvojë që i përket historisë së përbashkët të dy popujve.
Revista TRANSFORMISTI, e konsideron një nder të veçantë të sjellë pranë lexuesve jo vetëm librin dhe rrëfimet, por edhe pak nga jeta dhe formimi i saj. Diplomimi në Histori dhe Filozofi, përkushtimi ndaj shkrimit, kulturës dhe mendimit filozofik, si dhe besimi në fuqinë e artit për të transformuar shoqërinë, krijojnë një lidhje të natyrshme me këndvështrimet e saj transformiste.
Niko Lito, futbollisti që kërkoi të fitonte ndeshjen e lirisë
Sot, Niko Lito jeton mes Durrësit dhe Italisë, gëzon shëndet të plotë dhe vazhdon të mbajë brenda vetes kujtimin e një udhëtimi që i ndryshoi jetën. Ëndrra e tij e lirisë, dikur e ndërprerë nga rrethanat e diktaturës, tashmë është realizuar. Për kontributin dhe lidhjen e tij me qytetin, Niko Lito është nderuar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”, të dhënë nga shoqata “Durrësi Autokton”. Pas një jete të përkushtuar edhe ndaj profesionit të tij si inxhinier, ai tashmë gëzon pensionin, duke mbartur me dinjitet përvojën e një jete që ka kaluar përmes sfidave, sakrificave dhe triumfit të lirisë. Historia e tij, e rrëfyer në “Legend Brindisi”, nuk mbetet vetëm një kujtim i vitit 1991. Ajo është forcë e një jete që arriti të kapërcejë kufijtë e diktuar nga historia dhe të ndërtojë një të ardhme sipas ëndrrës së vet.
Niko Lito është sot një nga ata njerëz që mund të vërtetoj se liria dhe ëndrra, edhe kur duken të largëta, mund të bëhen realitet, si futbollisti që kërkoi të fitonte ndeshjen e lirisë Kjo është simbolika më e thellë e udhëtimit të tij pa dimension, një udhëtim që nuk përfundon në port, por në realizimin e një ëndrre njerëzore.








Comments