top of page

POEZI QË S’PASQYRON TIPIKEN


Kapllan Resuli

JA DHE NJË RECENSË KONTROVERSE PR LIBRIN SOT

NGA SHKRIMTARI

KAPLLAN RESULI


POEZI QË S’PASQYRON TIPIKEN


Lidhur me vëllimin “Sot”Faslli Halitit


Ca kohë më parë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në dritë vëllimin “Sot” të letrarit lushnjar, Faslli Haliti.

Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuar në organet e shtypit këto tre-katër vjetët e fundit. Bien në sy menjëherë se vjersht e Faslli Halitit janë të shkurtëra e kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt edhe harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira, por shumica porsa janë të dala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij (të Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. (“Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).

Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.

Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish ujë në shpatull Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e di”.


Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se këto krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime kush më shumë dhe kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por në katër vargjet e fundit, janë të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit lirisht t’i hjekin vargjet që paraprijnë;

“Gjaku im Vietnam,

Eshtë i një grupi me tëndin”

E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë”

Përsëritje të tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai thotë: “Në ndërgjegjien time ka këneta, pellgje, moçale”. Fjalët ‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta është dhe fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.

Tek poezija “Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës ndërsa, në fillim të vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’ja kanë arrijtë qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumëm ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, me që thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë personale.

Mirpo po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se s’është e vërtetë se rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ja shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe I përcolli vëllezërit dhe motrat e krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e hutuar” siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle duke kënduar dhe duke kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijën se çështja personale që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.

Ndër krijimet që posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”, “Kthimi i Skënderbeut”, “Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “lulzimi dhe ne”, dhe “Zhurmë”.

Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera ne rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi maji”,

“Ardhja e vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”, dhe “Shije të reja”, ne na duken tepër të përgjithshëme, pa jetë pa ngjyrëv kombëtare.

“Marsi,

Me kokën e kaltër

Me trupin e gjelbër

Kitarë e ujrave vari në qafë

Si tela kitarash rrëkerat i dredh

Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.

(Marsi në Sarandë)

“Mbi koka jeshile pemësh

Natyra derdhi bojë të verdhë

Vjeshta krahët e artë

Mbi fusha i hodhi,

Dhe kodrave lart”.

(Ardhja e vjeshtës)

“Nyja nyjën thërret

Me rrezet paralele zgjaten kërcellet

Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf

Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta

Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt

Nis zbukuron me lulet e veta,

(Unë nuhas pranverën)

Ja disa strofa të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.

Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:

“M’i madh mik i fushës, plugu

Mbi skenën e blertë këndon

Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash

E shoqëron”.

Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”, Mirpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vënd të plugut kemi traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe në vënd të krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i madh i fushës”.

Dhe, ajo që është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (“Ardhja e vjeshtës”). Këtë pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e partisë dhe të popullit punues.

Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnje:

“Në qoftë se është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij “Sot”, për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere Partia dhe Qeveria duyhet të më hedhin hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ja ndryshuar pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjhoet piskama e mushkonjave”.

Ja dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:

“Retë lëshojnë shiun

Zbardhon si vijë e bardhë horizonti

Zverdhen zhabinat e verdha

Më kërkuat fusha

arat fshatrat

Erdha”.

Vallë, tre vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë tek lexuesi pasivitetin nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga partia me botkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetëve, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të vizitointe rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë e kënd Republikës….Por e keqja s’qëndron këtu?

Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

“Njerëz që venë në kamp në Durrës

Që venë të takojnë të fejuarën

Që nisen të shohin një ndeshje futbolli

Që nisen të marrin provimin e parë

Që nisen të marrin provimin e fundit

Që nisen kufirit ushtarë”.

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na server si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale

Ç’vargje të neveritëshme?!

Vallë s’kishte mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë inisiativa që kanë lindur në gjirin e të rinjëve dhe të masave për të zbukuruar malet me taraca, për të përvetësuar mësimet e partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.

“Sot”! Vallë, ku duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull….?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura….veç predikimeve alla-revizioniste…veç rrugëve pakrye:

“Njerëz që ikin kudo

ku të mundin…”.

“Sot”

Besnikëria dhe gadishëmria e kuadrove tona të edukuar nga mësimet e mëdha të partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij duke shkruar:

“Kuadro kudo nëpër poste ku jinni,

Që dot nuk ju iket

Që dot nuk ju zbritet…?!”

(“Kuadrove që nuk ju iket”).

Vëllë ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjithë kuadrot e reja që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i kuadrove tona nuk është “ngurimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur e burokrat që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse Revolucioniut fitimatar nuk i bëhet vonë për të tillë bashkëudhëtarë miopë dhe egoist.

“Kemi përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;

“Nuk prashitet më

Nuk korret më

Vapë

Sa s’ka”.

Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?! Sjellim ndërmënd vargjet e poetit tonë të respektuar, F.S. Noli:

“T’u tha gryka po s’të pihet

T’u mpi këmba po s’të rrihet

Se mileti po të pret…

………………………………………

Shpejt or Marathonomak”!

Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë?!

Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e Marathonomakut të ri të kalitur në kudhërën e partisë, na servir një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket puan kolektive, ku askund nuk vështrohet teknkika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F.S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej poetëve tanë që s’ë paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F.S. Noli.

Lidhur me vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlersim subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e letrarit të ri, i cili në mes të tjerash thotë:

“Daja fshatrave nuk la pa u thënë:

Nusen me nipin sonte kam miq,

Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri

Plaka ime s’paska gatuar!

Po jemi në kohën e lëmit moj plakë”!

A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të pakolektivizuar, kub sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?

Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e tij do të ishte absurd, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndersa lëmenjtë janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar. Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e lehtë socialiste?!

“Kjo qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!

Ç’qënka moj qyqe kjo nuse kështu?!

Kjo të shikoka në kokërr të syrit

Supet përjashta fustanin nën gju”?!

Ky fanatizëm ky ambijent fshataresk, bien në kontraditë me fshatin e ri socialist ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.

Asnjë përgëzim nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”, sepe autori, në vënd të figurës së mësuesit, komisar drite dhe përçonjës i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mesuesi qesharak;

“Pantallonat e mija zhytur në çizme

Flokët e mij të qullur

Që kullojnë

Që varen teposhtë

Si flokët e Senekës”.

Ky mësues ka katandisur në këtë gjendje sepse “imazhi i vajzës bukuroshe”, e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mëndja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe “eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës, dhe me mijra e mijra mësues të tjerë që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.

Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh shoku Enver Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:

“Jam fshatar ( qytetare)

Jeni fshatar!

S’mund të martohemi bashkë!

(“Ajo”).

“Në livadhin e blertë të shpirtit të ri

Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,

Ishe

Por ike

Ike skëterrës së shpirtit të tij

Ku lulëzonte vetëm një diplomë”.

(“Ike”)

Ashtu si te vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy vjersha të vogla, autori nuk ka kapur tipiken që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindar arsimtareve myzeqare dhe korçare që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.

I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i dha Luftës Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave me nuska në poezinë “Kur vinin pranverat”, tregojnë papjekuri të theksuar.

Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te vjersha “Kaloj”, ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë flokëve”, “buzë buzëve”, etj.

S’jemi dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjies së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Dhe autori shpif me paturpësinë më të madhe kundër aksionistëve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo siç thamë është një shpifje e paturpshme dhe e palejueshme, se njerëzve të tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe marr masa kudo që i zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo për t’u dashuruar.

Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo” e cila s’është gjë tjetër vecse pllakat, ku PPSH - në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”në ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.

Në vëllimin “Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta nga ana artistike, si fjala vjen “Lushnja natën”, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.

Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve që kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit zhurmojnë gjer në orët më të vona të natës, na bën të mëndojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.

Vjerash “Kujtimi im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër krijimet më të dobta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmënden dhe objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese, sepse Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.

Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit? Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme, qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E përsa i përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.

Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për lbrin “Sot”, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e të shkruarit, por në asnjë mënytrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhet vlerësuar vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate;

“Kamarieria puhi

servir freski”.

Apo;

“Kooperativa berbere e rreptë

flokrat e ferrave fare i qethi”.

E themi këtë se figura të tilla, tendenca formaliste dhe manjerizmi, e bëjnë lexuesin tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në atë poezi e të thotë; “Kjo nuk është poezia që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist”.

Kapllan Resuli, shkrimtar

Spiro Dinaku, nënpunës

Hysen Kurti, punëtor

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308.Viti 1973

64 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page