Kryegrotesku i Harkut Euroatlantikas
NGA PIRO AHMETAJ
Paraprakisht risjell në vëmendjen politike dhe publike një opinion të publikuar gjerësisht në shtator 2021: “fundi me turp i lidershipit të Lulëzim Bashës”, ku edhe kam premtuar: “asnjë minutë më me kalin e ngordhur”, ose “don’t hit the dead horse”, që nënkupton, se sa më shumë e godet aq më shumë kutërbon!
Premtova kështu, pasi 5 muaj para zgjedhjeve (Nëntor 2020) në funksionin e “Këshilltarit për SK”, kisha rekomanduar një “Draft-plaformë fituese” duke e paralajmëruar, z. Basha: “për humbjen që e priste PD në zgjedhjet e 2021”, nëse: “nuk vetëçlirohet nga mashtrimet piramidale (p.sh mbi 200 ministra); nga mungesa dëshpëruese e besimit, kohezionit, Yes menët, telefonatat erotiko-politike si dhe nga presioni i kopesë me ish-zyrtarë mjerisht të paditur, hajdutë dhe të tjerë sekserë të stërvitur rrotull tij”! Pavarësisht paralajmeve, një javë mbas humbjes turpëruese të zgjedhjeve të 25 prillit, i bëra publikisht thirrje arsyes fisnike (kallza nëpër borë) të z.Basha që “të dorëhiqej”, pasi e çmoj/a jo vetëm si akt personal, por edhe përgjegjësi të lartë shtetërore për ta çliruar PD nga riciklimi “sekti i fitimtarëve të humbjes së radhës”. Nga ana tjetër, i bëra mesazh publik z. Berisha si dhe “faktorëve me kockë fisnike”: “Mos i bëni funeral poshtërues PD-së, duke rizgjedhur, edhe më keq, riemëruar në krye të saj një humbës serial/8-vjeçar”!
Por ish-kryetari, (tashmë vulëhumbur) as e mendonte dorëheqjen, por vetë ai, duke ndërsyer kopenë e koneve rreth tij, përfshi ushtrinë që bashkë me byrekët falas konsumonin edhe diarrenë e port-haleve të familjes, disa defiçentë lokalë etj., oponencën e fortë dhe thirrjen për dorëheqje e qesëndisnin (përfshi te kolegë/aktorë në Washington, Bruksel etj.) me shpifje mjeranësh, si: “mllefe personale nga mungesa në listë, apo dhe si (mos)garanci për t’u rreshtuar dhe bindur disiplinës partiake etj.”! Ndërsa Po, mavro-leaderit L.B: “ia njoh për nder që nuk u gdhiva në listën që si struci e bëri natën”. Por, “kam keqardhje në mos neveri” që u investova me gjithë kapacitetet, integritetin dhe lidhjet Euroatlantike, 1 “Leaderi të Mbaruar”, që nuk kishte as qëllim dhe as këllqe, të fitonte ndonjëherë ndaj E. Ramës.
Nuk do doja të shkelja premtimin “për të mos u marrë më” me këtë Leader Vulëhumbur, ose “kalin e ngordhur”. Kështu bëra deri para 4 muajsh, kur një koleg i njohur përtej Atlantikut, me pyeti: “Si e lexon ti/gjeneral” deklaratën e kryetarit zyrtar të PD-se, L. Basha: “Do të depozitoj (pa pikë turpi e bëri) në Kuvend një amendament për alokimin e 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Kosovën”? Kështu e shkela premtimin (1) dhe përtej humorit bëra një vlerësimin serioz/strategjik duke e çmuar këtë deklaratat si: “premtim alla-VEFA, ose të një Leaderi të dështuar”. Thënë këtë, këshillova publikisht aktorët politikë që të mos merren me të tilla aguridhe (fatmirësisht nuk u morën), pasi investimi i Kuvendit pas kësaj mendjeje delekuente do të mbarte “kosto të lartë zhgënjimi, për rolin, kredibilitetin dhe peshën konstruktive që mban R.SH në stabilitetin e rajonit si dhe në marrëdhëniet me partnerët strategjikë SHBA, NATO dhe BE”.
Po ashtu, nuk (2) mund të heshtja kur një delirant i braktisur deri për mëshirë, (mbas qershorit 2024), pra humbjes edhe të “betejës si të Stalingradit për vulën, logon, zyrat, buxhetin etj.” dhe me vetemërimin si kryekryetar i Harkut Demokratëve Euroatlantikas (kKHEA), pra i klubit të Ngjelës, Çupit, Gjuzit, Topit, kryekomisioner Eminit, si dhe një grusht egocentrikësh të sëmurë, që për dështimet, ndoshta edhe zhgënjimet apo urrejtjen ndërnjerëzore; edhe për ngrohjen globale, për COVID-in, kur zv.kryeministri i një vendi të NATO-s arratiset si bashipozuk apo kur deputetë, ministra, kryekashkiakë, drejtorë etj., vjedhin si kusarë, fajin e shfryjnë te Doktor “non grata” Sali Berisha! Gjithsesi, ashtu si poetja fisnike, znj. Flutura Açka, e lexova si grotesk këtë vetëemërtim, pasi kurrsesi nuk mund të privatizohen (aq më pak nga kuaj të ngordhur), vlerat, parimet, aspiratat dhe orientimi euroatlantik i mbarë Shqiptarëve!?
Prandaj, përtej oshilacioneve të individit/Lulit, e çmoj përgjegjësi t’i bëj “një oponencë Euroatlantike” udhëtimit të Leadership-it të L.B nga 2013 deri te funerali donkishotesk i “Klubit Euroatlantikas”, që për humorin ia ka kaluar edhe Ali Komikut të Bagdadit, i cili ndërsa trupat amerikane po hiqnin zvarrë shtatoren e diktatorit në kryeqytet, nga bunkeri i Sadamin, deklaronte: “Garda kombëtare e Irakut, po lufton heroikisht dhe po korr fitore të lavdishme kundër ushtrisë USA”.
Së dyti, përsëris bindjen time se Lulzim Basha: “edhe i shiti, edhe ia vodhën edhe i humbi me/ pa turp zgjedhjet e 2017, 2021 si dhe 3 lokale”. Por në vend t’i përgjigjej thirrjes jo vetëm time, PD e Korçës etj., që të dorëhiqej kokulur pas humbjes së 25 prillit, pasi: “Në 8 vjet kishte përfituar gjithçka dhe s’ju kishte dhënë asgjë/asnjë fitore demokrateve”, me “papërgjegjshmëri shembullore”, i mori/ën zvarrë ata/ato në 13 qershor 2021 për t’u rikurorëzuar, si gjithmonë me procedurë (vota të vjedhura), pra pa meritë dhe pa pikë nderi si kryetar i një kompanie private të keqfalimentuar.
Ndërsa në 18 korrik 2021, si çdo frikacak i trimëruar pas lufte, e vazhdoi kalërimin, duke e përçudnuar Këshillin Kombëtar etj., forume me një listë inferiorësh, që çirreshin deri në ekstazë: “Përpara për të korrur fitore të reja nën Udhëheqësin e Madh L.B”! Ndërsa në 30 gusht 2021, pa fare marre, doroviti me ofiqe/funksione politike stafin rreth tij, 8 vjet bashkëhumbës, të cilët, përfshi trimin e tërbuar (Gazin), burokraten Tabaku, apo bejtexhi Gjekmarkaj (në vend të fjalimeve euroatlantike të Gjuzit), vijojnë “Epopenë 11-vjeçare Rama ik” në Kuvend edhe përgjatë 4-vitet që po lemë.
Së treti, mendova se: “nuk bëhet më”, deri një natë para fillimit të punimeve të Kuvendit të ri (shtator 2021), ku bashkë me vendimin e Bashës për Berishën, shpresova se u hap edhe pandora e krizës së rëndë që kishte gjunjëzuar, në mos përdhosur PD-në. Kjo pasi në 8 vjet pluralizmëm ishte goditur si asnjëherë më parë (nga 1991); opozita procedurale e L.Bashës nuk përfaqësonte më besimin e demokratëve por vetëm vulën, interesat e një kompanie private, si dhe të një liste deputetësh pa vlera përfaqësuese. Kështu, “trimërimin e vonuar të L.B për të vrarë politikisht Bacë-Berishën”, e çmova gjithsesi kontribuuese për ta shkundur, transfomuar apo rithemeluar Partinë Demokratike të Shqipërisë!
Ndërsa mbas shtatorit 2021, përqasja delekuente sikur nuk ka ndodhur asgjë në PD (!); për dyert e hapura të Lule-Lulit, që nuk i beson më as legjitimuesit e garës-përrallë (Kadilli, znj. Harxhi, Shehaj); opozitën e fortë për trafikun në pelegrinazhin e Tomorrit; mufkat me Rambo për të mbrojtur studentët nga epshet e afganëve; komisionet për masakrën zgjedhore, betejat për Babalet; fushatën “alla-Ngjela” për mbrojtjen e vulës së PD nga “flota e 6 Amerikane”; “7 pikat e programit lemeria”; deri te themelimi i Harkut Euroatlantik të Veriut etj., tregojnë dështimin me/pa turp të L.Bashës!
Përsëris po ashtu neverinë jo vetëm për ishmavrokyetarin, gardën mjerane të bashistëve euroatlantikas, por edhe listën e bordosë së të gjithëditurve për hapësirën publike në media, pasi edhe këtë udhëkryq poshtërues për PD e shesin si betejë burokratike: “Kush është me udhëheqësin e lavdishëm L. B, është me USA, BE, ndërsa ato/ata me S.B armiq të Kombit, SHBA, UK, NATO-s”! Në gjuhën e popullit, kësaj i thonë: “Opozita digjet, mavro-Kryetari krihet, ndërsa garda e ofiqarëve dhe ushtria e shushunjave hidhnin valle rreth zjarrit të kompanisë/PD së falimentuar! Mjerim i madh. Zoti t’i falë, nuk dinë çfarë bëjnë!
Së katërti, pa mëdyshje kulmi marrëzisë mbetet 8 janari 2022, kur ashtu si Hitleri mbas kapitullimit, edhe krue euroatlantikasit me në krye L.Basha etj. kamikazë të marrosur, e bunkerizuan me hekur e beton selinë e PD, të supozuar si institucioni i qytetarëve të lirë. Prandaj data 8 janar 2022 mbetet e skalitur jo vetëm si një ngjarje që turpëron rëndë dhe përjetësisht autorët, por edhe si një njollë e zezë për PDSh. Sigurisht, përveç Groteakut L.Basha nuk ka vend për askënd që të krenohet. Fatkeqësisht, ne shqiptarët, harresën e kemi pjesë të historisë së pasuksesshme. Por në gjykimin tim do të duhet një auditim serioz jo vetëm për burimin e parave të shpenzuara (si të VEFA-s) për këtë dalldisje perversësh, por edhe pasojat rënda të besimin/imazhi publik te pluralizmi, demokracia funksionale dhe ardhmërinë euroatlantike të RSH.
Po ashtu, dorëheqja e L.B në mars 2022, duke i lënë “si mish për top” në fushëbetejë bashkëpunëtorët, apo edhe rikthimi si skuth i stërvitur, pra prapë me procedura (!) si “Kryetar i Vulës” në maj 2023, do të inventarizohen si akte edhe më diskretituese se të një kryeplaku/tribu në fiset e Xhibudit. Prandaj, liderit vulëhumbur Basha, i vetëshpallur krye-euroatlantikas, i ka mbetur vetëm pothuaj vetvetja (nga mbi 50 deputetet e listës së tij) si dhe një grusht azganësh mendjendryshkur.
Me këto akte delekuente, “Leaderi me kullaro euroatlantike dhe balluke bollshevike”, zhgënjeu (më mirë vonë se kurrë) edhe zonjën e respektuar Flutura Açka: “për garancitë tinëzare për ta mbajtur pa diskutim, edhe me dhëmbë vulën”; mungesën dëshpëruese të “opsioni B” mbas vendimit të gjykatës; nxitimi prej skuthi-politik (fakt i kryer) për prezantimin e një plani elektoral, ku L.B edhe i vetëm do shpartallonte Ramën, Berishën ose të dy së bashku; premtimet si të firmave Vefa-Xhaferi: status ushtaraku të përndjekurve politikë, kompensim 200% ndoshta në mars të ish-pronarëve; 20, pse jo 30 mijë euro për çdo lindje dhe shtëpi falas për çiftet e reja etj., përralla pa mbret, por me “Bashën Kryeministër” që gajasën miletin, por fatmirësisht nuk u votua asnjëherë nga shqiptarët. Ndërsa sa për delekuencën për “listat e hapura dhe Engjëllin për 21 janarin”, edhe pse ministër përgjegjës, e rëndojnë edhe diskretitojnë edhe më shumë pozitën e këtij Grotesku.
Së pesti, mbas 7 vitesh ministër, 4 kryetar i kryeqytetit, 11 kryetar opozite (në të gjitha, i emëruar, pra pa meritë), Lule Basha si çdo delirant ka gjithsesi të drejtë të ëndërrojë për “Kryeministër i shekullit tjetër” apo të shkuajë libra për misionet e fituara nën lidership-in e tij: “Rruga e Kombit, anëtarësimi në NATO, shpartallimin e Ramës në 2011, 2015, 2017, 2019, 2021, 2023, etj.”!
Sigurisht që, L.Basha i braktisur si dhe harku/ klubi i tij euroatlantikas janë bërë për t’u gajasur, por kurrsesi nuk është rasti për të bërë inventarin e meritave se kush ka hedhur më shumë gurë kundër mavro-kapitenit të anijes së mbytur. Në këtë udhëtim poshtërues të L.Bashës, zhgënjimi i demokratëve mbetet edhe ndaj kujtdo, qoftë edhe që ka heshtur, përfshi z.Berisha, pasi duke e promovuar pa meritë në krye të PD në 2013; turpëruar mbas humbjes në 2017 si dhe çnderuar me riemërimin me vota të vjedhura në 2021, pra pa asnjë mëdyshje kanë bashkëpërgjegjësi edhe në përdhosjen e besimit dhe shpresave të shqiptarëve te PDSh-ja.
Sa për pjesën e rithemelimit, tashmë opozitës zyrtare ose pronarët legjitim të vulës, që do të jetë subjekt i një opinioni pasardhës, më duhet gjithsesi të adresoj një këshillë paraprake: “marrja e vulës pas 3 vitesh betejë me mavro-Lulët nuk është kurrsesi arsye për triumfalizëm, as për të shtrënguar radhët e biografisë së luftëtarëve ‘për/me vulën’ si aksione për listën-2025″, por një arsye fortë t’u përulur fisnikërisht, përgjegjësive politike dhe interesave kombëtare, duke u kërkuar falje demokratëve dhe shqiptarëve për këtë realitet të pluralizmi fasadë (alla-Basha), si dhe shtetit së kapur nga korrupsioni, mungesa balancave demokratike dhe fuqia e mbipushtetit.
Në shtesë, duke falënderuar me mirënjohje 10-ra mijëra kolegë/ushtarakë, intelektualë dhe patriot mendjehapur si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën kombëtare, për konsideratat, mesazhet dhe mbështetjen inkurajuese përgjatë angazhimit në politikën aktive më duhet t’i garantoj në nderin/integritetin tim, se gjithçka kam bërë, përfshi edhe këtë oponencë të detyruar ndaj krye-Groteskut të klubit/harkut të diskretituar Euroatlantikas, kurrsesi nuk janë: “mllefe kundër Leader-it vulëhumbur L.B, as për të çuar mesazhe seksere Dr. Berishës, për në listat preferenciale”!
Me këtë rast, garantoj edhe më fort që dorëheqja, si dhe për çdo qëndrim publik në vijimësi (përfshi sa edhe në këtë rast), nuk ekziston asnjë lidhje me marrëdhëniet ndërpersonale, kurrsesi me familjarin, apo individin, shoferin, kuzhinierin, al-turistin holandez, apo podcastistin Lulëzim B; as me ushtrinë e sekser/eve që “dje i bënin llak, sot shkelmin” udhëheqësit radhës, por vetëm me diferencat strategjike ndaj përqasjes cinike, akteve dhe zullumit që në bindjen time Leader-i në tentativë, L. Basha, i ka bërë PDSh-së, pluralizmit, rotacionit politik, interesave të mbarë shqiptarëve si dhe ardhmërisë Euroatlantike të RSH.
Ndërsa për sa angazhimin tim politik në vijim (sigurisht pa lejen e askujt), rikonfirmoj se mbetem ushtar i së djathtës moderne, ku: “Familja, atdheu, Zoti, liria, vota, siguria, prona, tregu, dinjiteti, interesat kombëtare, balancat e pushteteve, orientimi euroatlantik”, mbeten vlera, shpresa dhe misioni ynë i përbashkët që Shqipëria, të bëhet si gjithë Europa, edhe për inat të leadere-ve dështakë, politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë si dhe sekserëve të gjithëpushteteve që kanë pushtuar të djathtën dhe sundojnë Shqipërinë 80 vitet e fundit.
Comments