top of page

PILURI...


PILURI - SHPIRTI I KENGES


E veshtire rruga per ne Pilur, por e paperseritshme kenaqesia. Kesaj here rasti qe Festivali Folklorik "Bejka e bardhe", disa veprimtari promovuese librash, muzeut te pritshem kushtuar bardit te kenges bregase Lefter Çipa, Nderi i Kombit.

E para gje qe me goditi ishte ai entuziazem i vetvetishem njerezish - grupet folklorike dhe pritesit e shumte, piluriote, te ftuar dhe turiste - te cilet e ndezen sheshin e fshatit te rrapi me valle, kenge, biseda, te qeshura, pije, histori, miqesi te reja. Nje ndezulli shpirtrash te çliruar nga perditesite shpesh te merzitshme te qytetit, si per te bashkejetuar me aventuren e bukur te kenges, malit dhe atyre njerezve te hareshem, qe quhen piluriote. E dyta, ajri i paster, ai fllad mali qe ngrohej nga fryma e detit poshte, dhe i jepte njeriut ndoca mrekulli te vogla qe veçse lekura dhe mushkerite mund t'i shpjegojne e t'i "dekodojne". E treta ishte vete fshati hipur malit, ne kuvend me lartesite, qiellin dhe detin; ure mes Laberise dhe Bregdetit, nderlidhes traditash antropologjike, religjionesh, bemash atdhetare; nje fshat me histori te vjeter dhe pluhur mitesh e legjendash te moçme mbi supe, me njerez qe shquhen per trimerite e tyre, me lufterat per mbijetese, sa dhe me mençurine, dashurine per librin, kengen, qendistare te memories historike. Ishte nje mbremje e paharrueshme...


Lefter Çipa sot nuk eshte me, u tret ne kenget dhe vargjet e tij. E kush nuk e njohu ate ketyre aneve dhe gjithkund, ku quhet Shqiperi dhe Komb. Eshte cilesuar Princi i kengeve. Piluri e ka ne gjak kengen dhe ka nxjerre nga shpirti i vet prej bardi popullor 150 kengetare. Sa shume per nje fshat! Lefteri u be prijesi i gjithepranuar i asaj kenge. Por teksa e shihja portretin e tij te zmadhur, ulur kembe mbi kembe, me nje kostum te bukur, te hapur, me bastunin dhe kepucet e veçanta verore, shembelltyra e tij me ngjasonte me njerezit e spektaklit, artiste te sqimes, hirit poetik, sa dhe te diçkaje qe vinte nga sperndritja e fisnikeve shqiptare, vertet nje PRINC siç e kane quajtur. Nje Dhenderr i kenges popullore...

Por diçka qe e vleresoj veçanerisht shume jane bijte e Lefter Çipes, qe e mbajne fort shtrenguar ne duart e tyre emrin e tij. Dhe nder ta, ai qe edhe e konceptoi dhe e organizoi kete ngjarje kulturore mu ketu lart ne Pilur, eshte gazetari i mirenjohur Aleksander Çipa, poet e studiues, fatmiresisht edhe miku im. Sandri eshte i thjeshte si guret dhe pemet e fshatit te tij, gazetar qe e ngre ligjerimin e vet kudo, neper biseda televizive, katedra, leksione, mbi nje urtesi dhe arsyetim te drejtepeshuar, pa e tejkaluar asnjehere cakun kur argumenti shnderrohet ne mllef, ca me keq ne fyerje e sharje. Tejet i respektueshem, ky model ligjerimi i tij them se ka marre diçka nga Piluri, siç ka marre shume nga i ati, qe gjemimet e shpirtit i qendiste me mençuri.

Qendrova deri vone pas mesnate te rrapi i Pilurit, qe ngazellente nga festa dhe hareja e njerezve. Por kureshtar siç jam, e gjezdisa syrin lagjeve te fshatit. Vija re kudo ndertime. Piluriotet, me se shumti djemte e tyre udheve te emigrimit, kane derdhur parate e "gjakut e te djerses" duke i bere shtepite vila te vogla; kane shkruar me doren e tyre nje ftese turistike dinjitoze. E ku ka me mire te vish disa dite te ky fshat: lartesia, ajri i paster, mali, deti, pamja fantastike qe ta shlodh shpirtin e rropatur nga zhurma dhe ritmi urban! Dhe kenga e zogjve... Piluri eshte i mbushur me bageti, ushqim bio, aventure udhetimesh per qejflinjte e maleve.


Para tre vitesh ketu ne Pilur patem rastin te kemi te ftuar edhe kryeministrin e vendit Edi Ramen, ne nje promovim te botimit te krijimtarise se shkrimtareve bregas nen titullin "Shtigjeve te vendlindjes". Dy gjera i kerkuan piluriotet kryeministrit: ujin dhe rrugen. Kaluan tre vjet dhe une nuk i pash keto te rregulluara. Kane mbetur, siç vete kryeministri shpotit kundershtaret e tij: "Rruge te mbetura rrugeve". Une shoh me ngazellim se dora e punes ne fshatrat e Bregdetit po leviz plot energji e shprese. Turizmi po rritet. Ai po hipen edhe ketu lart ne Pilur. Por qe turizmi te bujt "vendçe" duhet te rregullohet pjesa e mbetur e rruges, duhet qe çesmat te rrjedhin me bollek neper shtepia, duhet shtuar kapaciteti prites me bujtinat dhe ngrehinat turistike dhe... dhe... duhet rritur aftesia per te organizuar e promovuar evente artistike e kulturore te larmishme, festivale kengesh e poezie, muze dhe argetime. Si djale i vendit qe eshte, si mendjehapur, gazetar e njeri i vizionit,

Aleksander Çipa ka hedhur nje hap domethenes, bere vetem e vetem nga dashuria per vendlindjen. Hapat e tjere e di se po vijne. Ne mendjen e tij ato jane skicuar, duhet veçse nje kuptim me i drejte i atyreve qe menaxhojne parate tona, qeveritare vendore por edhe qeveritare te ndertesave te bardha te shtetit...



25 views1 comment

1 Comment


Vedat Shehu
Vedat Shehu
Jun 06, 2022

I gëzohem shumë këtij informacioni të Këngës Labe që shkëlqeu edhe me “Bejkën e Bardhë“ të Lefter Çipës Pilutjotit. Me këtë rast, jam i obliguar të ritheksoj se Bregdeti Karabrun-Butrint është Bregdet i Labërisë dhe i Këngës Labe; dhe se Piluri është një pikë e shkëlqimit të shpirtit poetik të Shqiptarisë dhe këngës s Diturisë të shprehur Labërisht “Pa dallim feje dhe ndarjen e Bregdetit nga Trupi i Labërisë”, siç veprojnë mediokritë e dasive.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page