Petrit Malushi: Komandant „Atdhetari“
- 60 minutes ago
- 5 min read

. Të qëndronte qoftë edhe një minutë pa uniformë ushtarake, për të ishte sikur forma e tij trupore të shfaqej lakuriq. Në dasma, vdekje, festa tradicionale, zyrtare po se po, vizita familjare, kur shëtiste me gruan, kur shkonte te këshilli i lagjes a në takim me prindërit te shkolla e fëmijëve, dukej si një shtatore e lëvizshme ushtaraku. Kapelen e ngjeshte deri mbi veshë, strehën e mbante ngritur e pantallonat gjithmonë të hekurosura. Nga xhepat e xhaketës nuk i hiqte kurrë dy shami, një prej fanellate dhe tjetrën prej kadifeje. I përdorte për t’u dhënë shkëlqim këpucëve apo çizmeve, sipas stinës.
“…ata kanë qenë, janë e do të mbeten armiqtë tanë më të egër, veçanërisht imperialistët amerikanë... mos u mashtroni nga lajkat e tyre … bëjnë jetë të gënjeshtër… njerëzit atje vdesin për bukë, pa liri dhe të drejta … duhet të jemi syçelët e vigjilentë… ”.
Duartrokitje! Prau-prau-prau! “Të lumtë goja komandant!”, “Të paçim në krye!” “Kemi lindur e do vdesim këtu!” “Nuk gënjehemi nga karamele të helmatisura !”. Salla e konferencave oshëtiu si një poligon qitjeje kur qëllohej me breshëri. Komandanti i njësisë sistemoi fletët në dosje, la foltoren dhe i gufuar si gjel deti, me hap të shtrirë, mori drejtimin për nga podiumi ku ishin ulur të deleguarit. Në konferencën e njësisë fjalët e tij kishin qenë më të zjarrtat. Për të flitej se ishte kandidat për poste më të larta. Ia kalonte edhe komisarit, edhe shefit të shtabit për atdhetarizëm. Anëtarët e tjerë, të forumeve drejtuese, as i afroheshin. Dukej sikur kishte lindur për të qenë kryefolës, për të frymëzuar këdo që e dëgjonte: ushtarët, oficerët, rezervistët, fqinjët, në mbledhje, takime, ceremoni gëzimesh e mortore, që në asnjë rrethanë e për asnjë shkak të mos u shkonte në mend të shikonin ëndrra veç realitetit të ndritur që jetonin. Kudo, çdo fjalim e bisedë prej tij do të ndërtohej në formë të tillë që të pranishmit të mahniteshin nga vlimi i shpirtit patriotik. Për të tërhequr vëmendjen e për t’u dhënë më shumë peshë fjalëve i ishte kthyer në ves trashja e zërit, si për ta bërë më kumbues, dhe kollitja. “Nuk i shkel parimet unë!…”, “Edhe dhjetë jetë të kem do t’i ngrys në këtë vend !…” “Ua kam lënë amanet fëmijëve që jo vetëm ata, por edhe nipërit e mbesat kur t’i sjellin në jetë, t’ua përpjekin kokën në këta mure …”. “Ohu, e kam në gjak atdhetarinë!”. “Është i rëndë mallkimi për ata që e kanë mëndjen për andej, matanë! …”.
. – Ooo!- ma preu rrugën atë mëngjes Selimi, tek po kthehesha nga supermarketi me dy qese në duar për të çuar në shtëpi zarzavatet që më kishte porositur gruaja. Gripi më zuri edhe mua, po nuk më mbajti një javë mbyllur në shtëpi. Nejse të shkuara fare. Ata të “grupit” më lodhën; përditë: thuaji ore të vijë se gripi ne na ka të tijtë, si puna e detit që ka notarin. Doja të të merrja në telefon, por nuk e kam për mbarë këtë të shkretë celular. Kemi gjëra të reja. Ik tani ço porosinë në shtëpi dhe po të presim te vendi.
. E kisha zakon që ecja kokëulur dhe mënyra e beftë e shfaqjes, për më tepër toni i ngritur më bënë të ndalja hapat. Sa u kthjellova unë, tjetri kishte bërë katër-pesë hapa tutje trotuarit. Ishte kryetar i shoqatës “Ushtaraku i moshës së tretë”. Takoheshim thuajse për ditë tek i njëjti lokal i lagjes. Aty, nga ora shtatë deri në orën dhjetë të mëngjesit, bënin ofertë në çmimin e kafes. Mblidheshim gjashtë – shtatë shokë, ish-ushtarakë, dhe shtynim orët deri nga dreka. Shirat e fundvjeshtës së dytë, reumatizma dhe një rrufë, një javë të tërë, sikur më kishin zënë në çark e, kisha përtuar të dilja nga shtëpia. – Një javë, - po flisja me vete, si për t’u shfajsuar, duke u drejtuar për nga hyrja e pallatit ku banoja,- nuk qe as një muaj, as një vit. Eh, po sot gjërat ndodhin edhe brenda orës. Po ja, do t’i marrim vesh edhe të rejat. . Dhjetë minutat e para, pasi u ula në tavolinë, u mbushën me shkëmbime përshëndetjesh të zakonshme dhe interesimin për gjendjen time shëndetësore.
– Hë more,- iu lëshova Selimit duke shfrytëzuar një rast kur s’po fliste asnjëri, - pa më rrëfe të rejat e këtyre ditëve, se atje te rruga më hutove fare. Ai, qetësisht kaloi vështrimin nëpër të pestë rreth tavolinës, si për të marrë miratimin e tyre, dhe ia
nisi. – Punojnë shokët, nuk
janë si ne që vetëm përrallisim gjithë ditën.
- O, lëre aman!- ia prita menjëherë. - Me punën ti, unë e këta të tjerët, kemi njëzet vjet që i kemi larë duart. Po, hë ec më tej. - Durim, durim se nuk flas ashtu kot. - Dëgjoje, dëgjoje Selimin se e ka fjalën për mërgimtarët ,- ndërhyri shoku që kisha në krah të djathtë. “Kushedi,-mendova,- ç’do kenë kurdisur këto ditë dhe bëjnë lojë “. – Nuk po të lodh shumë se e di që mërzitesh shpejt. Po „komandanti“ atje ku ka shkuar, shkruan ama,- dhe shtriu krahun para, me dorën sikur të shtrëngonte stilolapsin.
– Ore, cili komandant? Se unë e ti kemi ndërruar nja nëntë a dhjetë dhe asnjëri s’ia thoshte për të shkruar. – “Atdhetari”! Vetëm njërin quanim kështu. E mo, të kujtohet apo jo ?- shtoi kur më pa si të qorrollisur.
– Edhe ai e paska kaluar detin? Unë e di se ka ikur me banim në kryeqytet , – bubullova, kur i rashë në të për kë flitej. – Oho, ty mirë që të themi ne ndonjë fjalë. Po, ai ishte nga të parët që kapërceu murin. U bënë vite që bashkë me gruan dhe fëmijët ka zënë Amerikën.
“…ata kanë qenë, janë e do të mbeten armiqtë tanë më të egër, veçanërisht imperialistët amerikanë... “ , më kumboi në vesh. Me gojën gjysmë të hapur po shikoja nga shokët. Ata ishin krejt indiferentë. Duket, gjatë gjithë javës kushedi sa herë kishin folur për këtë.
– Në Amerikë na kanë ikur shumë shokë,- nuk më la t’i lidhja mendimet Selimi,- po na kanë kujtuar, ndërsa ky hiç ! Tani që ka bërë librin “Jetë parajse” i ramë ndërmend?! U thashë edhe këtyre, kopjet e librit m‘i ka dërguar, që t’ia promovojmë me shoqatën e t’ia shesim. “… mos u mashtroni nga lajkat e tyre … bëjnë jetë të gënjeshtër…”. Zëri i Selimit dhe zëri i brendshëm përplaseshin me njëri-tjetrin. – E di me se i ka mbushur dyqind faqe? Ç’ha për mëngjes, drekë, darkë, ku e pi kafen, kur del shëtitje me gruan dhe qenin, sa i qetë fle gjumë, si mban dietë që të mos marrrë mbipeshë, ku i punojnë fëmijët, ku i bëjnë pushimet, si i kalon fundjavët, si janë rrugët, makinat, lulishtet, parqet dhe ndërtesat e Nju Jorkut e, plot të
tjera.
“…njerëzit atje
vdesin për bukë, pa liri dhe të drejta … duhet të jemi syçelët e
vigjilentë…”
- Faqet e
fundit i ka bërë si kartolina, plot me fotografi. Sikur s’e dimë ne si jetohet në Amerikë! Ja do t’i shikosh kur të ta sjell librin këtu, se këtyre ua tregova. “… edhe dhjetë jetë të kem … ua kam lënë amanet fëmijëve… e kam në gjak atdhetarinë …është i rëndë mallkimi …”.
Selimi vazhdonte të fliste, por unë s’po e dëgjoja më. Më zhurmonin veshët.








Comments